Lidhu me ne

Aktualitet

“Vrasjet e vogla” të Kryeministrit   

Klementin Mile – Ku gabon…

Ku gabon Kryeministri kur insiston për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, kur fillon procedurën për shkarkimin e Presidentit dhe kur përshëndet hetimin e liderit të opozitës?

Në dukje, të gjitha këto akte janë në rregull. Kryeministri po kërkon zbatimin e Kushtetutës, nuk po lejon të kemi në krye një President që e shkel atë dhe po miraton një proces gjyqësor të drejtë ndaj një qytetari të Republikës.

Por në realitet, të gjitha këto akte janë disa “vrasje të vogla”, të cilat kanë potencialin të sjellin një vrasje të madhe, të vërtetë dhe të dhembshme. Të bësh “vrasje të vogla” do të thotë të luash me tjetrin me qëllimin e qartë për ta dëmtuar, e për ta arritur këtë, përgjatë procesit, nevojitet t’i shkelësh rregullat, parimet, institucionet dhe normat e përbashkëta.

Në politikë, “vrasja e vogël” është ura për të kaluar nga kundërshtari tek armiku. Në betejën me kundërshtarin, politikani përdor vetëm mjete të pranuara dhe të dakordësuara nga palët; i respekton, pra, rregullat e lojës dhe ka për qëllim dëmtimin e kundërshtarit. Në betejën me armikun, politikani përdor çdo mjet të mundshëm për të realizuar qëllimin, i cili është eliminimi fizik, jo politik, i tjetrit. Kur politikani kryen “vrasje të vogla”, ai përdor mjete të papranueshme për të arritur qëllimin që është dëmtimi i tjetrit.

Kështu, “vrasja e vogël” mundësohet nga një kombinim qëllimesh kundërshtare dhe mjetesh armiqësore. Ajo ka status politik të dyzuar. Nga njëra anë është e pranueshme, sepse motivohet nga qëllime politike tipike si dëmtimi i tjetrit për të fituar vetë dhe, nga ana tjetër, duhet refuzuar, sepse përdor mjete jashtëpolitike, të tilla që i shkelin rregullat e pranuara të lojës politike në një regjim.

Insistimi i Kryeministrit për zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor, edhe pa praninë e opozitës reale, por me praninë e “opozitës së re”, është një “vrasje e vogël”. Ai po synon me këtë ta dëmtojë opozitën, duke e larguar tërësisht nga pushteti lokal, por, nga ana tjetër, për ta bërë këtë, po përdor mjetin e papranueshëm në rregullat e lojës demokratike të zgjedhjeve pa opozitën.

Fillimi i procedurës për shkarkimin e Presidentit, në kushtet kur ky i fundit ka nxjerrë një dekret të dytë që anulon të parin, është një “vrasje e vogël”. Kryeministri po synon ta dëmtojë kauzën opozitare dhe, meqë e sheh Presidentin si mbështetës të saj, po e godet. Por mjetet e përdorura për këtë qëllim janë të papranueshme; qeveria po e interpreton dhunshëm Kushtetutën e vendit, po fokusohet te germa, te teksti, ndërkohë që duhet kuptuar fryma e Kushtetutës, e cila zbulohet vetëm në kontekst.

Përshëndetja e hetimit të liderit të opozitës, në kushtet kur vendi po lëngon prej krizës politike të tejzgjatur, është një “vrasje e vogël”. Si kundërshtar i tij, Kryeministri ka të drejtë politike legjitime të synojë dëmtimin e liderit të opozitës. Por kur ky dëmtim bëhet me mjete të papranueshme, të cilat në këtë rast rezultojnë të jenë selektiviteti i organit të akuzës dhe koha e papërshtatshme, kjo dëshmon për një trajtim armiqësor të liderit të opozitës.

Kryeministrit ndoshta i japin kënaqësi këto “vrasje të vogla”. Pasi i ka kryer, ai mbase e qetëson ndërgjegjen e vet duke thënë se, në fund të fundit, po realizon qëllime politike në këtë mënyrë. Por rreziku qëndron te karakteri i politikës, i cili vë në zbatim mekanizmin veprim – reagim, e për të cilin nuk ka garanci se reagimi do të jetë i barabartë me veprimin.

Kështu, nëse tjetrin e trajton si armik, sigurisht që do të të kundërpërgjigjet me të njëjtën monedhë, apo, sipas rastit dhe madhësisë së reagimit, kartëmonedhë. Sigurisht që për të pasur raporte armiqësore në politikë nuk mjaftojnë vetëm mjetet armiqësore; duhen edhe qëllimet asgjësuese. Por përdorimi i vazhdueshëm dhe sistematik i mjeteve armiqësore është një mënyrë e sigurt për ta shndërruar kundërshtarin në armik. Pas kësaj, nuk ka më kthim pas.

Rendja drejt datës 30 qershor, në kushtet kur palët politike nuk kanë arritur të merren vesh për asgjë, paralajmëron katastrofë. Teorikisht, zgjidhja e krizës politike mund të vijë nga lart, nga poshtë, ose nga jashtë. Angazhimi i ndërkombëtarëve, deri tani, ka qenë i paktë dhe i paunifikuar për të shpresuar zgjidhje nga jashtë. Kryeministri po vijon me “vrasjet e vogla” të tij ndaj opsioneve opozitare, çka po e pamundëson gjithnjë e më shumë një zgjidhje nga lart. Mbetet zgjidhja nga poshtë, ajo që thërret në këmbë popullin, që e zhbën demokracinë përfaqësuese dhe kanalet institucionale normale, të cilën, modestisht po e emërtojnë “përplasje civile”, pasi në fakt do të ishte “luftë civile”./ Gazeta Liberale

MË TEPËR

Radar8 orë më herët

Ajri në Tiranë është më shumë helm se oksigjen, duhet të jesh i zhytur në krim që të mos marrësh masa

Nga Ervin Goci Sot, ajri dukshem ne Tirane eshte me shume helm se oksigjen. Sot do duhej qe te mblidheshin...

Kryesore16 orë më herët

Uria në Gaza, një krim lufte

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, thotë në një intervistë për BBC se Izraeli mban përgjegjësi...

Mix16 orë më herët

Eskortat e huaja “pushtojnë” Tiranën, Lekatari denoncon rastin në pallatin e saj

Në një kohë kur në Tiranë po diskutohet shumë lidhur me kthimin e kryeqytetit në një “parajsë” të eskortave të...

Letersi1 ditë më herët

‘Marshi i UÇK’-së, interpretim rrëqethës nga Arif Vladi

“Marshi i UÇK” -së është një ndër këngët më të njohura dhe më të dashura të cilën e ka sjell...

Letersi1 ditë më herët

Poezi për atdheun “Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka…”

Poezi nga Andon Zako Qajupi Mëmëdhe quhetë tokaku më ka rënurë koka,ku kam dashur mëm’e atë,ku më njeh dhe gur’...

Mix1 ditë më herët

Cilësia e lëkurës nis nga ushqimi, kjo është dieta kundër plakjes

Pavarësisht cilësisë së një kremi, ndërhyrjeve apo përparimit të teknologjisë për të përmirësuar pamjen e jashtme, ajo çfarë do të...

Mix1 ditë më herët

Pasuria marramendëse e Selena Gomez, nuk do ta besoni sa fiton për një postim në Instagram

Selena Gomez është një ndër këngëtaret më të pasura të momentit. Me një vlerë neto të raportuar prej 800 milionë...

Kioske1 ditë më herët

Kartolinat e paguara nga Tirana

Nga Andi Bushati Sjellja në shqip e një artikulli të përkthyer të revistës lifestyle italiane Vanity Fair, shkaktoi një polemikë të...

Radar2 ditë më herët

“Noc Rroku” strategjik per qytetaret

Klodian Tomorri Qeveria shpalli sot fazen e dyte te tenderin per ndertimin e ujesjellesit Draleos Drimadhes, i cili do te...

Mix2 ditë më herët

Publikohet traileri i pjesës së katërt të “Bad Boys Ride or Die”

Will Smith dhe Martin Lawrence kthehen në rrënjët e tyre në pamjen e parë për pjesën e katërt të ekskluzivitetit ...

Facebook