Nga Mariglen Faslli 

Nëse salla e pritjes së Aeroportit do të ishte e gjitha një tastierë e madhe, çdo hap sipër saj do të emetonte tinguj rrënqethës në çdo notë. Melodi të dhimbshme fatesh dhe njerëzish. Shikime të përhumbura, shpresa të thyera, ëndrra të vrara… Një prekje me shumë, një shikim përreth, një cigare të fundit, një lamtumirë në ikje, një shtrëngim dhëmbësh për të rifituar kontrollin e gjymtyrëve të pafuqishëm, syze të errëta për të fshehur mallëngjimin e pashmangshëm… Përpjekje patetike për tu dukur “zakonshëm”, për të shfaqur natyrshëm diçka që e natyrshme nuk është: ndarjen! Shpesh nuk mjafton një shkollim plot sfida e mund, nuk mjafton një vend pune, nuk mjaftojnë as skena (të mëdha, apo më të mëdha qofshin) e madje as sukseset sipër tyre, sado të sinqerta qofshin duartrokitjet. Shumëçka nuk mjafton për të evituar shtegëtimin kur shpresa vritet, kur kriza e vlerave paralizon çdo qelizë, shpirt e trup… Kur njeriu përpiqet të gjej strehë, në hijen e trupit të vet. Aristoteli dikur thosh se, “trajta në të cilat kategorizohet njeriu janë tre: të gjallët, të vdekurit dhe ata që lundrojnë deteve”. Sa “i nxituar” ky burrë dhe sa pak e njohu botën… Sa pak njohu valixhen, njeriun, Aeroportin dhe njeriun që largohet prej tij i cili, meriton gjithashtu “një trajtë” në atë listë cinike. Shpesh pyetemi si do të donim të kujtoheshim një ditë nëse fizikisht nuk do të ishim prezent ndër biseda. E pra, nëse modestisht do të ndodhte edhe për mua, do të doja shumë të thuhej, “u përpoq”. E sigurt është që “ç’ka nuk të vret të bën më të fortë”, por unë nuk mësova kurrë në zgjodha “forcën pas mos-vrasjes, apo jetën përpara saj”. Faleminderit gjithëkujt që përpjekjes sime për të dhuruar emocione, i është përgjigjur dashamirësisht.

I juaji, Mario!

(Atleti kampion 15 vjeçar, që më vonë u ngjit në Skenë dhe pastaj studioi Arte, interpretoi për Ekranin e madh e të vogël, sot 24 vjeç mban në dorë një biletë, vetëm vajtje…)

23 Qershor 2019,

Rinas – Gate 3!