Prof. Fatos Tarifa
Në emisionin e djeshëm “Wake Up”, në Top Channel, u diskutua mbi një çështje të vjetër, që serviret sot si e re: t’u njihet e drejta e votimit në zgjedhjet legjislative të këtij vendi adoleshentëve 16 dhe 17 vjeçarë. Një politikan i marrë, me emrin Sali, e hodhi disa vite më parë këtë gur në lumë dhe sot, disa dhjetëra të marrë të tjerë, që mohojnë çdo lidhje gjenealogjie me të marrin e parë, përpiqen ta nxjerrin atë gur nga lumi e ta bëjnë subjekt të një peticioni, me të cilin kanë dy-tri ditë që bredhin anë më anë.
Kërkesa e tyre: T’u njohim të rejave e të rinjve shqiptare 16 dhe 17 vjeçarë të drejtën e votimit, të drejtën e votimit, që do të thotë, jo vetëm të drejtën që ata të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në organin më të lartë legjislativ të vendit, por edhe të zgjidhen në të.
Përpiquni për një çast të përfytyroni parlamentin e këtij vendi me anëtarë 16 ose 17 vjeçarë, të cilët përfaqësojnë interesat e këtij populli, propozojnë dhe miratojnë ligjet që drejtojnë çdo aspekt të jetës ekonomike, politike e shoqërore të këtij vendi dhe, bashkë me to, vendosin fatet tona individuale dhe fatin e të gjithëve ne, si shoqëri! E bëni dot?
“Shoqëria civile” shqiptare
Në emisionin “Wake Up” në Top Channel dje ishte ftuar z. Altin Hazizaj, për të shpjeguar rëndësinë e kësaj nisme të “shoqërisë civile”. Ah, kjo shoqëria civile! Sa gjëra thuhen e bëhen në emër të saj! Me rreth mbi një mijë organizata e shoqata joqeveritare, që kanë mbirë si kërpudha pas shiut në këta 27 vitet e fundit në sferën publike të këtij vendi (ajo që, zakonisht, quhet shoqëri civile), Shqipëria do të duhej të ishte vendi më i civilizuar në planet. Nuk ka vend tjetër në botë që të ketë më shumë OJQ-ra për frymë popullsie sesa vendi ynë. Këtu, kushdo që s’di ç’të bëjë, s’ka një punë dhe, pra, s’ka me se të merret, krijon një OJQ, bëhet, pra, “aktivist i shoqërisë civile”, në kërkim të fondeve financiare këtej dhe andej kufijve tanë shtetërorë.“Aktivistë” të tillë i sheh kudo ku lëviz “shoqëria civile”, kudo ku mund të kundërshtohet ose të mbështet një qeveri e caktuar (nga shoqata joqeveritare), kudo ku diskutohen e debatohen çështje politike, ekonomike, por, sidomos, çështje sociale. Dhe na thuhet: Kjo është një kërkesë e shoqërisë civile!
E “shoqërisë civile” duket se është këtë herë edhe kërkesa që, përmes një peticioni që “shoqëria civile” e qarkullon mes anëtarëve të saj, të marrë udhë një iniciativë legjislative për ta ulur moshën minimale që u jep shqiptarëve të drejtën të zgjedhin e të zgjidhen në organet e pushtetit legjislativ qendror, ose në organet e pushtetit lokal. Dhe publikut i thuhet, siç bëri z. Hazizaj në emisionin e djeshëm në Top Channel, se kjo është diçka që ai vetë (dhe ata që i shkojnë pas) duan vetëm “ta testojnë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm”! Ta testojnë!! Sikur të bëhej fjalë për të testuar cilësinë e një produkti industrial për të parë nëse ai pëlqehet nga konsumatorët potencialë. Nuk e dinë vallë z. Hazizaj & Co. se e drejta për të votuar (pra edhe mosha kur qytetarëve të një vendi u njihet kjo e drejtë) është një e drejtë kushtetuese themelore dhe mund të përcaktohet vetëm me kushtetutën e atij vendi?! Kjo është pikëpyetja e parë e madhe që kam lidhur me propozimin në fjalë.
Por, çështja është shumë më e komplikuar se kaq. Unë e ndoqa live dje, në radio “Top Albania”, emisionin “Ëake Up” dhe u ndjeva i nderuar që gazetarët e talentuar që drejtojnë atë emision më telefonuan për të marrë mendimin tim, si sociolog, për këtë çështje, ndërkohë që në studio kishin “përfaqësuesin” e shoqërisë civile, z. Hazizaj. E kundërshtova idenë dhe nismën e tij dhe dëshiroj t’ia bëj të njohura publikut të gjerë arsyet pse e konsideroj të parakohshme dhe, ndoshta, të papjekur idenë për t’u njohur adoleshentëve 16-17 vjeçarë të drejtën e votës.
Pyetja e parë
Pyetja e parë që mund të bënim është, pse 16 dhe 17 vjeçarëve? Pse jo vetëm 17 vjeçarëve, ose pse jo edhe 15 vjeçarëve? Dikush mund të përgjigjej se ka edhe vende të tjerë që i lejojnë adoleshentët e kësaj moshe (16-17 vjeçarë) të votojnë. Por ky nuk është argument, ose është një argument shumë i dobët. Nëse interesoheni të mësoni se cilët janë këta vende, do të vini re se, përveç Austrisë (i pari dhe i vetmi vend i BE-së deri më sot), asnjë vend tjetër ndër ata pak vende që moshën minimale të së drejtës për të votuar e kanë 17 vjeç,nuk bëjnë pjesë në familjen e vendeve europiane,së cilës duam t’ibashkohet Shqipëria jonë. Ata vende janë Argjentina, Brazili, Kuba, Ekuadori, Nikaragua (të gjithë në Amerikën Latine), si dhe tre territore nën sundimin e Kurorës Britanike, të njohur si: the Isle of Man, Jersey, dhe Guernsey!!! Të jenë vallë këta vende ata që i kanë inspiruar z. Hazizaj dhe pasuesit e tij në misionin e tyre?
Vendet më demokratike të globit—Finlanda, Norvegjia, Danimarka, Suedia, Hollanda, Islanda, Zvicra, Japonia, Gjermania, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara—dhe të gjithë vendet e tjerë të Bashkimit Europian ua njohin qytetarëve të tyre të drejtën të votojnë në zgjedhjet legjislative (të zgjedhin e të zgjidhen) pasi të kenë mbushur moshën 18 vjeç. Ç’llogjikë i shtyn dhe ç’pasion i frymëzon Hazizët e “shoqërisë civile” të këtij vend të kërkojnë uljen e kësaj moshe me dy vite, siç dëshironte, para tyre, edhe Sali Berisha, në një përpjekje të dështuar për të qëndruar edhe më gjatë në pushtet?
“Darvinizëm politik”?
Z. Hazizaj u shpreh në atë emision se kërkesa e tij dhe e ideatorëve të “peticionit” në fjalë mbështetet në dëshirën e mirë që adoleshentët shqiptarë 16-17 vjeçarë “të angazhohen më aktivisht në politikë”! Kjo qenka vallë mungesa më e madhe e demokracisë shqiptare! Shtojuni radhëve të votuesve shqiptarë edhe 100 ose 200 mijë adoleshentë (nëse do të votonin të gjithë ata që i përkasin kësaj grupmoshe) dhe do të shihni një transfuzion të gjakut në arteriet e shoqërisë politike shqiptare dhe një demokraci më të shëndetshme! Kaq thjeshtë! Një farë “darvinizmi politik”, që unë do ta quaja, në fakt, “pedofilizëm politik”.
Dikush mund të thotë se, në atë moshë, pra kur janë 16 ose 17 vjeç, të rejat dhe të rinjtë janë mjaftueshmërisht të pjekur e të përgjegjshëm për të bërë zgjedhjen e tyre se nga cilët njerëz duhet të përfaqësohen ata në parlamentin e vendit. Nëse është vërtet kështu, atyre u duhet njohur me kushtetutë e drejta për të marrë pjesë në votime, pra edhe për t’u zgjedhur. Nëse kjo e drejtë nuk u njihet, a duhet të konsiderohej ky fakt si një diskriminim i kësaj kategorie për shkak të moshës? Unë vendosmërisht them se jo. Përndryshe, demokracitë më të konsoliduara të botës do të duhej të kritikoheshin edhe më ashpër për shkeljen e te drejtave politike të qytetarëve të tyre 16-17 vjeçarë, të cilët nuk i lejojnë të votojnë pa mbushur 18 vjeç. Dhe të mos harrojmë se sa kohë e gjatë – dhjetëra, madje edhe qindra vite – u është dashur vendeve të tillë që të bëhen demokracitë që janë sot. Por aktivistët shqiptarë të “shoqërisë civile” duket se dëshirojnë të shkojnë një hap më tej demokracive perëndimore!
Nëse ka një kategori shoqërore te ne, e cila mund të ndihet e diskriminuar dhe që mund të ndihmohet nga ligjet e këtij shteti që të jetojë më denjësisht, kjo kategori janë veteranët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ata pak veteranë që kanë mbetur ende gjallë. Shihni se me sa respekt dhe në ç’mënyrë dinjitoze vlerësohen e trajtohen ata në vendet demokratike që u vunë në ballë të luftës kundër fashizmit. Shihni se ç’rëndësi u kushtohet në Shtetet e Bashkuara veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, ose veteranëve të luftrave si ajo në Kore, në Vietnam, në Afganistan apo në Irak.
Të pjekur apo të papjekur? Kjo është çështja!
Z. Hazizaj u përpoq dje ta argumentonte qëndrimin e tij duke thënë se ai punon çdo ditë me vajza dhe djem të këtyre moshave (16-17 vjeçarë). Unë nuk e di se ç’punë bën ai me ta, por di të them se të rinjtë (për të mos i quajtur ata fëmijë) e kësaj grup moshe janë ende të paformuarsa duhet për të qenë shtetas të informuar dhe pjesëmarës aktivë në procesin politik të vendit. Natyrisht, ata janë shumë më të informuar sesa prindërit e tyre për shumë gjëra, siç pohon edhe z. Hazizaj, por informacioni i tyre, që ata e marrin gjithnjë e më shumë nga Interneti dhe jo nga librat dhe programet e shkollës, është kryesisht për trendet e fundit në muzikë dhe në modë, për modelin më të ri të iPhone, ose për garat me makina. Jo për institucionet politike të shoqërisë dhe për proceset politike që e vënë dhe e mbajnë në lëvizje makinën shtetërore.
Nga përvoja ime pedagogjike, sociologjike dhe jetësore, kam konstatuar se dallimet mes grupmoshave të reja vijnë duke u thelluar përherë e më shumë. Këtë përshtypje personalee kanë përforcuar tek unë edhe shumë nga studentët dhe miqtë e mi. Unë kam vënë re (si dhe shumë të tjerë, ndoshta dhe shumë nga ju, lexues të nderuar), se një 16 vjeçar dallon më shumë nga një 18-vjeçar, se sa dallon një 20 vjeçar nga një 25 vjeçar, dhe akoma më shumë nga sa dallon një 28 vjeçar nga një 38 vjeçar. Nëse një të riu 18 vjeçar mund t’i besohet të marrë pjesë në zgjedhje, për një 16 vjeçar do të ishte shumë herët. Shumë prej të rinjve në këtë moshë nuk kanë marrë ende njohuritë bazë të edukatës e të higjenës seksuale, për të mos thënë se atyre u flitet shumë pak në shkollë për edukatën civike dhe për politikën.
Z. Hazizaj u shpreh, në emisionin e djeshëm, se ne s’duhet të na preokupojë shqetësimi se të rinjtë 16-17 vjeçarë mund të manipulohen e të indoktrinohen nëse u njohim atyre të drejtën për të marrë pjesë në votime. Ky është, në fakt, një rrezik real, jo thjesht hipotetik.Të rinjtë në këtëmoshë janë shumë më vulnerabël për t’u indoktrinuar dhe regjimentuar politikisht sesa në mosha më të rritura.Shihni si “organizohen” dhe demonstrojnë “solidaritetin” e tyre turmat e tifozëve të futbollit në Tiranë, me slogane idiote dhe me fjalorin më vulgar.Ata i përkasin, kryesisht, kësaj grupmoshe. Ata janë lehtësisht të manipulueshëm nga politikanë demagogë dhe mund të nxirren lehtësisht në rrugë të protestojnë për “votën e vjedhur”, nëse partia “e tyre”, apo baronët e saj, i humbasin zgjedhjet.
Ne votojmë me këmbë, jo me kokë
Ajo çfarë është më e rëndësishme në tërë këtë histori është se ulja e moshës minimale për të votuar shihet si një qëllim në vetvete dhe, për më tepër, i shitet publikut si një mënyrë për të përmirësuar me “gjak të ri” shëndetin e demokracisë shqiptare. Kjo, në vetvete, është një demagogji e llojit më të keq.Problemi me demokracinë shqiptare nuk është se nuk votojnë 16 dhe 17 vjeçarët e këtij vendi. Problemet e demokracisë sonë janë endemike; në radhë të parë, ato janë probleme të vetë sistemit tonë zgjedhor. Si të tilla, ato nuk mund të zgjidhen thjesht nëse në qendrat e votimit shkojnë, një herë në katër vite, disa dhjetëra mijë adoleshentë më shumë.
Çfarë dinë vajzat dhe djemtë e kësaj grupmoshe për procesin politik, për partitë politike, për kredot dhe programet e tyre dhe, sidomos, për kandidatët që këto parti nominojnë në listat e tyre elektorale? Ç’kuptim bëjnë për ta në politikë “e majta”, e “djathta”, “qendra”, “qendra e së majtës” apo “qendra e së djathtës”, ose, edhe më keq, “a majta e qendrës”, apo “e djathta e qendrës”. Përcaktime të tilla zor se i kuptojnë edhe vetë drejtuesit e partive politike dhe parlamentarët tanë.
Sa dhe çfarë dinë të rinjtë 16 dhe 17 vjeçarë, madje të gjithë ne, zgjedhësit e këtij vendi, për kandidatët e listave të partive politike, për të cilët votojmë një here në katër vite? Shumë pak, nëse jo aspak. Shumicën prej tyre nuk i njohim as për emër, as për fytyrë, për të mos thënë se nuk dimë asgjë se çfarë ata përfaqësojnë në të vërtetë, se sa i kuptojnë dhe si mund t’i zgjidhin problemet e mëdha shoqërore të këtij vendi dhe se si kanë mundur ata të përfshihen në listat zgjedhore.
Boll kemi menduar deri më sot se qytetarët shqiptarë e ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre kushtetuese për t’u zgjedhur ose për tëzgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë në organin më të lartë legjislativ të vendit. Përveç nja 280 ose 300 individëve, të gjithë të tjerët nuk kanë realishtasnjë shans të zgjidhen në Parlament. Në atë parlament, që konsiderohet se është i popullit, ulen 140 vetë që nuk zgjidhen nga asnjëri prej nesh, qytetarëve të kësaj republike parlamentare. Ata janë zgjedhja personale e tre individëve, tre burrave që drejtojnë tri partitë kryesore të vendit. Nëse të duan ata (për çfarëdo lloj arsyeje), ti përfshihesh në listën e kandidatëve të Partisë, në krye ose në fund të listës, edhe pse askush nga qytetarët që votojë për ty nuk të njeh se cila, ose cili je. Ky sistem nuk është një demokraci përfaqësuese, por një partitokraci, një demokraci e pakicës, jo e shumicës, një demokraci elektorale, jo një demokraci efektive, pra jo një demokraci e vërtetë.
Në kushte të tilla, është e drejtë të thuhet se ne votojmë me këmbë, jo me kokë. Një herë në katër vite në shkojmë (me këmbë) në qendrat e votimit, por nuk votojmë me kokën tonë, edhe pse, ndër shumë emra të listës së votimit zgjedhim atë (më së shumti të panjohurin) që përfaqëson Partinë që kemi më shumë “për zemër”, shumë here edhe këtë pa e ditur pse. Këtë kërkojnë vallë aktivistët e lëvizjes PZA—Pro Zgjedhësve Adoleshentë (akronimi është imi) dhe ata që po bredhin këto ditë me një peticion në dorë?
Duke e zgjeruar “bazën sociale” të elektoratit shqiptar me disa dhjetëra mijëra adoleshentë 16-17 vjeçarë nuk mund të mendohet—dhe as të pritet—se do ta bëjmë më të mirë demokracinë tonë!
All Politics is Local
Por, ndoshta, diçka mund të ndryshojë.Edhe këtu kam të njëjtat objeksione e rezerva si ato që shpreha më sipër.Sidoqoftë, mendoj se një erë e re ka filluar të fryjë këto vitet e fundit, sidomos me zgjedhjet e fundit lokale në Tiranë, dhe unë besoj se kjo erë do të përhapet edhe në pjesë të tjera të vendit. Qytetarët tanë—dhe gjithnjë e më shumë të rinjtë dhe adoleshentët e moshave për të cilët shkruaj—kanë filluar t’i ndiejnë gjithnjë e më mirë pasojat e zgjedhjeve që bëjnë kur vendosin se për cilin kandidat të votojnë si kryetar i Bashkisë së tyre, apo si anëtar i Këshillit Bashkiak.
Politika lokale, ajo që ka të bëjë me qytetin ose me komunitetin tënd, me rrugën para pallatit apo shtëpisë tënde, me trotuarët anash saj, me korsitë e biçikletave, trafikun e automjeteve dhe parkimin e tyre, me shkollat ku gjimnazistët 16-17 vjeçarë studiojnë çdo ditë, me çerdhet dhe kopshtet ku motrat dhe vëllezërit e tyre më të vegjël shkojnë çdo ditë, me parqet dhe këndet e lodrave ku ata pushojnë e argëtohen etj.—pra, politika në nivel lokal, është më e prekshme, më pak e sofistikuar, më përfshirëse dhe, si e tillë i bën më të interesuar të rinjtë.
Në Gjermani, të rinjtë 16 vjeçarë lejohen të votojnë në zgjedhjet bashkiake të disa (5 prej 16) shteteve, por jo në zgjedhjet për Bundestagun(parlamentin federal) të atij vendi. Në disa prej shteteve në Shtetet e Bashkuara dhe në Norvegji,të rinjtë lejohen të votojnë (në zgjedhjet lokale) në moshën 17 vjeç, nëse ata mbushin moshën 18 vjeç në të njëjtin vit kur mbahen zgjedhjet, edhe nëse ato kanë përfunduar. Në Estoni, një 16 vjeçar mund të votojë vetëm në zgjedhjet lokale. Në Zvicër, vetëm një prej kantoneve të saj i lejon të rinjtë 16 vjeçarë të votojnë në zgjedhjet lokale.Në Britaninë e Madhe, shtetasit 16 vjeçarë janë lejuar të votojnë vetëm në referendumin për pavarësinë e Skocisë; e njëjta gjë edhe në Spanjë, për referendumin e pavarësisë së Katalanjës.
Këta shembuj sugjerojnë se e drejta për të votuar në zgjedhjet lokale në vendin tonë mundet, ndoshta, të sanksionohet edhe për të rinjtë e moshës që kanë mbushur 16 vjeç.Në këtë mënyrë, atyre, së pari, u jepet një zë i ndjeshëm në mbarëvajtjen e çështjeve që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me kushtet e jetesës në komunitetin e tyre dhe, së dyti, në nivel lokal, ata, si çdo qytetar tjetër, i shohin dhe i ndiejnë më mirë dhe drejtpërsëdrejti rezultatet e punës së përfaqësuesve që ata vetë kanë zgjedhur në organet e pushtetit lokal dhe, rrjedhimisht, mund të marrin vendime më të informuara e më të dobishme për ata vetë dhe për komunitetin në zgjedhjet e radhës.
Kjo është një mundësi që meriton të merret në konsideratë.Por, të kërkosh që adoleshentët 16-17 vjeçarë të votojnë për Parlamentin e vendit është, në një shoqëri si kjo e sotmja, thjesht pedofilizëm politik./Dita
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu