Lidhu me ne

Kryesore

Ramush Haradinaj, dhe i vetëm e trim në Berlin

Nga Reldar Dedaj

Nuk e dimë se çfarë ka bërë Ramush Haradinaj në luftë, as nuk mundemi dhe as nuk kërkojmë ta dimë. Lufta ishte luftë dhe në luftë nuk ka engjëj. Dimë vetëm një gjë, që e kemi çmuar shumë si ecën (ecën si burrë, jo si këta meshkujt e qeverisë që i kanë këmbët më të shkurtra se trupin). E kemi çmuar kur flet, pasi nuk tjerr fraza tërkuzë dhe na bën të besojmë se po thotë atë të vërtetë të thjeshtë që zotëron. Kaq! Por nuk duhet harruar se për shumë shqiptarë në Kosovë, Haradinaj është hero i modelit klasik, djali i vrazhdë dhe trim nga fshati që bëri vepra të mira, duke pasur guximin të luftojë për idealet e tij.

I vetëm në Samitin e Berlinit

Këta i janë sulur dhe nuk po i lënë kockë pa thërrmuar luftëtarit të paepur të luftës në Kosovë. Përplasja mes tyre nisi pas Samitit të Berlinit. Me Thaçin edhe më herët. Në një intervistë për televizionin kosovar T7, shefi i qeverisë kosovare deklaroi se gjatë mbledhjes së liderëve ballkanikë, Rama dhe Hashim Thaçi i bënin atij më shumë presion se Merkeli dhe Macron-i për të hequr taksën për produktet serbe. Natyrisht akuza për Ramën ishte e rëndë, sepse në manifestime folkloriko-patriotike, si ato të nëntorit të shkuar në Pejë, ai e kishte mbështetur fort taksën 100%.

Prandaj, tri ditë më parë, kryeministri shqiptar shkroi një letër të gjatë, ku e akuzonte Ramush Haradinajn për dy gjëra që nuk mund të rrinë me njëra-tjetrën: edhe se ka nxjerrë sekretet e bisedimeve mes liderëve, edhe se ka gënjyer. Por në fakt vetëm njëra prej këtyre akuzave mund të qëndrojë, sepse po qe se ka gënjyer për të dalë patriot, Ramushi nuk ka shkelur asnjë kod konfidencialiteti.

“Askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën. Unë jo e jo. Madje askush as ia ka kërkuar hiç që ta heqë taksën! Unë jo e jo. Përkundrazi”, shkruante Rama.  Me një lehtësi të papërballueshme, kryeministri e ka renditur edhe Ramush Haradinajn mes kazanëve që i shpall të tillë sa herë që gjendet në vështirësi. Ai në letrën e tij deklaron se kryeministri kosovar është një gënjeshtar që e bën këtë për të dalë burrë i mirë para popullit.

Ky është një incident shumë i rëndë, rrëfyer me gojën e Haradinajt, ndodhur mes dy zjarreve, mes presionit të kancelares Merkel dhe presidentit francez Macron. “Edhe dje u përsërit ajo që më ka ndodhur në të kaluarën. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Ndodhesha në një pozitë të vështirë. Më shumë më bënin presion presidenti dhe Edi Rama sesa Merkel dhe Macron për heqjen e taksës. Të gjithë insistonin të respektoja qëndrimin e kancelares dhe Macron-it, për t’i dhënë një shans të mirë Kosovës. Ky ishte një ngulmim i vazhdueshëm nga ata. Në një gjuhë që ishte në anglisht, që e merrnin vesh edhe kancelarja edhe presidenti francez”, ka thënë Haradinaj në një intervistë ekskluzive për T7 nga Berlini.

Por pyetja e madhe këtu është se si mund të ndodhte kjo, si mundet që në një samit ndërkombëtar, në sy të personaliteteve më të pushtetshme të Europës, të ndodhë një “kurth” i tillë dhe i dakordësuar më herët ndërmjet Thaçit e Ramës, për ta vizatuar Ramush Haradinajn si një politikan radikal dhe gjeopolitikisht të palogjikshëm? Duke e dëmtuar aq shumë imazhin e një vendi në përgjithësi dhe në veçanti të një kryeministri dhe për më tepër në një përpjekje të vazhdueshme të tij për të mbrojtur një vendimmarrje të ligjshme dhe trimërore njëkohësisht, si ajo e taksës 100% ndaj mallrave nga Serbia, për të mos lejuar që Kosova të shndërrohet në një koloni ekonomike e Serbisë dhe të mos pushtohet nga mallrat e saj të dorës së dytë.

“Unë u kam thënë që ai vendim është marrë nga zori (nga e keqja) …”, është detyruar të mbrohet Haradinaj, duke folur me Macron dhe Merkel në gjuhën angleze. Sepse “Serbia ka marrë vendime agresive ndaj nesh, që kanë rrezikuar sigurinë nacionale. Ky vendim hiqet vetëm në rast të një marrëveshjeje për njohje. Nëse përgatitet një marrëveshje për njohje dhe nënshkruhet mund ta suspendojmë (pezullojmë). Por jo për një proces të dialogut që mund të devijojë”, është shprehur kryeministri kosovar.

Ramush Haradinaj edhe pse i prerë në besë dhe i vendosur për shpatulla pas murit, trimërisht dhe me plot dinjitet, kundër të gjithëve, tregoi mjaft qartë mbrojtjen e interesit kombëtar, pavarësisht nga fakti pse mediat e majta në Shqipëri dhe ato që mbështesin Thaçin në Kosovë u munduan të skiconin karikaturën e zezë të një kryeministri gjaknxehtë dhe kokëtrashë që kishte ardhur nga Prishtina dhe po gajaste dy krerët më të fuqishëm të Europës në Berlin. Pavarësisht kësaj, Haradinaj thekson se rifillimi i dialogut me Serbinë nuk përbën asnjë garanci të suksesit të këtij dialogu gjeopolitik, pa rrëfyer edhe vetë Kosova, qëndrueshmëri dhe pozita force.

“Edhe dje kam bërë figurë të keqe. Më mirë do të ishte që Edi dhe Hashimi të më thoshin që unë të mos i vendosja kushte për dialog. Por tani kur të thotë presidenti yt dhe kryeministri i vendit tjetër (Edi Rama), i bie që vetëm unë po e pengoj këtë proces. Kjo nuk është në rregull. Ne s’kemi ku të shkojmë pa pasur qëndrime të njëjta. Nuk besoj që dikush ka dilema që njohja është formula. Por si të mbërrijmë deri te njohja, nuk duhet të dobësojmë pozicionin e Kosovës te taksa. Heqja e taksës në start të dobëson”, tha Haradinaj.

Ai ka treguar se këto sulme të Thaçit dhe Edi Ramës ndaj tij kanë ardhur në pjesën informale të takimit ku është diskutuar për taksën. Dhe kështu përfaqësuesit më të lartë të të dyja republikave shqiptare në Ballkan, janë përfaqësuar të përçarë dhe me një qëndrim të kundërt.

Kryeministri i Kosovës nuk ka ndërmend të lëvizë nga pozicioni i tij edhe pas presionit të vazhdueshëm të ndërkombëtarëve dhe aq më pak nga ai i Edi Ramës, që në të tilla raste nxiton të dalë në krah të më të fortit, por që kësaj radhe në Berlin, fatmirësisht, e kishte lënë në shtëpinë e tij në Surrel fjalimin e famshëm kundër europianëve: “What the Fuck!”.

Rrugëtimi i një gjenerali

Ishte marsi i vitit 1997 dhe duke përfituar nga kriza që kishte mbërthyer vendin, Ramush Haradinaj mori avionin nga Zvicra për të fluturuar drejt Shqipërisë. Ai e dinte mjaft mirë se tragjedia në Shqipëri do të shërbente për pajisjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-në. Haradinaj mblodhi një grup njerëzish, duke përfshirë këtu edhe vëllain e tij, Luanin, në aksion të bartjes së armëve përtej kufirit. Në maj të vitit 1997, ata i ngarkuan armët në shpinë dhe kaluan kufirin për në Kosovë. Por sapo kaluan kufirin, ata u zunë në pritë nga trupat serbe. Luani u vra dhe një nga personat e tjerë u plagos rëndë.

Grupi u tërhoq dhe Haradinaj e nxori trupin e vëllait të tij përtej kufirit për ta varrosur në Shqipëri dhe pastaj u kthye në Zvicër. “Kam qenë i humbur pas asaj ngjarjeje”, u tha Haradinaj mediave më vonë. “Ndihesha përgjegjës për vdekjen e vëllait tim. Doja të vazhdoja, por nuk mundesha gjatë asaj kohe.”

