Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj akuzon rëndë presidentin serb Vuçiç, presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin Edi Rama se kanë tentuar të grabisin miliarda euro nga ndarja e Kosovës.

Në një intervistë të dhënë për moderatorin Artur Zheji, e cila pritet të transmetohet sonte në mbrëmje, Haradinaj shton se 3 udhëheqësit planifikonin të grabisnin 10 miliardë € fitime nga miniera e Trepçës nëpërmjet ndarjes territoriale të Kosovës, por ky plan, sipas Haradinajt, u prish prej tij.

“Me një investim jo më të madh se sa 140 milionë €, Trepçja jep një fitim neto rreth 500 milionë €në vit, për 20 vjet bëjnë 10 miliardë €, të cilat duhet t’i gëzojë Kosova dhe Serbia. Ndalova grabitjen 10 miliardë €, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë  në realizimin e kësaj skeme. Por, unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera  e Trepçës, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”, thotë Haradinaj.

Më tej Haradinaj shprehet se taksa 100 për qind, ndaj mallrave të Serbisë, i solli si përfitim Kosovës deri në 600 milion euro, në një vit të vetëm ndaj i bën thirrje Kurtit të mos e heq atë.

“Albin Kurti nëse e heq këtë taksë, bën gabim të madh! Për Bashkimin Kombëtar, duhet folur më pak dhe duhet punuar  më shumë!”, tha Haradinaj.