Lidhu me ne

Temporal

Letra-testament e Nexhmije Hoxhës

Letra-testament e Nexhmije Hoxhës

Nga Xhevdet Shehu

Unë, si gazetar, kam pasur rastin të njihem dhe ta takoj disa herë vitet e fundit Nexhmije Hoxhën.

Në moshën e saj, gjatë këtyre takimeve e bisedave që kam bërë me të, më ishte krijuar përshtypja se Nexhmije Hoxhës nuk i bënte përshtypje vdekja.

Jetoi gjatë, kishte parë shumë dhe nuk befasohej as edhe me lajmet që u dhanë disa herë paraprakisht nga disa portale për vdekjen e saj. E ka thënë edhe vetë në një intervistë të para do kohëve në TV se i ka munguar gjatë Enverit…

Në dhjetor 2017 u përhap në disa portale ky lajm: “Vdiq në moshën 96-vjeçare gruaja e Enver Hoxhës!” Më tej një biografi e shkurtër që u fshi shumë shpejt, pasi ishte një lajm i rremë.

Teuta Hoxha e përgënjeshtroi lajmin, duke thënë se Nexhmije Hoxha është shëndoshë e mirë dhe vazhdon të shkruajë kujtime.

Ajo la pas në formë testamenti me porosi një letër të habitshme drejtuar Ilirit dhe Teutës me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Enverit.

Teuta e përshkruan si “një letër shumë të dashur dhe të ngrohtë, që Nexhmije Hoxha na ka dërguar Ilirit dhe mua”. “Janë fjalë, jo vetëm që i dalin nga zemra, por, njëkohësisht, tregojnë kulturën e saj të gjerë, respektin dhe virtytin e spikatur të mirënjohjes që ajo ka për të tjerët” – thotë ajo.

Letra është tronditëse, pasi në të ajo për herë të parë fliste për marrëdhëniet familjare. Këtë letër po e botojmë të plotë sot në DITA.

Fakt është që dje Sokoli dhe Liljana kanë munguar në shtëpinë e Ilirit, ku priteshin ngushëllimet për vdekjen e Nexhmijes.

Nuk dihet nëse ata do të marrin pjesë në homazhet dhe në ceremoninë e varrimit.

Nexhmije Hoxha do të prehet pranë varrit të Enver Hoxhës në Sharrë.

*****

Pjesë nga letra e Nexhmije Hoxhës për djalin e saj Ilir dhe bashkëshorten e tij, Teuta botuar sot në DITA

Të dashurit bijtë e mi, Ilir e Teuta,

Qofshi të gëzuar e paçi bekimin tim për gjithë jetën! Bekimi duket sikur është një atribut fetar, që jepet nga zoti ose një i shenjtë. Jo! Unë nuk njoh zot. Perëndia ime është ndërgjegjja, mirësia, dashuria, ndershmëria, e vërteta, bukuria te njeriu, shoqëria e natyra. Unë s’jam e shenjtë, bekimi im është “bekimi i nënës”, bekimi më i sinqertë dhe i pastër, i dalë nga zemra me gjithë shpirt. Lum kush e fiton! Ky “bekim” nuk është një pasuri në para e flori, në prona e të mira materiale, po është një pasuri e paçmueshme shpirtërore që njeriu e fiton me respekt, dashuri, mençuri e mirësjellje ndaj asaj që e ka sjellë në jetë dhe ndaj atyre që e kanë rritur e ndihmuar të bëhet “njeri”.

Të kesh bekimin e nënës dhe respektin e gjithë atyre që ke pasur përkrah në rrugën e jetës, të bën të jetosh i qetë, në paqe me ndërgjegjen tënde, i dashur dhe i lumtur në familje, i nderuar në shoqëri.

Ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe Pranvera me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e veçanta dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më la Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”.

Ti, Ilir, u ndodhe e qëndrove i palëkundur në ballë të një lufte të egër hakmarrëse, përballove përndjekje të paimagjinueshme, akte barbare si ai i zhvarrimit të babait tënd, shpërnguljen me dhunë dhe degdisjen e familjes tënde në një skaj të Tiranës, në një banesë gjysmë të shkatërruar, pa drita e ujë.

Me shumë sakrifica ti, Ilir, bashkë me Teutën, më ndoqët me gjithë përkujdesjet e plotësimit të nevojave deri në burgun famëkeq të Tepelenës. Mbrojtjen publike në shtyp të emrit e veprës së babait tënd, si edhe në gjyq, ti e pagove me burgim, të cilin e durove dhe e kreve si bir i denjë i Enverit.

Por ti munde të përballosh e të dalësh i nderuar nga kjo luftë e pamëshirshme e forcave reaksionare, revanshiste, antikomuniste e antikombëtare, sepse përkrah teje pate shoqen e jetës tënde, Teutën.

Nëqoftëse unë, kur dola nga burgu, gjeta një krevat për të fjetur, bibliotekën me veprat e Enverit si dhe 2-3 kolltukë ku të pres miqtë, këto i kam në sajë të kujdesit të Teutës. Krahas punimeve për t’i bërë disi të banueshme ambientet që i dhanë Ilirit e Pranverës përtej Laprakës, që si për poshtërim ia vunë emrin “te pularia”, Teuta (edhe pasi u burgos Iliri) përballoi plotësimin e nevojave për fëmijët e saj, për Ilirin e mua në burg si edhe për Sanon, që u vendos në një garsonierë pranë, duke e ndihmuar me shërbime që kish nevojë mosha e saj, duke i bërë edhe 1 a 2 herë në ditë injeksionin e insulinës për diabetin që kish, siç ia kish bërë edhe te vila 6, gjatë mungesës sime, kur isha në burg.

Karakterin e saj të fortë, Teuta e tregoi veçanërisht gjatë arrestimit e burgimit të Ilirit. Si për çdo grua shqiptare burgosja e burrit, e babait të fëmijëve, vajtja për takim në ato ambiente të frikshme, qenë strese jashtëzakonisht të rënda.

Të gjitha këto që përmenda vërtetojnë atë fjalën e urtë të popullit: “Njeriu njihet në kohë të vështira”. Teuta e tregoi këtë.

Koha tregoi se ti, Ilir, kishe bërë një zgjedhje të mirë për shoqen e jetës. Se gruaja mund të bëjë të lumtur, ajo mund edhe të ta nxijë jetën. Një shembëlltyrë e tillë i ndodhi djalit tjetër tim, Sokolit, për fatkeqësinë e tij e të familjes sonë, u lidh me një grua jo vetëm të sëmurë nga nervat, por të sëmurë nga koka e të ligë nga shpirti. Siç tregoi koha, ajo kish qenë mish i huaj që kur hyri në shtëpinë tonë, po që me ndryshimin e klimës politike në vend erdhi në dekompozim e degradimin e fundit politiko-moral.

Duke qenë në burg, askush s’më ka shkruar letra aq të poshtra sa ajo. Nuk ia vlen të zgjatem me marrëzitë e saj… Të gjitha këto më shkaktuan një dhimbje të thellë, por nuk e lashë veten të më mposhtë, se kisha detyrime të tjera, politike e njerëzore, të mbroja publikisht Enverin nga fushata e ndyrë e antikomunistëve, ballistëve e gjithë skota e bashkëpunëtorëve me nazi-fashistët, që s’kanë pushuar së përbalturi emrin e figurën e Enver Hoxhës dhe nuk do të pushojnë të shtrembërojnë historinë 50 vjeçare të pushtetit popullor e të shoqërisë socialiste, nën udhëheqjen e tij.

Dhimbja e keqardhja për këtë lloj qëndrimi është e madhe, por në ndërgjegjen time kam qenë e jam e qetë, se në asnjë kohë, si në fëmini, në rini e më vonë, Sokolin e kam dashur njëlloj si Ilirin dhe Pranverën, është absurde ta mendosh e ta thuash, përse mund ta paskam dashur më pak (!!!), përse “unë s’paskam qenë kurrë nënë për të (!!!). Përkundrazi jam kujdesur e i kam qëndruar më afër, sepse më vinte keq, se kish gruan me shëndet të dobët (kështu gjykonim atëherë kur kjo “nuse” nusëronte urtë e butë, duke buzëqeshur ose kur me “dobësitë” e saj të papritura na bënte t’i venim rreth shtratit a ta dërgonim në Paris). Për lidhjet afektive, normale me Sokolin, si nënë e bir, madje dhe me të shoqen, flet dhe Ditari im shumëvjeçar si dhe korrespondenca jonë me dhjetëra e dhjetëra letra.

Por unë nuk u lëshova edhe pse pata mbështetjen e ngrohtësinë e Ilirit e Pranverës, Teutës e Klemit si dhe të fëmijëve të tyre, po ashtu dhe të shumë shokëve e shoqeve, miqve e dashamirësve të familjes së Enverit.

