Ministra, deputetë, këngëtarë, artistë, biznesmenë e qindra qytetarë trokasin në derën e saj për ta shikuar filxhanin e kafesë. Gruaja që pretendon se parashikon saktë të ardhmen e “hallexhinjve”, të cilët kërkojnë të dinë fatin e tyre, ndodhet në qendër të Prishtinës. Shikimi i filxhanit është një procedurë që zgjat deri në 30 minuta dhe kushton 10 euro. Mirëpo, gjatë seancës çmimi edhe mund të rritet, varësisht nga vendi ku jeton klienti. Në kushte anonimiteti njëra prej fallxhoreve në Prishtinë, (emër i njohur për redaksinë), ka rrëfyer për Gazetën Express se me këtë zanat merret qe 20 vjet dhe sipas saj deri më tani askush nuk është ndarë i pakënaqur me punën që ka bërë. Thotë se ka shpëtuar disa njerëz prej vetëvrasjes, ka ndihmuar personat të arrijnë suksese në biznes, ka zbuluar sëmundjet e njerëzve, ka bashkuar çiftet dhe shumë të tjerë i ka larguar nga rrugët e këqija, si droga e prostitucioni.
“Kam 20 vite që merrem me këtë zanat. E kam parë në ëndërr. Në fillim s’mund të pranoja për shkak të familjes. Pas luftës, dmth kam 20 vite që merrem me këtë punë”, rrëfen kjo grua e moshës së mesme, që falë kësaj pune ka të ardhura të mira dhe bën jetë shumë luksoze. Ajo tregon se ka klientë të panumërt, në mesin e tyre edhe fytyra të njohura publike, por këta të fundit maskohen me kapela për të mos u vërejtur nga publiku. Në përgjithësi njerëzit që kërkojnë ndihmën e saj ankohen për tradhti në çift, mosarritje në karrierë, sëmundje, depresion, droga, marrje me prostitucion etj. “Unë kam shumë klientë me numra nuk mundem t’i them. Kam prej Prishtinës, Kosovës, Zvicrës, Gjermanisë, Anglisë, Amerikës, Islandë e gjithandej. Me ata që jetojnë jashtë Kosovës kontaktoj me Viber dhe kur vijnë me pushime, siç është sezoni tani”, thotë kjo fallxhore.


Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu