Kryeministri Edi Rama premtoi rritjen e shpërblimit për fëmijët që do lindin pas 1 janarit të vitit të ardhshëm. Buxheti i shtetit do të akordojë rreth 2 milionë euro në vit vetëm për të gjithë bebet e lindura. Pritet rritja e pagave për disa kategori të punonjësve shtetërorë. Nisma e qeverisë dhe “hedhja e lekut” shënon nisjen e fushatës së socialistëve për zgjedhjet lokale.
Kryeministri Edi Rama nis fushatën elektorale, duke dhënë dy “lajme të mira” për qytetarët dhe sidomos për çiftet që presin të bëhen me fëmijë. Gjatë ditës së djeshme kreu i qeverisë në një konferencë shtypi lajmëroi rritjen e pagave për mësuesit, punonjësit e shëndetësisë dhe ushtarakët dhe njëkohësisht edhe rritjen e shpërblimit për lindjen e bebeve nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe në vijim. Qeveria lançoi këtë nismë si një politikë të re sociale që do të nxisë rritjen e popullsisë, duke shpërndarë nga janari 2019 një bonus prej 400 mijë lekësh për fëmijën e parë, 800 mijë lekësh për fëmijën e dytë dhe 1 200 000 mijë lekësh për fëmijën e tretë të lindur në çdo familje. “Në vitet 2000 pata lançuar si kryetar i bashkisë së Tiranës çekun e bebes 50 mijë lekë të vjetra, i cili u prit shumë mirë aso kohe, por mbeti aq sa ishte për shumë vite dhe u kthye në një problem dhe në malin e borxheve të trashëguara nga qeverisja e mëparshme”-tha Rama, ndërsa shtoi se kjo nismë do hyjë në fuqi nga 1 janari dhe në vijim. Në bazë të të dhënave të paraqitura nga INSTAT, vitin e kaluar pati 30689 lindje dhe në përllogaritje mesatare qeveria do të shpenzojë rreth 2 milionë euro në vit, për bonuset e fëmijëve që lindin. Deri më tani për çdo bebe të ardhur në jetë akordoheshin 5 mijë lekë të rinj dhe kjo shumë merrej pas një kohe të gjatë. Përveç rritjes me disafish të shpërblimit kreu i qeverisë Rama u shpreh se çifteve që lindin fëmijë do u lehtësohet edhe procedura e regjistrimit të fëmijëve, pasi ky proces do të kryhet që në maternitet, pa patur nevojën që të shkojnë në zyrat e gjendjes civile. Kryeministri premtoi gjithashtu se qeveria do nisë një program financimi për të gjitha maternitetet në vend, për t’i kthyer ato në shtëpi lindjeje të transformuara dhe me kushte bashkëkohore.


Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu