Shqipëria ka famën se është vendi i “Atletit të Krishtërimit”, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, por në arkivat e saj nuk ka asnjë relike origjinale të tij. Përkrenarja dhe armët ndodhen në Vjenë, një vulë që mendohet se është e tij, gjendet në Danimarkë, ndërsa në Krujë dhe në Tiranë pak gjëra, më shumë imitime. Por cila është historia e relikeve të Heroit Kombëtar, si përfunduan ato në Vjenë gati 300 vjet më parë. Një histori që zgjatet prej pesë shekujsh dhe që debatet për të nuk mungojnë edhe sot. Historinë e rrugëtimit të relikeve e ka zbuluar 72 vjet më parë, Leo Alexander Freundilich, një austriak i apasionuar pas historisë së Shqipërisë. Por më shumë se relike tashmë ato janë pjesë e identitetit kombëtar. Përkrenarja me kokën e dhisë që mbante Skënderbeu është një simbol i huazuar nga legjendat e Pirros së Epirit dhe Aleksandërit të Madh. Ajo është me metal të bardhë dhe me një rrip (ruban) të larë me ar. Ndërsa sipas historianëve Skënderbeu ka përdorur dy shpata. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg. E dyta është model turk, është 121 cm dhe peshon 3.2 kg. Kjo e fundit gjendet së bashku me përkrenaren në muzeun e Historisë në Vjenë.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu