Duhet të kishte ndodhur shumë më herët. Dhe në fakt u provua të fillohej me betejën e parë kundër lojrave të fatit që në fillim të mandatit të parë qeverisës të kësaj mazhorance. Por atij operacioni nuk i eci fati. Ndoshta pikërisht sepse nisi menjëherë, pa dhënë afate të arsyeshme, me shumë bujë e poza mediatike dhe pak efekt në terren. Dhe, ose më saktë pikërisht sepse “lojtarët” përballë nuk ishin qiraxhinj kafenesh që nuk ngrenë dot zërin po ua prishe një strehëz pa leje që del pak më tej, por faktorë financiarë (e jorrallëherë dhe kriminalë) që reagojnë. Në të gjitha mënyrat.
Ajo që është e rëndësishme këtej e tutje, është që për çuarjen deri në fund të zbatimit të ligjit të rregulluar për Lojrat e Fatit të mos ketë në hezitim. Të mos ketë shtyrje të tjera nga ndonjë “kërkesë e përbashkët prej disa deputetësh”. Dhe kjo situatë që kjo qeveri padyshim e trashëgoi nga mjeshtri i të ligës në këtë vend, por edhe që iu desh jo pak kohë për ta njohur në terren dhe shpesh, edhe për ta toleruar, të marrë më në fund, një fund final.
Nëse kjo pra, arrin të realizohet, kjo qeveri duhet përgëzuar. Gangrena e kumarit është komentuar dhe analizuar gjatë, pasojat e tij sidomos për shoqëri e vende si Shqipëria, i ka parë sekush prej nesh në vetë të parë. Nëse dukuria e kafeneve si etalon i dembelisë, apo i mungesës së vizionit në biznes, ishte tipari kryesor shqiptar që binte në sy për një huaj, e vetmja hordhi që nisi vitet e fundit të “kafshojë” kafenetë ishin lokalet e kumarit, skedinave, basteve. I vetmi “lëshim” që bënte kumari, ishte të bashkëjetonte me kafenë. Pra që fatkeqëve që linin rrogën e muajit për pesë minuta, t’u ofronin falas kafenë e hidhërimit.
Lloto çdo dhjetë metra, lloto ngjitur me shkollat, në rrugë kryesore e rrugica qorre, në qendër dhe periferi, në qytete, qyteza e fshatra. Fëmijë shkolle që diskutojnë sesi humbën skedinën për një ndeshje. Kryefamiljarë që gdhihen e ngrysen në pika bastesh. Një epidemi e ndyrë që aspak për çudi, u fuqizua dhe u shndërrua në faktor financiar, e deri elektoral e politik, nën udhëheqjen e dytë të fatkeqësisë më të madhe kombëtare të 3 dekadave të fundit, Sali Berishës. I cili atë që ua bëri vetë shqiptarëve në qeverisjen e parë, me masakra dhe xhahilllëk, ua ofroi pasardhësve të tij ta bënin në qeverisjen e tij, me marifete, mashtrime dhe hajdutëri disi më të elaboruara. Më “paqësore”, shumë më “kapitaliste”, por njësoj vrastare. Sepse varësinë ndaj kumarit dhe ushqimin e psikologjisë njerëzore me shpresën e rreme të fitimit të shpejtë në pesë minuta, e toleron dhe mbështet, ose e lufton dhe asfikson qeveria, shteti. Pastaj secili bën zgjedhjen e vet, por ama jo duke i dalë përpara tabela e bastit dhe zllot mashinës që sa del nga dera e shtëpisë në mëngjes.
Nga far west-i i firmave piramidale dhe kioskave, te kaosi i organizuar i shitjes së aseteve të ushtrisë, pronave shtetërore, lulëzimi i shkollave private; epokat vërtet ndryshuan, edhe mjetet dhe natyrave e skemave, por jo qëllimi: Grabit, shtrydh, përvetëso. Kjo “miracle of freedom” berishiane të paktën për lojrat e fatit duhet të marrë fund këtë herë.
Liçensim sipas ligjit, taksim i rregullt për të gjithë, fizikisht larg qendrave të banuara dhe kush të dojë, apo ka para tepër, le t’i hypë makinës e të shkojë të provojë fatin. Ajo që ka rëndësi për qytetarin e thjeshtë, është që këtë herë qeveria mos t’ja lërë fatit këtë çështje.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu