Lidhu me ne

Kryesore

Rrëfimi i veçantë i Arian Çanit

Nga oborri i shtëpisë greke, tek Përmeti ku mësoi shqipen, biçikletën dhe arratisjet e para. Nga marrëdhëniet e para seksuale mbi krevatin bashkëshortor të prindërve tek martesa njëvjeçare me francezen. Nga Parisi që i mësoi misteret e frëngjishtes, erosin e vërtetë dhe perversitetet, tek Tirana ku fitoi protagonizmin e munguar. Dhe ndodhitë vazhdojnë. I keni pak rreshta më poshtë. Fiks siç i ka rrëfyer Arian Çani.

Kostandina është femra më e bukur që kam njohur, që prej ditës kur linda. Një femër elegante, me gjoks dhe vithe shumë të bukura. Sot nuk e perceptoj dot se si një vajzë 18-vjeçare mund të lindte fëmijë, në një kohë kur, si shumë vajza të tjera të kësaj moshe, duhej të ëndërronte për dashurinë e madhe të jetës së saj. Kur mendoj se kjo 18-vjeçare është mamaja ime, seç me krijohet një ndjesi e çuditshme. Në kohën e adoleshencës, sa herë që e shikoja këtë fotografi, mendoja me vete si nuk është kjo e dashura ime. Do më duheshin 16-17 vjet që ta tradhtoja këtë femër me një tjetër. Në këtë kohë filluan xhelozitë dhe konfliktet e mia të para me time më, ndonëse bëra gjithçka që femra me të cilën e tradhtova të ngjante me të.

Pas një viti kur më lindi, ime më duhet të fillonte studimet e larta për Gjuhë-Letërsi, në Shkodër. Kështu që iu desh të më linte mua tek prindërit e saj, pra tek gjyshe Evdhoksia dhe gjysh Sokrati. Për katër vjet me radhë, ndërsa gjyshja po më bëhej si nënë, pak nga pak do ta harroja Kostandinën, derisa erdhi një moment që as nuk e njihja më. Duke u rritur nga kjo gjyshe greke, unë, deri në moshë 5-vjeçare nuk dija asnjë fjalë shqip, pra mësova vetëm greqishten, ç’ka shpjegon dashurinë time për atë vend e atë gjuhë, të cilën jam munduar ta ruaj deri më sot në nivele modeste.

Kujtoj nga ajo kohë, kur jetoja me Evdhoksinë, shtëpinë e vjetër gjirokastrite, oborrin me limona, pusin e vjetër, uji i të cilit ka qenë pasqyra ime e parë. Kujtoj gjellët e mira që bënte gjyshja ime greke. Më pëlqente kur shikonim kanalet greke me kanoçe apo kur më tregonte histori të së shkuarës, në vend të përrallave që tregojnë zakonisht gjyshet. Më kujtohet zëri i saj i lartë gjatë gjithë kohës, aq sa ajo shtëpi nuk binte kurrë në qetësi.

Shoqja ime e parë në Përmet, që ia kam harruar emrin. Kur ime më mbaroi studimet, tim atë, si ushtarak që ishte, e emëruan në Përmet. Kështu që unë ika nga gjyshërit, për të jetuar tashmë me familjen e bashkuar. Drama ime në këtë qytet ishte se më çuan direkt në kopësht, ndërsa nuk dija asnjë fjalë shqip. Qaja, protestoja… urreva edukatoren, që s’më kuptonte se çfarë i kërkoja. Panë ç’panë, më hoqën nga kopshti dhe më lanë të rrija me fëmijët tek oborri i pallatit. Për punë muajsh fillova të flas shqip normalisht. Nuk kisha ç’të bëja, ishte zgjedhje e detyruar. Atëherë më dukej se, ndërsa po hynte shqipja, po dilte greqishtja nga unë. Kohë më vonë, kur shkova në Greqi, në vitet ’90, konfirmova se në fakt greqishtja kishte mbetur tek unë.

Biçikleta ka qenë pasioni im i parë. Në kohën kur u ktheva përsëri në kopësht, tashmë me shqipen të mësuar, kisha dëshirë të paparë të dilja gjithmonë i pari në garat që bënim me biçikletë. Qaja nëse nuk dilja dot në krye. Si rivalen më të fortë kisha një vajzë bionde, që e pëlqeja shumë, aq sa ia mbaj mend emrin sot e kësaj dite, quhej Helena. Nga kjo kohë kujtoj se nuk ikja në kopësht pa ngrënë më parë një byrek me presh. Kam qenë llupës që atëherë. Por edhe shumë trazovaç. Shkoja gjithmonë tek “Partizani i panjohur” i qytetit dhe hiqja gërmat nga mermeri. Një gjë tjetër që më tundonte e më pëlqente atëherë ishte edhe lumi Vjosa. Doja thjesht të futesha në rrjedhën e lumit dhe të ikja. Kam përshtypjen se nevoja ime për t’u arratisur nga gjërat që më rrethojnë, ka filluar që në atë moshë.

Kur isha paksa më i rritur, nxënës në 8-vjeçare, mezi prisja që të vinte vera e të më çonin në plazh. Zakonisht shkonim në Divjakë. Më pëlqente shumë ai vend, sepse prej babait ushtarak kishim privilegjin të rrinim në ca kabina shumë të mira. në këtë kohë kishah filluar të bëhesha fëmijë paksa problematik. S’doja rregulla, s’doja të mësoja, urreja lëndët ekzakte… edhe sot e kësaj dite po të më pyesësh nuk e di tabelën e shumëzimit. Në atë kohë nevoja për arratisje u bë edhe më dominuese te unë. Ikja nga shtëpia pa i thënë askujt. Gënjeja shoferët e ushtrisë se i kisha marrë leje tim eti dhe ata për hatër të tij, më çonin ku të doja. Arratisja përfundonte zakonisht tek teze Tasha, për një arsye fare të thjeshtë: burri i saj kishte biçikletë. Duke qenë se kur u rrita prindërit nuk ma blenë kurrë një biçikletë, nga frika se mos rrëzohesha, rendja kudo që kishte një biçikletë, që e dëshiroja aq shumë. Ja, pra, kështu isha unë në ato vite. Ndërsa vëllai im, gjashtë vjet më i vogël, Alketi, ishte krejt e kundërta ime. Duke parë si isha unë, ai bënte gjithçka që s’bëja unë.

Në adoleshencë kujtoj se isha më i shtruar, më i qetë. Me hyrjen në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Gjirokastër, filloi epoka e frëngjishtes. Tre ishin pasionet e mia të reja në ato vite: frëngjishtja, basketbolli dhe femrat. Basketbolli ishte një zgjedhje e imja, pasi më pëlqente ky lloj sporti, por që mbeti aty tek vitet e shkollës së mesme. Frëngjishtja, neve që ishim zgjedhur, na bënte të ndiheshim superior ndaj të tjerëve. Ashtu si dhe femrat. Atëherë ishin dy vajza shumë simpatike në shkollë. Njëra nga Saranda, tjetra nga Korça. E para më donte më shumë se kjo e dyta, të cilën në fakt unë e pëlqeja më shumë. Kot nuk thonë të tjera duam, të tjera na duan, të tjera marrim. Gjithsesi, unë u lidha me sarandioten, të cilën e lashë pasi munda të fitoj korçaren. Ishte kjo, koha kur fillova të fus vajza në shtëpi. Gjyshja, ajo që më kishte rritur, e kishte shtëpinë përballë dhe sa herë që më shikonte, më spiunonte tek prindërit. Pra, edhe kur s’jetoja më me të, gjyshja ime greke nuk më është shqitur ndonjëherë nga jeta. Bëhej disa herë shkak për sherret me time më. Kulmi arriti kur ajo kuptoi se kisha cenuar krevatin martesor.

Me nisjen e studimeve për frëngjisht në Fakultetin e Histori-Filologjisë, ose “filoqyli”, siç i thuhet ndryshe, shpëtova, sepse më në fund do të jetoja vetëm. Filloi jeta konviktore, në komunitet, mes femrash të bukura, e mbi të gjitha pa pasur nevojë t’i jepja kujt llogari. Armand Shkullaku ishte shoku im i parë më i mirë që njoha ato kohë.

