Kryesore
Teoria e Ngjelës për rusët dhe një investigim i “The Guardian”
Avokat Spartak Ngjela ka teoritë e tij, të cilat ngjallin jo pak debate në rrjetet sociale.
Kështu, së fundmi ai shkruan se këto votime nuk duhen marrë shumë seriozisht.
“Po të ecë drejt Reforma në Drejtësi, këto zgjedhje nuk mund të lindin dot pushtet. Ky është një mendim i saktë racional,” shkruan Ngjela.
Megjithatë deklarata e tij, që ka ngjallur më shumë debat, ka lidhje me një teori, sipas të cilës rusët tentuan të destabilizojnë Shqipërinë, duke përdorur protestën e opozitës.
“’Heronjtë e Çadrës’ kërkuan destabilizimin e Shqipërisë me të huajt: mbi 400 oficerë rusë ishin futur në Shqipëri nga rrugë të ndryshme, dhe kërkonin që, me Çadrën, të krijonin në Tiranë reaksionin që kërkuan të krijonin në Shkup,” shkruan Ngjela.
Po sa e vërtetë është kjo?
Duket shumë e vështirë të provosh diçka të tillë, por ka pasur disa media të huaja që kanë shkruar se kauza e opozitës shqiptare dashje pa dashje po bashkohet me kauzën e Nikolla Gruevskit në Maqedoni.
Një shkrim që ka bërë shumë bujë orët e fundit, dhe është ndër më të lexuarit e gazetës prestigjioze britanike “The Guardian”, theksohet se Rusia në mënyrë aktive është përpjekur të krijojë destabilitet në Maqedoni.
Dokumentet e inteligjencës, të siguruara nga “The Guardian”, sugjerojnë se Rusia është përpjekur në mënyrë aktive për të krijuar mosmarrëveshje në Maqedoni që nga viti 2008.
Në dokumentet e rrjedhura në media thuhet se qëllimi i Kremlinit është që të ndalojë vendet e Ballkanit t’i bashkohen NATO-s.
Jo vetëm kaq, por në dokumente theksohet se agjentët e shumtë të Rusisë në terren në Ballkan, po tentojnë ta mbajnë këtë rajon larg ndikimit perëndimor.





Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu