Kryesore
Matura 2018, datat e plotësimit të formularit A1 dhe A1Z për çdo qytet
Matura Shtetërore 2018 nis zyrtarisht në datën 26 mars.Podiumi.com shkruan se maturantët e kryeqytetit do të jenë të parët që do të nisin aplikimin online për plotësimin e formularit A1, i cili i hap udhë garës së provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje.
Notat kaluese të këtyre provimeve janë vendimtare për të gjithë kandidatët që duan të vijojnë më tej garën për studimet e larta në një nga universitetet publike, apo private të vendit. Rregullorja e maturës së këtij viti, përcakton se: “Për të qenë kalues në këto provime, çdo maturant duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet testi i secilës lëndë të detyruar apo me zgjedhje”.
Afatet e plotësimit të formularit A1
Formulari A1 mund të plotësohet online në portalin Matura Shtetërore vetëm nga maturantët e vitit shkollor 2017-2018. Çka do të thotë se të gjithë nxënësit që janë duke mbaruar studimet e shkollës së mesme, duhet që të plotësojnë këtë formular, ku do tw regjistrojnë dy provimet me zgjedhje që do të japin, krahas tre provimeve të detyruara, të cilat janë tashmë të përcaktuara nga MASR.
Autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit (QSHA) bëjnë me dije se plotësimi i këtij formulari do të bëhet në shkollën ku maturanti vazhdon procesin mësimor. Për të shmangur gabimet, apo pasaktësitë gjatë fazës së aplikimit, procesi i plotësimit do të ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës që quhet “mbikëqyrës”.
Sipas kalendarit të miratuar nga QSHA, maturantët e Tiranës qytet dhe qark do të kryejnë aplikimin online në datat 26, 27 dhe 28 mars. Ndërsa më pas do të nisë plotësimi i formularit A1 nga maturantët qarkut të Elbasanit, Fierit, Beratit, Shkodrës, Dibrës, Kukësit dhe Vlorës, sipas kalendarit të detajuar në vijim të shkrimit.
Afatet e plotësimit të formularit A1Z
Formulari A1Z duhet të plotësohet nga kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2018 dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës, pasi kanë rezultuar mbetës në maturat e shkuara.
Këtë formular duhet ta plotësojnë edhe të gjithë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2018 dhe që nuk kanë detyrime të Maturës Shtetërore për të shlyer, por që duan të vijojnë studimet e larta në një nga universitetet publike, apo private të vendit, përgjatë pranimeve të vitit të ri akademik 2018-2019.
Po ashtu, këtë formular duhet ta plotësojnë edhe kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, dhe pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës, rezultojnë se kanë, ose nuk kanë detyrime të Maturës Shtetërore.
Sipas kushteve të përcaktuara, plotësimi online i formularit A1Z bëhet në shkollat ku kandidatët kanë kryer arsimin e mesëm të lartë, ose në shkollën e përcaktuar nga Komisioni i Maturës Shtetërore, i vendbanimit, nëse shkolla e mesme që maturanti ka kryer në të shkuarën është mbyllur.
Për të plotësuar formularin A1Z kandidatët duhet të paraqesin tek mbikëqyrësi me një kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë, vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, me fotografi, si dhe certifikatën e maturës me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës, sipas regjistrit të amzës apo dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit.
Plotësimi i këtij formulari do të nisë zyrtarisht në datën 12 prill sipas kalendarit të miratuar nga QSHA, të cilin e gjeni të detajuar në vijim.



Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu