Lidhu me ne

Temporal

Kur e kuptuam që Enver Hoxha ishte diktator

Profesori i njohur i ekonomisë, Adrian Civici, në librin “Udhëtim në tri kohë” – Dialog me Alda Bardhylin, tregon se kur në mjediset intelektuale shqiptare filloi të konfigurohej imazhi i Enver Hoxhës si diktator. Më poshtë po sjellim një pjesë nga libri, i cili lindi në Universitetin Europian të Tiranës.

A ka pasur një moment apo kohë, kur Enver Hoxha “udhëheqësi i dashur i popullit” u konfigurua në mendjen tuaj si diktator?

Cilësimi në formë të hapur dhe pranimi gjerësisht i Enver Hoxhës si “diktator” në kuptimin e vërtetë të fjalës, në mjediset intelektuale dhe shtresave të ndryshme shoqërore në Shqipëri, është relativisht i vonët. Në tri dekadat e para të pushtetit të tij në krye të PKSH-së dhe më vonë PPSH-ja (1945 — 1974), Enver Hoxha dhe të gjitha strukturat propagandistike e ideologjike në shërbim të tij, e servirën atë si “marksist-leninist të vërtetë”, si “udhëheqësi i dashur i popullit”, si “ndërtuesi i Shqipërisë moderne”, si “babai i kombit dhe nacionalisti më i shquar në historinë e Shqipërisë” etj. Perceptimet dhe etiketimet e para për “diktatorin Enver Hoxha” ishin prezente në mjediset e familjeve të pushkatuara, internuara e persekutuara mizorisht nga regjimi, në mjediset e të burgosurve politikë, te një pjesë e vogël e intelektualëve të shkolluar në Perëndim para dhe gjatë Luftës II Botërore, të cilët e kishin të qartë konceptin teorik dhe politik të sjelljes së diktatorëve, te përfaqësuesit e klerit të burgosur, veçanërisht atij katolik dhe natyrisht në rrethet zogiste e nacionaliste të organizuara jashtë Shqipërisë. Në Shqipëri, etiketimi i Enver Hoxhës si “diktator i tipit stalinist” filloi të merrte forma të dukshme e konkrete dhe të shprehej më hapur në mjedise të mbyllura e biseda private, me të gjitha dyshimet dhe frikën e denoncimeve dhe spiunimeve nga bashkëbiseduesit, në fund të viteve 1970, mbas plenumeve e gjyqeve të sajuara dhe dënimeve mizore të “grupeve puçiste e revizioniste” në art, kulturë, ushtri, ekonomi, nxjerrjen e naftës, Ministrinë e Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit, mbas ashpërsimit të fushatave të internimeve dhe dëbimeve për qindra e mijëra familjeve “me biografi të keqe” dhe “armiq të klasës punëtore e fshatarësisë kooperativiste”; mbas thellimit në përmasa të jashtëzakonshme të “kultit të individit” etj. Në fillim të viteve 1980, sidomos mbas “vetëvrasjes” së Mehmet Shehut, kryeministri më afatgjatë i Shqipërisë komuniste, një nga komunistët e orëve të para në krah të Enver Hoxhës, ne filluam të përdornim shpesh shprehjen “revolucioni ha bijtë e vet” dhe ta krahasonim Enver Hoxhën me Robespierin dhe terrorin e tij gjatë revolucionit francez të viteve 1789 — 1794. Por, megjithatë, arritja te cilësimi i hapur si “diktator” erdhi pas vdekjes së Enver Hoxhës në vitin 1985. Në periudhën 1974 — 1982 filloi të identifikohej fakti se “akuzat për sabotim të vijës së Partisë”, “agjitacion e propagandë”, “devijimeve revizioniste” apo “veprimtari agjenturore në shërbim të Perëndimit dhe kapitalizmit”, me të cilat u dënuan me pushkatime apo burgime të gjata disa nga figurat qendrore të nomenklaturës së lartë komuniste, më shumë sesa nga Prokuroria apo Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, e kishin nxitjen dhe mbështetjen direkt nga Enver Hoxha. Akuza e tyre ishte tërësisht politike. Në shumë dokumente e kronika dokumentare të kohës të botuara, apo dëshmi të ish-prokurorëve e gjyqtarëve të këtyre gjyqeve, del qartë se gjithçka fillonte në fjalimet e Enver Hoxhës, vendimet e Plenumeve të KQ-së të PPSH-së, diskutimet në Byronë Politike të PPSH-së. Gjithçka tjetër që duhej të “provonte fajin e të akuzuarve” ishte thjesht e montuar nga hetuesit, prokurorët apo gjykatësit e diktaturës. Fati i të akuzuarve ishte paracaktuar pa nisur procesi i hetimit dhe gjykimit. Gjithçka tjetër ishte një farsë e madhe që i shërbente propagandës komuniste të PPSHsë dhe Enver Hoxhës, që cilësohej si “syri dhe mendja e mprehtë që zbulonte çdo armik të socializmit dhe popullit shqiptar”. Enver Hoxha e përmendte shpesh se “të gjitha grupet armiqësore i zbuloi Partia, d.m.th. Ai dhe jo Ministria e Brendshme apo organet e drejtësisë”. Në këtë periudhë, diktati dhe figura diktatoriale e Enver Hoxhës, me gjithë përpjekjet titanike për ta mbuluar me “rolin parësor vendimmarrës të Partisë, Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror, filloi të perceptohej më qartë e pa ekuivokë nga shumë njerëz e shtresa shoqërore. “Vetëvrasja” e ish-kryeministrit Mehmet Shehu më 18 dhjetor 1981, e dyshuar gjerësisht si vrasje politike e inskenuar dhe dëshiruar nga Enver Hoxha në emër të ruajtjes së pushtetit dhe vazhdimësisë së tij, dënimi dhe ekzekutimi i ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu në vitin 1982, izolimi total i Shqipërisë nga bota e jashtme mbas prishjes me Kinën në vitin 1978, ashpërsimi deri në absurd i luftës së klasave dhe burgosjeve politike, internimeve, pushkatimeve dhe veçanërisht përkeqësimi drastik i gjendjes ekonomikë të vendit në vitet 1978 — ‘84, e nxorën zbuluar rolin diktatorial të Enver Hoxhës. Për një kohë të gjatë, Enver Hoxha e maskoi me shumë kujdes e mjeshtëri personalitetin autokratik e diktatorial të tij. Kështu shkruan dhe studiuesi irlandez në librin e tij “Shqiptari dinak” dedikuar Enver Hoxhës: “Ai la pas çdo diktator lindor sa i takon shpejtësisë së konsolidimit të pushtetit të tij. Ndryshe nga shumica e udhëheqësve të Europës Lindore mbas luftës, ai ishte me të vërtetë shumë i pashëm, edhe shumë tërheqës … forcën tërheqëse dinte ta shfrytëzonte për bukuri. Ishte aktor i përkryer. Këtë aftësi si aktor ai e gërshetoi me një vendosmëri të palëkundur për të provuar se gjithmonë kishte të drejtë”. Enver Hoxha erdhi në pushtet me petkun dhe lavdinë e “udhëheqësit të luftës nacionalçlirimtare”, me figurën e liderit historik që do ta udhëhiqte popullin drejt një të ardhmeje më të mirë, udhëheqësi që ishte thirrur në skenë për të realizuar misionin historik të ndërtimit të një Shqipërie socialiste të zhvilluar e moderne. Enver Hoxha u tregua i aftë që gjithë besimin dhe shpresat e shqiptarëve për një dinjitet më të madh kombëtar dhe jetë më të mirë t’i kanalizonte te bindja për legjitimitetin e tij si i vetmi “lider revolucionar që mund t’i realizonte transformimet sociale e ekonomike që shpresoheshin”, si individi që zotëronte monopolin mbi të vërtetën, përfshirë këtu dhe “aftësitë e tij të jashtëzakonshme për mbrojtjen dhe zhvillimin e doktrinës marksiste-leniniste dhe socializmit” nga devijimet borgjezo-revizioniste.

Më vonë, Enver Hoxha e “kompletoi personalitetin e tij me figurën e patriotit dhe atdhetarit nacionalist” që nuk bënte dhe as pranonte asnjë lloj kompromisi në cenimin e identitetin nacional, vendin dhe rolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mënyra se si e menaxhoi politikisht dhe “shiti në publik” qëndrimin në Konferencën e Paqes në Paris më 1946-n, prishjen me Josif Broz Titon dhe Jugosllavinë në vitin 1948, prishjen me Bashkimin Sovjetik më 1961-shin, daljen nga Traktati i Varshavës në vitin 1968, ndërprerjen e marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës më 1978-n, u servirën si “vendimmarrje dhe qëndrime nacionaliste të jashtëzakonshme të Enver Hoxhës dhe PPSH-së për mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe ruajtjen e pastërtisë së doktrinës socialiste”. Figura e liderit u vesh dhe me këtë cilësi të re. Vështirësia për të identifikuar “diktatorin” te figura e Enver Hoxhës u shtua dhe nga mënyra se si Ai e injektoi dhe manipuloi “kërcënimet dhe frikën” e shqiptarëve kundrejt rrezikut të pushtimit ushtarak nga fuqitë imperialiste perëndimore, shovinistët e monarkofashistët grekë, armata jugosllave e Titos, ndërhyrja ushtarake sovjetike etj., kërcënimet nga armiqtë e brendshëm, klasat e përmbysura, agjentët e sabotatorët në shërbim të imperializmit dhe revizionizmit, intelektualët e burokratët e indoktrinuar etj. Propaganda e shfrenuar dhe kontrolli total i çdo burimi informacioni në Shqipëri, krijoi në masën e popullit kultin e individit, figurën e “liderit shpëtimtar” që luftonte i vetëm për mbrojtjen e popullit, shtetit, Partisë dhe pastërtisë së doktrinës socialisto-komuniste, e liderit që po “jepte jetën dhe shpirtin për të luftuar padrejtësitë dhe intrigat e armiqve të brendshëm e të jashtëm të popullit shqiptar”. Çdo gjë që kishte lidhje me Enver Hoxhën konsiderohej e “shenjtë dhe e pacenueshme”, madje dhe detaje që sot mund të duken qesharake si p.sh. historia e kasketës së Enverit në xhirimin e filmit “Nxënësit e klasës sime” të regjisorit Saimir Kumbaro me skenar të Kiço Blushit. Filmi u kritikua rëndë, sepse “atje trajtohej tema e ditës, tema sociale, por përfaqësuesit e pushtetit i kishin vënë kapelën e shokut Enver– kasketën”. Kumbaro tregon se “ishte spartakiada në atë kohë, kur shoku Enver na u shfaq me një kasketë ngjyrë kaki … Kur e pashë, thashë me vete, përse të mos ia vë dhe unë Bert Ndrenikës?! Po ta mendosh sot, ishte mendim prej mendjelehti. Ia vë kasketën Bertit. Por nuk ishte vetëm kjo. Unë “pushtetin” e ngjis dhe e rrëzoj nga shkallët dhe ai thyen krahun. I vetmi që e kapi këtë element ishte Kujtim Çashku, djalë inteligjent: “E ke thyer pushtetin, — më tha. — I ke krisur dorën”. “Jo mo, — i thashë, — vetëm sa e kam lënduar pak … Fill pas saj erdhën përfaqësuesit e Komitetit Qendror … “Ç’është kjo kasketë që i ke vënë personazhit negativ?”, më thanë. “Nuk është personazh negativ, — u thashë, — ka ca shfaqje të huaja, por nuk është i tillë”. “Mirë, atëherë, do t’ia heqësh atë kasketë.” Unë e kuptova se ç’do të thoshte: Shko dhe rixhiro! Kasketa do të hiqej se s’bën. Filmin e ribëmë pa kasketë”. Së fundi, mendoj që në vështirësinë e perceptimit dhe cilësimit të Enver Hoxhës si “diktator” ka ndikuar dhe mungesa e “figurës” apo “portretit” të diktatorit në kulturën politike e historike të Shqipërisë. Gjatë shekujve të sundimit të Perandorisë Otomane dhe në përgjithësi të kulturës politike e shoqërore lindore, në psikologjinë kolektive dhe mentalitetin e institucionet e organizimit shtetëror shqiptar mungonte referimi i figurës së “diktatorit” sipas koncepteve demokratike perëndimore. Liderët absolutistë, autokratë, violentë, despotë, satrapë etj., pranoheshin në legjitimitetin e tyre si “përfaqësues apo mëkëmbës të Allahut” në tokë duke u bërë simbol të shtetit, qeverisjes, ruajtjes së doktrinës fetare apo nacionalizmit, duke mos u perceptuar si “diktatorë” në versionin perëndimor të fjalës. Në një farë mënyre, edhe perceptimi dhe vlerësimet për Enver Hoxhën nuk i shpëtuan dot këtij mentaliteti.  Bisedën dhe diskutimin e parë me një grup shokësh “nëse Enver Hoxha ishte apo jo diktator” e kemi bërë në javët e para mbas vdekjes së tij, në prill të vitit 1985. Në vijim të debateve të shumta që zienin në atë kohë në mjediset intelektuale e universitare, nëse “kishte vdekur udhëheqësi i ndritur i partisë dhe popullit apo diktatori komunist”, një shoku ynë kishte kopjuar nga enciklopedia britanike që ndodhej në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë shpjegimet se çfarë ishte një diktator. Leximi dhe diskutimi për këto karakteristika ishte shokues për ne. Jo se nuk e kishim ndier e pësuar në qindra e mijëra raste të jetës së përditshme sjelljen diktatoriale të Enver Hoxhës, por nuk kishim mundur asnjëherë të vinim pikat mbi i, duke e cilësuar “diktator”, njësoj si Hitleri, Musolini, Franko, Stalini, Pinocheti, Mugabe, Kabila etj. Megjithëse propaganda zyrtare “për figurën e Enver Hoxhës” ishte mbytëse dhe e mbushur me lloj-lloj lajmesh e informacionesh për “cilësitë e Tij të jashtëzakonshme si lider”, “për pastërtinë dhe devocionin e tij ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve”, në bisedat e ngushta shoqërore apo familjare qarkullonin një sërë paqartësish dhe pikëpyetjesh për aktivitetin dhe vendimet e tij të çuditshme dhe të “pashpjeguara”. Misteret më të mëdha rreth Enver Hoxhës kishin të bënin me qëndrimin dhe aktivitetin e tij në Francë: si ka mundësi që rezultonte i përkëdhelur nga regjimi i mbretit Zog me bursa dhe emërime nëpër ambasada e përfaqësi diplomatike, ndërkohë që ishte militant revolucionar? A kishte mbaruar vërtet ndonjë shkollë apo diçka fshihte në qëndrimet e tij në Montpellier dhe Paris? Enver Hoxha dhe propaganda e PPSH-së asnjëherë nuk arritën të jepnin një version bindës se si arriti Ai të dilte në krye të PKSH-së dhe cila ishte influenca e jugosllavëve në këtë çështje.

Përse u refuzua “Plani Marshall” nga ana e Shqipërisë së varfër mbas bisedës së Enverit me Stalinin?

Paqartësitë dhe pikëpyetjet vazhdonin me “serinë e prishjeve të mëdha” që u bënë me Jugosllavët, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Vërtet kryeministri Mehmet Shehu ishte poliagjent i Lindjes dhe Perëndimit? Mehmet Shehu u vra apo e vranë njerëz të afërt të Enverit, të cilët ai i pushkatoi më pas si “armiq të popullit dhe Partisë”? Përse gjithë ato vrasje e pushkatime në kupolën e lartë të Partisë dhe Komitetit Qendror? A kishte qenë Enver Hoxha i sëmurë në 10 – 15 vitet e fundit përpara vdekjes, në pamundësi totale për të qeverisur? Përse u mbajt kaq i fshehtë një fakt i tillë? Ne e urrenim Enver Hoxhën dhe vazhdimisht në biseda të ngushta familjare, shokësh e miqsh mendonim se vetëm vdekja e tij mund ta nxirrte Shqipërinë nga errësira e diktaturës së proletariatit dhe obskurantizmi ideologjik. Më kujtohet dita kur u njoftua vdekja e Tij. Ishim në fakultet, por mësimi nuk filloi si zakonisht në orën tetë të mëngjesit. Organizata e Partisë e Universitetit Bujqësor të Tiranës u mblodh në një mbledhje urgjente që zgjati rreth dy orë. Kuptohej që kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme, sepse nga brenda sallës së mbledhjes dëgjoheshin herë pas here të qara dhe ngashërime. Studentët dhe pedagogët ishin si të mpirë, sepse nuk po kuptohej ç’po ndodhte, megjithëse filluan të qarkullonin fjalë nën zë se e gjitha kjo kishte lidhje me Enver Hoxhën. Në orën 11:00 u njoftua një takim me të gjithë pedagogët në sallën kryesore të leksioneve, ku një nga pedagogët më të vjetër, ish-partizan dhe anëtar partie i viteve të para, me një zë të dridhur, spazma dhe ngashërime na tha: “Popullit shqiptar dhe PPSH-së i ka ndodhur një gjëmë e madhe, udhëheqësi i lavdishëm dhe babai i shqiptarëve dhe gjithë marksistë-leninistëve të botës kishte vdekur”. Por ne të gjithë “duhej të mbaheshim fort, se vepra e tij e lavdishme ishte më e fortë se vdekja, ishte e përjetshme”. Në sallë shpërtheu një histeri e përgjithshme. Qarje, ngashërime, mallkime për Zotin që nuk e bëri të përjetshëm Enverin, deklamime besnikërie ndaj Tij dhe Partisë, përqafime ngushëlluese me njëri-tjetrin për këtë gjëmë që na ndodhi …! Një skenë që të kujtonte imazhet e rusëve kur vdiq Lenini apo Stalini, të kinezëve kur vdiq Mao Ce Duni. Por brenda saj kishte dhe shumë frikë, hipokrizi, teatër, konformitet, maskarallëk, formalizëm “për të qenë në rregull me Partinë”. Bashkë me disa kolegë të mi, pedagogë të rinj “tironsa” si unë, u ndiem shumë ngushtë në këto momente. Rreziku që ta luanim deri në fund pjesën e të qenët të dëshpëruar deri në kulm për “gjëmën e madhe” ishte i madh. Dolëm pa u ndier nga salla dhe u mbyllëm me çelës në zyrën time ku filluam të qeshnim, përqafoheshim, por dhe të qanim nga gëzimi. Më në fund ekzistonte një shpresë që të çliroheshim nga diktatori dhe diktatura. Të njëjtën situatë gazmore e plot shpresë, por të shoqëruar me frikën se reagimet dhe sjelljet tona “mund të zbuloheshim” nga komshinjtë për kënaqësinë dhe euforinë që na kishte shkaktuar vdekja e Enver Hoxhës, e përjetova dhe kur u ktheva në shtëpi. Pasdite, gjyshja ime, Afroviti, deklaroi në mënyrë patetike: Do të pimë një shishe verë … për ditë më të mira që me siguri do të vijnë, se na plasi shpirtin dhe na nxiu jetën kjo lufta e klasave, qenia familje me biografi të keqe, burgosjet e internimet! Pastaj, për të mos lënë asnjë gjurmë të këtij gjesti, hapëm dritaret dhe ngritëm zërin e televizorit që nga komshinjtë të konstatohej se ne po dëgjonim lajmet dhe kronikat funebër të TVSH-së, fshehëm shishen e verës përpara se ta hidhnim në plehra dhe dolëm në oborr duke pirë ndonjë cigare me “pamje tejet të pikëlluar”. Cilat ishin karakteristikat e një “diktatori”? Në tekstin e enciklopedisë britanike, figura e diktatorit ishte e qartë: kulti i personalitetit, karakteri narcizist, shtypja brutale e çdo lloj forme opozite e kundërshtimi, mosrespektimi i të drejtave themelore të njeriut, makiavelizëm i ashpër në menaxhimin politik të vendit, zgjedhje formale, eliminimi i çdo lloj kontrolli apo bashkëpunimi ndërkombëtar, zhdukje e çdo lloj influence fetare në emër të ideologjisë, falsifikim i historisë dhe manipulim i kulturës, komandant absolut i ushtrisë dhe kontingjente të Ministrisë së Brendshme, censurë e plotë informacioni nga jashtë, propagandë e shfrenuar për t’u servirur si udhëheqës i shquar popullor që duhet të adhurohet si Zot etj. Enver Hoxha i kishte të gjitha këto karakteristika. Në emër të kultit të personalitetit, vendi ishte mbushur me fotot, monumentet, portretet, librat, emisionet televizive, faqet e para të gazetave, emra sheshesh, uzinash, fabrikash, këngësh etj., për Enver Hoxhën; lufta e klasave ishte arma vdekjeprurëse e çdo lloj opozite e kundërshtimi politik, ideologjik apo kulturor; zgjedhjet në Shqipëri ishin një farsë dhe formalitet i neveritshëm; të drejtat e njeriut nuk ekzistonin as si koncept, jo më të zbatoheshin në jetën e përditshme; makiavelizmi politik ishte tipari themelor i Enver Hoxhës; Enver Hoxha ishte kryekomandanti i forcave të armatosura, ishte “kryearkitekti” i Shqipërisë socialiste, ishte udhëheqësi suprem i partisë dhe popullit, ishte marksist-leninisti i – vetëm i vërtetë në botë, ishte nacionalisti më i madh i Shqipërisë; Enver Hoxha në shumë e shumë raste ishte manipulator i madh i historisë, figurave të shquara të popullit shqiptar, fotove e dokumenteve historike, ngjarjeve të rëndësishme historike e politike; në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, informacioni ishte tërësisht i kontrolluar, ndërkohë që izolimi me botën, sidomos atë perëndimore ishte absolut. Kur të gjitha këto “cilësi e aftësi” të Enver Hoxhës filluan të diskutohen më hapur, qoftë si koncepte që ne na mungonin në formimin tonë kulturor e politik, qoftë si pasojë e zvogëlimit të frikës dhe represionit të tmerrshëm që mbizotëronte në Shqipëri në “kohën e Enver Hoxhës”, atëherë shumë shpejt u bë e qartë se më shumë se “diktatura e proletariatit” ishte “diktatori Enver Hoxha” ai që kishte sunduar Shqipërinë në 40 vitet e periudhës 1945 — 1985. Lëvizjet studentore e popullore të viteve 1989 — 1990, të nxitura edhe nga rënia domino e gjithë regjimeve totalitare komuniste në vendet e Europës Qendrore e Lindore mbas shembjes së Murit të Berlinit, sidomos mbas rënies dhe ekzekutimit të Nikolai Çausheskut në Rumani në dhjetor 1989, e lidhën pazgjidhshmërisht shembjen e regjimit komunist shqiptar me denigrimin përfundimtar të figurës dhe rolit të Enver Hoxhës si diktator. Një nga sloganet më të përhapura në ato vite ishte thirrja “Enver – Hitler”, “Enver – kriminel” apo vlerësimet se “Enver Hoxha ishte diktator i pastër stalinist” etj.

Pyetja më thelbësore ka të bëjë me faktin se çfarë është socializmi dhe së dyti, çfarë modeli socializmi ndërtoi Shqipëria?

Periudha e lidhjes së ngushtë me Jugosllavinë e Titos ishte shumë e shkurtër, ndërkohë që pas prishjes me Bashkimin Sovjetik në fillim të viteve 1960 dhe lidhjes me Kinën e Mao Ce Dunit, përveç retushimeve të vogla, Shqipëria nuk rezulton të ketë bërë ndonjë ndryshim në modelin ekonomik të saj. Madje edhe në vitet e fundit të regjimit, në periudhën 1985 — 1990, kur pretendohej se po zbatoheshin politika e praktika të “modelit të ri ekonomik”, në fakt Shqipëria rezulton si vendi më konservator në raport me Perestrojkën dhe gjithë arsenalin e reformave të ndërmarra në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ish-Bashkimin Sovjetik, Kinë etj. Shqipëria ishte vendi që kritikoi dhe anatemoi më shumë se çdo vend tjetër i bllokut lindor socialist “Perestrojkën” dhe “Glasnostin” që aplikoi Mihail Gorbaçovi në Bashkimin Sovjetik. Veprat e Marksit dhe Engelsit janë relativisht të varfra në elemente konkrete të ekonomive socialiste, përveç nënvizimit të saj si vazhdim logjik i shembjes së kapitalizmit. Analistët e veprës së Marksit e cilësojnë atë më shumë si një “profet vizionar” sesa një arkitekt të ekonomisë socialiste, si një analizë specifike e realitetit kapitalist e shoqëruar me arsyetimin dialektik të Marksit se “socializmi do të ishte e kundërta e kapitalizmit”. Do të ishin: Lenini dhe më vonë Stalini, ata që do të formësonin ndërtimin e regjimit politik dhe sistemit ekonomik që u cilësua si “ekonomia socialiste”, e cila, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore u shtri në shumë vende të botës duke u shfaqur si antipodi i ekonomisë dhe i shtetit kapitalist. Në thelbin e tij, socializmi u konceptua dhe u ndërtua si një doktrinë politike dhe ekonomike që synonte të përmbyste modelin liberal të ekonomisë kapitaliste, të reformonte sistemin e pronës private të mjeteve të prodhimit dhe këmbimit, për t’i zëvendësuar ato me pronën kolektive dhe planifikimin e centralizuar. Legjitimimi i doktrinës së sistemit të ekonomisë socialiste është relativisht më i vonët sesa diskutimet ideologjike apo politike për të, të filluara me Marksin dhe Engelsin. Guri i parë i themelit mund të konsiderohen tezat e Stalinit të vitit 1936 dhe pasqyrimi i tyre në Kushtetutën sovjetike, të vazhduara nga formulimi klasik i “ekonomisë politike të socializmit”, që gjendet në librin e Stalinit “Problemet ekonomike të socializmit në BRSS”, botuar në vitin 1952. Tabloja plotësohet edhe me “Manualin e ekonomisë politike”, të përgatitur nga Akademia e Shkencave të BRSS-së në vitin 1954. Ajo u bë dokumenti bazë “model” për të gjitha vendet e tjera socialiste të bllokut lindor në rrugën e tyre të ndërtimit dhe zhvillimit të socializmit. Një histori nga Bashkimi Sovjetik i Stalinit e konkretizon më së miri filozofinë dhe krijimin e socializmit rus: në Bashkimin Sovjetik të Stalinit u vendos të festohej me solemnitet përvjetori i lindjes së F. Engelsit dhe Byroja Politike shpalli një konkurs për statujën më të mirë të tij, e cila do të vendosej në qendër të qytetit. Mbas shumë projektesh të paraqitura si: “Engelsi duke lexuar”, “Engelsi duke shkruar”, “Engelsi duke iu folur punëtorëve” etj., Byroja Politike zgjodhi projektin më të mirë: një statujë gjigante e Stalinit që mbante në dorë një libër të Engelsit! Edhe Shqipëria nuk bëri përjashtim nga ky rregull dhe nga ndërtimi i këtij modeli të socializmit të kombinuar me sistemin politik të diktaturës së proletariatit. Shqipëria zbatoi ekzaktësisht modelin sovjetik stalinist të socializmit: eliminimin e plotë të pronës private, industrializimin e sforcuar, kolektivizimin integral të bujqësisë, strukturimin e bujqësisë në kooperativa bujqësore dhe ferma shtetërore, planifikimin e centralizuar, përparësinë e industrisë së rëndë kundrejt industrisë së lehtë dhe shërbimeve, sistemin politik të diktaturës së proletariatit dhe partisë unike, pushtetin ideologjik të klasës punëtore, luftën e ashpër të klasave, terrorin politik e policor, luftën kundër fesë dhe zhdukjen e institucioneve fetare, krijimin e njeriut të ri socialist, kultin e individit të Enver Hoxhës etj. Enver Hoxha e adhuronte Stalinin dhe pushtetin absolut të tij, adhuronte metodat drastike të eliminimit të kundërshtarëve politikë, kampet e përqendrimit dhe ekzekutimet politike. Në këtë sens, modeli i socializmit stalinist të ndjekur nga Shqipëria, më shumë sesa një “zbatim i pastër dhe i pacenuar i marksizëm-leninizmit”, ishte një formë për mbajtjen e pushtetit nga Enver Hoxha dhe PPSH-ja, duke ndërtuar një nga diktaturat më të egra në Europën Qendrore e Lindore dhe “kampin socialist” në tërësi. Shqipëria nuk kishte kapacitete intelektuale e akademike të kuptonte dhe interpretonte “marksizmin”, aq më tepër që pothuajse gjithë “kuadrot e lartë” apo intelektualët e saj u formuan në Bashkimin Sovjetik të periudhës staliniste. Përpunuesit apo interpretuesit shqiptarë të doktrinës socialiste marksiste-leniniste u formuan tërësisht me politikat dhe ideologjinë staliniste. Enver Hoxha vetë nuk kishte asnjë lloj formimi të identifikuar në shkencat politike, juridike apo ekonomike, dhe e përdori servilizmin, formimin e cunguar dhe injorancën politike e ideologjike të “kuadrove të lartë të partisë” në funksion të pushtetit të tij personal. Të njëjtin reagim pati Enver Hoxha dhe PPSH-ja kundrejt reformave të Ten Siao Pin në Kinën post Mao Ce Dun të fundviteve 1970. Prishja dhe ndërprerja e çdo marrëdhënieje me Kinën në vitin 1978, shënoi vendimin e katërt radikal të Shqipërisë, më 1945-n u ndërprenë dhe u prishën marrëdhëniet me SHBA-në, më 1948-n prishja me Jugosllavinë, më 1961-shin ndërprerja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, më 1978-n prishja e marrëdhënieve me Kinën, për t’u izoluar totalisht si nga Lindja ashtu dhe nga Perëndimi. Përtej sloganeve politike e demagogjike të Enver Hoxhës “për vijën revizioniste të Kinës” apo “përpjekjeve të herëpashershme të Kinës për të rregulluar marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe për t’u hapur drejt Perëndimit”, në thelb të kësaj ndërprerjeje radikale marrëdhëniesh qëndronte frika e Enver Hoxhës dhe komunistëve shqiptarë kundrejt vijës së re reformiste që po përvijëzohej në Kinë. Reformat e Ten Siao Pin në emër të ndërtimit të një “socializmi tregu kinez – një vend, dy sisteme”, për dobësimin dhe eliminimin e planifikimit të centralizuar, liberalizimin e tregjeve, krijimin e zonave ekonomike të lira për investimet e huaja dhe hapja ndaj Perëndimit, rritja e fleksibilitetit të ndërmarrjeve kundrejt fitimit, pagave e investimeve, zhvillimi i tregut të kapitaleve dhe hapja e bursës, decentralizimin e pushtetit dhe ndarjen e pushtetit të Partisë nga qeveria dhe administrata etj., ishin të papranueshme për Enver Hoxhën dhe ruajtjen e kontrollit dhe pushtetit absolut të tij. Ndërkohë që vetë Bashkimi Sovjetik tentoi disa herë ta reformonte sistemin ekonomik e politik të socializmit stalinist, ndërkohë që Kina e Mao Ce Dunit u përpoq ta modifikonte “radikalizmin stalinist” dhe ajo e Ten Siao Pin-it hapi dyert drejt ekonomisë së tregut të lirë dhe kapitalizmit, ndërkohë që Jugosllavia titiste avancoi në drejtim të “socializmit vetadministrues” etj., Shqipëria u tregua vendi më radikal stalinist, duke luftuar majtas e djathtas çdo lloj devijimi nga stalinizmi dhe revizionimi të doktrinës marksiste-leniniste. Deviza e PPSH-së dhe Enver Hoxhës se “edhe bar do të hamë, por parimet e marksizëm-leninizmit nuk i shkelim”, megjithëse dyqanet në Shqipërinë e parajsës socialiste ishin bosh dhe mungonin sistematikisht ushqimet bazë si vaji, sheqeri, mielli, mishi etj., dëshmon më së miri për sektarizmin dhe hermetizmin e Shqipërisë kundrejt modeleve që devijonin apo reviziononin stalinizmin, kundrejt modeleve që vinin në dyshim apo cenonin sadopak diktaturën e proletariatit dhe luftën e klasave./ Gazeta Liberale

MË TEPËR

Mix5 orë më herët

Edhe Bentley e ndien krizën

Për herë të parë në katër vite, shitjet e makinave Bentley ranë me 11% vitin e kaluar. Shefi ekzekutiv i...

Mix5 orë më herët

Mosha biologjike: Pse është problem nëse rezulton shumë e lartë?!

Një mospërputhje midis moshës suaj biologjike dhe asaj të treguar në kartën tuaj të identitetit mund të nënkuptojë një rrezik...

Mix5 orë më herët

Çfarë i tërheq mushkonjat?

4 gjëra që duhet të dini për atë që tërheq mushkonjat! Çfarë i tërheq mushkonjat tek ne? Disa faktorë: dioksidi...

Mix5 orë më herët

Tinder merr një veçori “Share My Date” për përdoruesit që të dërgojnë plane takimesh te miqtë e tyre kurioz

Nuk është e pazakontë që njerëzit të bëjnë fotografi të profileve të takimeve dhe t’i dërgojnë ato te miqtë dhe...

Mix5 orë më herët

Si të “shëroheni” nga varësia ndaj telefonit?

Mediat sociale janë tashmë pjesë integrale e jetës tonë dhe në disa mënyra ato kanë përmirësuar në masë të madhe...

Mix6 orë më herët

5 rregulla kyçe për një martesë të shëndetshme

Ditët e sotme martesa e shëndetshme është kthyer në një sfidë më vete për shumë çifte, kjo për disa arsye...

Mix6 orë më herët

Kolesteroli i lartë, 5 mite absurde që duhet t’i largoni njëherë e mirë nga mendja juaj

NGA LIVING Kolesteroli është një yndyrë e dyanshme: e prodhuar nga mëlçia, nga njëra anë është e rëndësishme për trupin...

Mix6 orë më herët

Një këshillë nga Megan Fox për vajzat beqare

Megan Fox, në një intervistë për E!News, iu përgjigj pyetjes: “Ka shumë vajza që do ta kalojnë verën si beqare,...

Mix6 orë më herët

Trajneri i Taylor Swift zbulon sekretin e saj si të ushtroheni si profesionist

Kur vjen puna te palestra, Taylor Swift është bishë e vërtetë. Në të vërtetë, trajneri i saj personal, Kirk Myers...

Mix6 orë më herët

Filmin më të keq të karrierës së tij; Sylvester Stallone e ka falë Arnold Schwarzenegger!

Arnold Schwarzenegger ka zbuluar se dikur ka bindur Sylvester Stallone, të nënshkruante atë që doli të ishte një nga filmat...

Facebook