Lidhu me ne

Kryesore

Sa vdiqën sot? Opinion nga Albatros Rexhaj

Sa vdiqën sot? Fatkeqësisht, kjo është pyetja më e “popullarizuar” këto ditë.
Në Kosovë, raporti ditor i vdekjeve nga Covid-19 qëndron stabil, 10 deri 20 vdekje në ditë, ndërkaq në Shqipëri po i afrohet numrit 10. Dhe kjo tashmë është bërë diçka e rëndomtë, një pjesë e rregullt e asaj që pritet të ndodhë në çdo ditë të re, një diçka që më nuk e habit askënd. Bashkëjetesa me këtë absurd të vdekjes është standardi i ri i asaj që konsiderohet si diçka krejtësisht normale. Një mori vdekjesh në ditë, ky është normaliteti ynë i ri!

Pandemia e Covid-19 nuk nxori në pah vetëm brishtësinë e sistemit tonë, por edhe thellësinë e regresit tonë intelektual. Edhe pse të pajisur me gjithfarë lloj diplomash, më shumë se kurrë më parë, shqiptarët sot nuk i besojnë më shkencës, por gjithë besimin ia kanë dhënë bllanko disa sharlatanëve të cilët në kërkim të vëmendjes shesin gjithfarë lloj teorie konspirative. Dhe kushdo, qoftë ky edhe njeriu më i informuar në botë, që kundërshton narracionin e këtyre sharlatanëve aty për aty stigmatizohet si njeri i paguar.

Shqiptarët i përthithin kullufu të gjitha sajesat e ditës, sado absurde qofshin ato, sepse këto teori ua ushqejnë kompleksin e inferioritetit, që akoma vazhdon të jetë i rrënjosur thellë brenda shqiptarit. Brenda kësaj bote konspirative, shqiptari nuk ndihet më inferior, por, për një çast, ai është aq i rëndësishëm saqë të jetë subjekt trajtimi nga Bill Gates apo ndonjë faktor tjetër global. Edhe më e dhimbshme është të shohësh ca emra, të cilët, kush më shumë e kush më pak, respektohen nga publiku, që promovojnë teori për çipa imagjinar, kamuflim të shkakut të vërtetë të vdekjeve (sepse sipas tyre shteti ynë i varfër qenka futur në shërbim të qarqeve të errëta që kontrollojnë botën) e deri te relativizimi i kësaj tragjedie që tashmë ka prekur çdo aspekt të jetës sonë, sepse, sipas tyre, grip dhe flamë paska pasur gjithmonë. Me disa prej këtyre “teoricienëve” më kë ndodhur të bashkëbisedoj në mjaft studio televizive, por, përkundër respektit që mund të kem, këto sjellje të tyre nuk kam si t’i cilësoj ndryshe pos si sharlatanizëm morbid!

Kjo histeri kolektive, kjo dalldi e prirjes ndaj mendimit konspirativ, është fryt i kulturës së mosbesimit, që, si normë shoqërore, e kemi ushqyer në tridhjetë vitet e fundit. Sot, me faj ose pa faj të vetin, shqiptari nuk i beson askujt dhe asgjëje. Dhe kur rrënohet besimi në shtyllat e shoqërisë atëherë i hapet rrugë sharlatanizmit që të instalohet si autoritet shoqëror. Pse dhe si, kjo është një temë në vete!
Edhe sikur vërtet të ketë ndonjë konspiracion global në lidhje me Covid-19, ne shqiptarët mund të jemi vetëm spektatorë të kësaj përplasjeje. Dhe madje nga ata që ndeshjen e shohin nga kafeneja e lagjes, sepse, për nga rëndësia që kemi, nuk na lejojnë as që të afrohemi te stadiumi. Me ose pa konspiracion global, të thuash që familjet shqiptare marrin lekë që të deklarojnë vdekje nga Covid, të thuash, mos e merrni vaksinën sepse do të na fusin çipa (d.m.th Edi Rama qenka kolos i përmasave të Trumpit dhe Putinit dhe që më nuk ka nevojë që t’i dirigjoj me ERTV, por me çipa), vetëm e vetëm që të fitosh pak vëmendje dhe disi të vish në shprehje, duhet të jesh tërësisht i pashpresë dhe i zhytur thellë në pellgun e parëndësisë personale, që vetëm të të shkojë mendja të bësh interesantin në kohë fatkeqësish të tilla.

E në ndërkohë, njerëzit vazhdojnë të vdesin dhe kjo vazhdon të mos i bëjë askujt përshtypje. Mjafton që sipas një X teorie këto vdekje e kanë një shpjegim interesant. Është viti 2020, por ne sikur jemi kthyer në kohën kur u besonim sehireve, kur mendonim se sëmundjet shërohen vetëm më lutje hoxhallarësh dhe priftërinjsh dhe kur mjekësia dhe shkenca ishin punë shejtani.

E disa të tjerë, që – vetëm për shkak se këtë verë nuk do të mund të vjelin paratë nga dasmat dhe dallditë e tjera të verës, mohojnë ekzistencën e sëmundjes, relativizojnë vuajtjet dhe vdekjet – nuk mund të cilësohen ndryshe pos si mercenarë të vdekjes, sepse duhet të jesh shumë shpirt i zi që të synosh të përfitosh edhe në këtë situatë. Por ja që shqiptari e bën edhe këtë, pafytyrësisht koketon me fatkeqësinë që na ka kapluar.

Liria e shprehjes ia garanton secilit të drejtën që të flasë çfarë të dojë (unë jam ithtar i palëkundur i kësaj të drejte, në çfarëdo situate apo rrethane), por kjo nuk do të thotë që njeriu nuk duhet të ketë pak ndërgjegje dhe të mos ndiejë sado pak turp.
Pandemia e Covid-19 një ditë do të kalojë, por kjo injorancë, që është shtrirë gjithandej botës shqiptare, kam frikë se nuk do të kalojë për një kohë të gjatë./TiranaPost

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Radar17 orë më herët

Ajri në Tiranë është më shumë helm se oksigjen, duhet të jesh i zhytur në krim që të mos marrësh masa

Nga Ervin Goci Sot, ajri dukshem ne Tirane eshte me shume helm se oksigjen. Sot do duhej qe te mblidheshin...

Kryesore1 ditë më herët

Uria në Gaza, një krim lufte

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, thotë në një intervistë për BBC se Izraeli mban përgjegjësi...

Mix1 ditë më herët

Eskortat e huaja “pushtojnë” Tiranën, Lekatari denoncon rastin në pallatin e saj

Në një kohë kur në Tiranë po diskutohet shumë lidhur me kthimin e kryeqytetit në një “parajsë” të eskortave të...

Letersi2 ditë më herët

‘Marshi i UÇK’-së, interpretim rrëqethës nga Arif Vladi

“Marshi i UÇK” -së është një ndër këngët më të njohura dhe më të dashura të cilën e ka sjell...

Letersi2 ditë më herët

Poezi për atdheun “Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka…”

Poezi nga Andon Zako Qajupi Mëmëdhe quhetë tokaku më ka rënurë koka,ku kam dashur mëm’e atë,ku më njeh dhe gur’...

Mix2 ditë më herët

Cilësia e lëkurës nis nga ushqimi, kjo është dieta kundër plakjes

Pavarësisht cilësisë së një kremi, ndërhyrjeve apo përparimit të teknologjisë për të përmirësuar pamjen e jashtme, ajo çfarë do të...

Mix2 ditë më herët

Pasuria marramendëse e Selena Gomez, nuk do ta besoni sa fiton për një postim në Instagram

Selena Gomez është një ndër këngëtaret më të pasura të momentit. Me një vlerë neto të raportuar prej 800 milionë...

Kioske2 ditë më herët

Kartolinat e paguara nga Tirana

Nga Andi Bushati Sjellja në shqip e një artikulli të përkthyer të revistës lifestyle italiane Vanity Fair, shkaktoi një polemikë të...

Radar2 ditë më herët

“Noc Rroku” strategjik per qytetaret

Klodian Tomorri Qeveria shpalli sot fazen e dyte te tenderin per ndertimin e ujesjellesit Draleos Drimadhes, i cili do te...

Mix2 ditë më herët

Publikohet traileri i pjesës së katërt të “Bad Boys Ride or Die”

Will Smith dhe Martin Lawrence kthehen në rrënjët e tyre në pamjen e parë për pjesën e katërt të ekskluzivitetit ...

Facebook