Duke qenë ende në burg, Klemi më tha: “Ti ke në dispozicion shtëpinë tonë që na kanë dhënë nga Lapraka, do të jesh pranë Ilirit, deri sa të rregullohemi të vijmë edhe ne”. Klemi dhe Pranvera, për veten e tyre, me vite jetuan si mos më keq nëpër shtëpitë e njerëzve të tyre bujarë, duke fjetur në divane e krevatë portativë. Po për shërbimet, ndihmat e përkujdesjet e Klemit e Pranverës, nuk po zgjatem në këtë letër, që po e shkruaj më shumë për ju të dy, Ilir e Teuta.

Të dashur Ilir e Teuta,

Desha t’ju shpreh mirënjohjen time për dashurinë e përkujdesjet që keni treguar ju të dy ndaj meje, por padashur vajti “gjuha te dhëmbi i dhëmbur e i krimbur”, megjithëse ky kapitull për mua e për ju është i mbyllur.

Unë uroj dhe shpresoj që të paktën fëmijët e Sokolit, që janë gjaku i Enverit dhe mbajnë emrin e tij, në t’ardhmen, pas nesh, ata vetë dhe fëmijët e tyre, që do të rriten në një klimë tjetër, ndoshta jo kaq të ngarkuar me konflikte politike, të ndjekin, bashkë me fëmijët tuaj e të Pranverës, në shembullin e tyre konsekuent, rrugën e drejtë në mbrojtje, brez pas brezi, të emrit, rolit e veprës së gjyshit të tyre, Enver Hoxhës.

Po e mbyll këtë letër edhe një herë me urimin: Rrofshi e qofshi të gëzuar bashkë me fëmijët tuaj! Paçi bekimin tim për gjithë jetën!

Ju përqafoj me dashuri mëma juaj, Nexhmije

MË TEPËR

Kioske18 orë më herët

Çfarë fuqie “hyjnore” paska ky Edi Rama!

Opozita thotë se “Edi Rama ka marrë çdo pushtet”. Opozita bërtet se “Rama ka ble ndërkombëtarët”. Opozita justifikohet se “Rama...

Radar18 orë më herët

Epokës së gazit e naftës po i vjen fundi – Olaf Scholz

Mbizotërimi i lëndëve djegëse fosile në prodhimin global të energjisë po i afrohet fundit, ka pohuar kancelari gjerman Olaf Scholz,...

Kryesore18 orë më herët

Sulmi i Ramës ndaj RAI3, Manjani: Ja pse është çakërdisur

Avokati Ylli Manjani deklaron se sulmi i kryeministrit Edi Ramës ndaj emisionit ‘Report’ në RAI3 është një histori e përsëritur,...

Mix18 orë më herët

Sa e bukur është bërë vajza e Catherine Zeta Jones dhe Michael Douglas!

Carys Douglas është rritur tashmë, e është kthyer në një zonjushë mjaft të bukur! Vajza e Catherine Zeta-Jones dhe Michael...

Mix18 orë më herët

Mësueset e Taylor Swift zbulojnë se ç’nxënëse ka qenë ajo!

Dy nga mësueset e shkollës fillore të Taylor Swift kanë treguar se këngëtarja shkruante poezi pa pushim në shkollë. E...

Radar18 orë më herët

Ligji për profesionet e lira, Lapaj: Ka një urrejtje të pa shpjegueshme ndaj shtresës së mesme

Duke komentuar ligjin e ri për profesionet e lira, avokati dhe drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj i ftuar...

Mix18 orë më herët

Autori i “One Day” David Nicholls shkruan historinë britanike që e ka lënë botën zemërthyer

Autori best-seller David Nicholls mendohet nga fansat e tij si një mjeshtër i komedive romantike. Libri i tij i ri...

Mix18 orë më herët

Ben Stiller flet për vazhdimin e “Zoolander”: Ishte dështim

Ben Stiller reflektoi së fundmi për  filmin “Zoolander 2” me David Duchovny në podkastin e Duchovny, “Fail Better“. “Mendova se...

Mix18 orë më herët

Kanye West: Në verë do të hap një studio porn0grafike

Kanye West po flet për hapjen e një studioje “Yezzy P0rn”, tha përfaqësuesi i tij për Page Six të martën....

Mix2 ditë më herët

Edhe Bentley e ndien krizën

Për herë të parë në katër vite, shitjet e makinave Bentley ranë me 11% vitin e kaluar. Shefi ekzekutiv i...

Facebook