Kontaktet me pedagogët francezë më bënë të ëndërroja së pari për Francën. Në vitet ’87- ’88- ’89, kur sistemi komunist nuk kishte rënë akoma, unë kisha përsëri dëshirë për arratisje, këtë herë për arratisje të vërtetë. Kështu, Franca u bë ëndrra e bukur, objektivi që më bënte të isha optimist në një kohë të atillë ku në fund të tunelit nuk shihnim asnjë dritë jeshile. Dinim se fati ynë, pas mbarimit të studimeve ishte i paracaktuar: mësues i shkollës së mesme. Unë doja ta sfidoja këtë fat. Ndaj fillova të gjuaja grupet e turistëve që vinin nga Franca. Stacioni im i dytë, pas shkollës, u bë bordura e bulevardit, para Hotel “Dajtit”. E në këtë gjueti të përditshme arrita të kap më në fund një franceze, Catherine, më të renë mes një grupi prej 16 vetësh, por që ishte 6 vjet më e madhe se unë. Dëshira për Francën u materializua tek kjo grua, me të cilën bëra seks për herë të parë tek Hotel Tirana, e me të cilën u martova pasi mora diplomën. U martova gjysmë fshehurazi, sepse më vriste disi opinioni. Por unë doja Francën dhe s’e vrisja mendjen për asgjë tjetër. Ika në fillim të vitit 1991. Jetova më pak se një vit me Catherinën e më pas u ndamë.

Parisi për mua është gjithçka. Nuk do të isha kurrsesi ky që jam sot, nëse s’do kisha ikur si njeri në Paris. Bëra gjithçka që të ikja në kushte normale. Si emigrant, ju siguroj se s’do isha arratisur kurrë. Për katër vjet që jetova në Paris bëra punë të zakonshme, u shoqërova me gjithëkënd sepse doja të mësoja misteret e gjuhës franceze, që në 8 vjetët e shkollës nuk kishin mundur kurrsesi të m’i mësonin.

Kuptova se atje, në Paris, rashë brenda me frëngjishten. Atje u ndjeva brenda kësaj gjuhe rehat fare, si të isha në shtëpinë time. Mësova komunikimin, mënyrën e të menduarit, jetuarit, sjellurit, në atë qytet të madh, me atë gjuhë të madhe.

Biçikleta ishte mjeti im i punës kur punoja anës Senës në Bateaux-Mouches

Atëherë s’kisha ambicie më të madhe se kjo. I thosha vetes: kjo është ajo që do. E mbi të gjitha, krijova kontaktet e para me botën mediatike. Kreva kurset e para në “Liberation”, me Marc Semo, një lloj interesi ky për gazetarinë, që më kishte ngacmuar që ende pa shkuar në Paris, kur u shoqërova në Tiranë me një grup gazetarësh francezë, që kishin ardhur për zhvillimit e viteve ’90 në Shqipëri.

Në fund të vitit 1994 vendosa të kthehem në Tiranë. Parisi ma dha gjithçka që mund të më jepte. S’do të rrija më anonim. Protagonimi i munguar më shtyu të kthehem. Miku im, Armand Shkullaku, ishte në atë kohë zv.kryeredaktor tek “Koha Jonë” dhe më ofroi punë në atë gazetë. Parisi, që më mësoi erosin e vërtetë, perversitetin, televizionin, gazetën, komunikimin, si të sillem përballë një femre… më mësoi edhe se, që të rikthehesha sërish në këtë qytet, duhet më parë të realizohesha në vendin tim. Dhe unë këtë bëra. U realizova tek “Koha Jonë”, “Klani i natës”, “Gazeta Shqiptare”, “Zonë e lirë”. Sot kam vetëm një keqardhje të madhe. Tani që mund ta kem atë biçikletën, aq shumë të dëshiruar kur isha i vogël, s’kam rrugë ku mund të eci. Dikur, kur s’kisha biçikletë, kisha qytet. Tani kam biçikletë por s’kam qytet.

(Nga Zefina Hasani. Ky shkrim vjen si ribotim. Marrë nga revista Madame, qershor, 2011)-GSH.al

 

 

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore1 muaj më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar1 muaj më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar1 muaj më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal1 muaj më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar3 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix3 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix3 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook