Lidhu me ne

Kryesore

Si e kam njohur Azem Hajdarin

Mustafa Nano – gazetaliberale

Ka qenë viti 1993, kur Azem Hajdari erdhi për herë të parë në Skrapar. Unë sapo isha kthyer nga Italia, ku kisha jetuar për pak më shumë se një vit, si emigrant. Isha kthyer me idenë fikse që të mos rrija më në qytetin ku isha rritur. Me ca para që kisha fituar, por edhe me një kredi që po mendoja të merrja, doja të blija një shtëpi në Tiranë. Mirëpo u ndodha nën presionin e miqve të mi atje, të cilët më luteshin të kandidoja për të rimarrë kreun e degës lokale të Partisë Demokratike, e cila, kështu më thoshin, kishte rënë në duar të këqija pas largimit tim për në Itali. Unë, për ta, isha kthyer bash në kohën e duhur. Si një shpëtimtar.

Partia Demokratike ishte e ndryshme nga ajo që kisha lënë. Isha larguar menjëherë pasi PD-ja erdhi në pushtet, diku nga maji i vitit 1992 dhe një vit më pas gjërat kishin ndryshuar në mënyrë të pabesueshme. Demokratët kishin shtënë në duar të gjithë Shqipërinë. Dhe ishin dhënë tanimë shenjat e një regjimi që pak ndryshonte prej regjimit që sapo ishte përmbysur. Një nga shenjat më të qarta kishte qenë arrestimi i Fatos Nanos, të parit të opozitës. Por pavarësisht këtyre zhvillimeve, pavarësisht edhe faktit që mendjen e kisha për t’u larguar nga Skrapari, në fund unë rashë dakord të rikandidoja. As sot nuk e di pse e bëra atë gjë, pasi me t’u rizgjedhur, fillova të ndihesha si mish i huaj në atë parti. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

Azem Hajdari erdhi për të marrë pjesë si i deleguar në Konferencën e Partisë Demokratike atje. Erdhi i vetëm, i pashoqëruar nga askush, dhe kjo gjë më bëri përshtypje. U bëri përshtypje edhe të tjerëve, të cilët nuk ishin mësuar ta shihnin Azemin ashtu, si “qyqar”. Përkundrazi ishin mësuar ta shihnin gjithëherën me një suitë të madhe nga pas, dhe atë vetë, me pamje prijësi, në mes të turmës që e shoqëronte. Dhe kjo tregonte se Partinë Demokratike, themeluesi i së cilës në imagjinatën popullore ishte ai e vetëm ai, e kishin në duar të tjerë. Dhe kjo u kuptua që në momentin kur u shpall qeveria pas zgjedhjeve të 22 marsit. Azemi, për çudinë e të gjithëve, nuk ishte pjesë e kabinetit.

Azemi nuk më njihte mua deri në atë moment. Ne ishim takuar në një rrethanë në Tiranë, por ai nuk e mbante mend. Dhe nuk kishte pse ta mbante mend. Unë isha thjesht një nga qindra vetët që takonte çdo ditë. Por ato dy ditë në Skrapar patëm rast të njiheshim. Dua të them ai pati rast të më njihte, dhe unë pata rast të krahasoja shijen që ai më kishte lënë si personazh publik me shijen që po më linte në takimin sy më sy. Thënë me fjalë të varfra, kisha njohur Azemin nga larg, e tani po e njihja nga afër. Dhe më duhet të them se ishte një tip që më ngjiti. Afërmendsh nuk m’u duk ndonjë gjë që ndriçonte (mua më është bërë zakon, dhe kjo gjë është e padrejtë, e di që është e padrejtë, të përdor si kriter vlerësimi të njerëzve një si rrezatim intelektiv të tyrin), madje m’u duk më i vogël sesa demonstronte publikisht, por në plane të tjera ai ishte shumë më lart sesa dukej. Kuptohej që nuk mësohej dot me statusin “e ulët” ku ishte katandisur pas momenteve të lavdishme, në të cilat figura e tij ishte heroizuar, por dinte ta administronte në publik këtë “zbritje në gradë”, tregonte se nuk e kishte për gjë faktin që nuk i kishin dhënë pushtet, shkrihej e bëhej njësh me të tjerët. Më ka mbetur në mendje se, sapo zbriti nga makina, më pyeti nëse e njihja një person që punonte si këpucar. Ishin njohur kur kishin qenë bashkë në një shkollë profesionale. Kërkoi që t’i shkonte në shtëpi. Dhe e pashë atje që iu gëzua atij takimi. Iu gëzua si fëmijë. Më pëlqeu shumë kjo sjellje. E pashë të sinqertë, me një vështrim të çiltër, gjë që më bëri ta shihja edhe si naiv.

Unë nuk pata mundësi ta njihja mirë asnjëherë Azemin, por jam i prirur të besoj se edhe ka qenë naiv. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që u përdor nga Berisha më pas. Mirëpo në të njëjtën kohë, ky përdorim nuk ka ardhur veç prej naivitetit. Ka ardhur, besoj unë, edhe prej ambicies që ai kishte për pushtet. Pas një idealizmi të fillimit, Azemi duhet të jetë pushtuar shumë shpejt nga ndjesi pragmatike. Falë rolit që ai luajti në lëvizjen antikomuniste, e në të njëjtën kohë edhe falë nuhatjes e intuitës së vet për të lexuar momentin historik, ka kuptuar se përpara tij ishte hapur një derë e madhe, e cila në terma praktikë ishte një mundësi për të ushtruar ndikim, pushtet, e për t’iu gëzuar privilegjeve e përfitimeve të mëdha. Ishte koha kur po fillonte çdo gjë nga e para. Dhe Azemi këtë e kuptoi para shumë të tjerëve. Ai e kuptoi pra se një kohë e tillë, kur gjërat fillojnë nga e para, vjen njëherë në një mijëvjeçar. Por dikush tjetër e kishte kuptuar para tij. Ky ishte Sali Berisha, i cili, për arsye që nuk kanë për t’u kuptuar asnjëherë, bëri çmos t’ia mbyllte atë derë Azemit.

Mendimi i Azemit për Berishën ishte një si admirim i përzier me frikën. Se ç’kishte një kompleks nënshtrimi ndaj Berishës. Ai sillej me këtë të fundit ashtu si sillen njerëzit me dikë që u di të fshehta apo që në një farë mënyre i ka në dorë. Ndoshta e kishte frikë, ndoshta e dinte se Berisha ishte shumë më i lig e i paskrupullt sesa e dinin të tjerët. Mbaj mend që në një festë të organizuar në pallatin e Kongreseve, ndoshta më 22 mars 1994, Azemi ishte i vetmuar. Nuk i afrohej askush e ai vetë nuk i afrohej askujt. E prandaj, një copë herë mbeti me mua. E gjatë kohës që ishim bashkë, ai nuk bënte gjë tjetër, veç ndiqte me sy Berishën, apo siç e quante në atë bisedë me mua, Marshallin. Dhe mezi po priste që “Marshalli” të kalonte aty pranë, në mënyrë që të testonte inatin e Berishës me të. Dhe rezultoi që Berisha inatin e kishte të madh. Kaloi aty pranë dhe nuk i hodhi Azemit asnjë shikim. Pashë një vuajtje të madhe që pushtoi pamjen e Azemit. Dhe më erdhi keq. Por, nga ana tjetër, mendova se ai e meritonte atë vuajtje. Kështu mendoj edhe sot për të gjithë ata që vuajnë prej faktit që Berisha nuk u fal vëmendje. Apo për ata që lumturohen prej fatit që Berisha u fal vëmendje. Gjë që në thelb është e njëjta gjë.

MË TEPËR

Kioske12 orë më herët

Çfarë fuqie “hyjnore” paska ky Edi Rama!

Opozita thotë se “Edi Rama ka marrë çdo pushtet”. Opozita bërtet se “Rama ka ble ndërkombëtarët”. Opozita justifikohet se “Rama...

Radar12 orë më herët

Epokës së gazit e naftës po i vjen fundi – Olaf Scholz

Mbizotërimi i lëndëve djegëse fosile në prodhimin global të energjisë po i afrohet fundit, ka pohuar kancelari gjerman Olaf Scholz,...

Kryesore12 orë më herët

Sulmi i Ramës ndaj RAI3, Manjani: Ja pse është çakërdisur

Avokati Ylli Manjani deklaron se sulmi i kryeministrit Edi Ramës ndaj emisionit ‘Report’ në RAI3 është një histori e përsëritur,...

Mix12 orë më herët

Sa e bukur është bërë vajza e Catherine Zeta Jones dhe Michael Douglas!

Carys Douglas është rritur tashmë, e është kthyer në një zonjushë mjaft të bukur! Vajza e Catherine Zeta-Jones dhe Michael...

Mix12 orë më herët

Mësueset e Taylor Swift zbulojnë se ç’nxënëse ka qenë ajo!

Dy nga mësueset e shkollës fillore të Taylor Swift kanë treguar se këngëtarja shkruante poezi pa pushim në shkollë. E...

Radar12 orë më herët

Ligji për profesionet e lira, Lapaj: Ka një urrejtje të pa shpjegueshme ndaj shtresës së mesme

Duke komentuar ligjin e ri për profesionet e lira, avokati dhe drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj i ftuar...

Mix12 orë më herët

Autori i “One Day” David Nicholls shkruan historinë britanike që e ka lënë botën zemërthyer

Autori best-seller David Nicholls mendohet nga fansat e tij si një mjeshtër i komedive romantike. Libri i tij i ri...

Mix12 orë më herët

Ben Stiller flet për vazhdimin e “Zoolander”: Ishte dështim

Ben Stiller reflektoi së fundmi për  filmin “Zoolander 2” me David Duchovny në podkastin e Duchovny, “Fail Better“. “Mendova se...

Mix12 orë më herët

Kanye West: Në verë do të hap një studio porn0grafike

Kanye West po flet për hapjen e një studioje “Yezzy P0rn”, tha përfaqësuesi i tij për Page Six të martën....

Mix2 ditë më herët

Edhe Bentley e ndien krizën

Për herë të parë në katër vite, shitjet e makinave Bentley ranë me 11% vitin e kaluar. Shefi ekzekutiv i...

Facebook