Dy muaj më vonë, Haradinaj u rikthye sërish në luftë. Ai erdhi në Shqipëri, kapërceu malet prapë për të ardhur në Kosovë dhe e themeloi bazën e tij në fshatin e lindjes në Gllogjan. Ai e shndërroi shtëpinë e familjes së tij në bazë të UÇK-së dhe ndihmoi në ndërtimin e ushtrisë guerile të rajonit të Dukagjinit, duke e transformuar një grup të paorganizuar të djemve të rinj në një forcë që do ta trondiste regjimin serb.

Në mars të vitit 1998, gjatë përpjekjeve të tyre për ta eliminuar UÇK-në, trupat serbe ndërmorën një sulm në bazën rebele në Gllogjan, duke përdorur helikopterë dhe makina të blinduara. Duke përfituar nga fati dhe një sërë ngjarjesh të rastësishme, por edhe falë konfuzionit serb, grupi arriti t’i mbijetojë sulmit, edhe pse Haradinaj u plagos disa herë.

Gjatë dy viteve të ardhshme, Haradinaj do të humbte edhe vëllain tjetër, por edhe disa nga shokët e tij të ngushtë në luftë. Mirëpo, ndërsa UÇK-ja shndërrohej gradualisht në një forcë ushtarake, nga ana tjetër Ramush Haradinaj arriti të fitojë reputacionin e një luftëtari që nuk i frikësohej asgjëje, ku me sa duket, i tillë ka mbetur edhe sot, përballë të vetëve dhe të huajve. /Gazeta Liberale

MË TEPËR

Mix23 orë më herët

Edhe Bentley e ndien krizën

Për herë të parë në katër vite, shitjet e makinave Bentley ranë me 11% vitin e kaluar. Shefi ekzekutiv i...

Mix24 orë më herët

Mosha biologjike: Pse është problem nëse rezulton shumë e lartë?!

Një mospërputhje midis moshës suaj biologjike dhe asaj të treguar në kartën tuaj të identitetit mund të nënkuptojë një rrezik...

Mix24 orë më herët

Çfarë i tërheq mushkonjat?

4 gjëra që duhet të dini për atë që tërheq mushkonjat! Çfarë i tërheq mushkonjat tek ne? Disa faktorë: dioksidi...

Mix24 orë më herët

Tinder merr një veçori “Share My Date” për përdoruesit që të dërgojnë plane takimesh te miqtë e tyre kurioz

Nuk është e pazakontë që njerëzit të bëjnë fotografi të profileve të takimeve dhe t’i dërgojnë ato te miqtë dhe...

Mix24 orë më herët

Si të “shëroheni” nga varësia ndaj telefonit?

Mediat sociale janë tashmë pjesë integrale e jetës tonë dhe në disa mënyra ato kanë përmirësuar në masë të madhe...

Mix24 orë më herët

5 rregulla kyçe për një martesë të shëndetshme

Ditët e sotme martesa e shëndetshme është kthyer në një sfidë më vete për shumë çifte, kjo për disa arsye...

Mix24 orë më herët

Kolesteroli i lartë, 5 mite absurde që duhet t’i largoni njëherë e mirë nga mendja juaj

NGA LIVING Kolesteroli është një yndyrë e dyanshme: e prodhuar nga mëlçia, nga njëra anë është e rëndësishme për trupin...

Mix24 orë më herët

Një këshillë nga Megan Fox për vajzat beqare

Megan Fox, në një intervistë për E!News, iu përgjigj pyetjes: “Ka shumë vajza që do ta kalojnë verën si beqare,...

Mix24 orë më herët

Trajneri i Taylor Swift zbulon sekretin e saj si të ushtroheni si profesionist

Kur vjen puna te palestra, Taylor Swift është bishë e vërtetë. Në të vërtetë, trajneri i saj personal, Kirk Myers...

Mix24 orë më herët

Filmin më të keq të karrierës së tij; Sylvester Stallone e ka falë Arnold Schwarzenegger!

Arnold Schwarzenegger ka zbuluar se dikur ka bindur Sylvester Stallone, të nënshkruante atë që doli të ishte një nga filmat...

Facebook