Lidhu me ne

Aktualitet

I sëmuri i NATO-s

Galip Dalay

Ndërsa NATO shënoi 70-vjetorin e themelimit, ajo po përballet me një krizë unike në historinë e saj. Turqia, një anëtar në NATO që nga viti 1952, ka nënshkruar një marrëveshje për të blerë sistem të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia. Nëse shitja përfundohet, e ardhmja e Turqisë si anëtar në Aleancë, dhe më gjerësisht lidhjet e saj me Perëndimin, do të vihen në pikëpyetje.

Pavarësisht paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO, Turqia duket e vendosur të vijojë me blerjen e S-400. Dhe kjo, nga ana e vet, ka provokuar kërcënime gjithnjë e më të ashpra nga SHBA-ja. Deklaratat zyrtare sugjerojnë se Turqia mund të përballet me sanksione në disa fronte.

Për shembull, në mars, katër senatorë amerikanë propozuan një ligj bipartizan për të ndërprerë pjesëmarrjen e Turqisë në programin e avionit luftarak F-35. Dhe, duke parë ndjeshmërinë mbi teknologjitë ushtarake të NATO-s në përgjithësi, shumë kanale të tjera të prokurimeve të mbrojtjes, si dhe bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Turqisë, mund të ndërpriten. Në fakt, marrëveshjet e Turqisë me Rusinë mund të vënë në punë dhe Aktin e Sanksioneve të Përballjes me Kundërshtarët, një ligj që mund të sjellë sanksione jo vetëm në sektorin e mbrojtjes, por edhe në industrinë delikate të financave.

Masa të tilla mundet padyshim të përshkallëzojnë tensionet që sakaq janë shtuar mes Turqisë dhe SHBA/NATO. Por pavarësisht retorikës së nxehtë nga të dyja palët, ka ende kohë për të gjetur zgjidhje. Në vitin 2015, Turqia anuloi një marrëveshje të ngjashme me Kinën për sistemin e raketave HQ-9, dhe në vend të kësaj, vendosi të bashkëpunojë me prodhuesin italo-francez Eurosam. Kështu, nuk ka asgjë që ta ndalojë Turqinë të ndërpresë procesin e blerjes së S-400, ndërsa vijon me marrëveshjet e tjera me Rusinë.

Por megjithëse një zgjidhje mund të gjendet, ajo nuk do të zgjidhë problemet më të thella. Mosmarrëveshja për S-400 është thjesht shembulli i fundit i asaj se si çështje të prokurimit në sektorin e mbrojtjes kanë shkaktuar mosmarrëveshje mes Turqisë dhe aleatëve Perëndimorë. Sipas këndvështrimit të Turqisë, partnerët perëndimorë nuk kanë bërë mjaftueshëm, përmes transferimit të teknologjisë dhe skemave të përbashkëta të prokurimit, për të kënaqur industrinë e saj të mbrojtjes. Përkundrazi, kinezët, dhe në shkallë më të vogël, rusët, kanë qenë më të hapur ndaj kërkesave të tilla nga Turqia.

Dhe interesat e brendshme të industrisë së mbrojtjes janë vetëm një pjesë e vogël e historisë. Më gjerësisht, Turqia dhe Perëndimi po përjetojnë një ndarje politike, strategjike dhe gjeopolitike, gjë që reflektohet më së shumti te perceptimet e ndryshme mbi kërcënimet dhe aleancat në konfliktin e Sirisë. Si një fuqi rajonale, Turqia po krijon gjithnjë e më shumë një gjendje ankthi përballë Perëndimit. Ndërsa anëtarësia e saj në NATO është bërë një burim ngatërresash të vazhdueshme, perspektivat e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian janë zhdukur. Për rrjedhojë, Turqia dhe partnerët e vet perëndimorë kanë filluar të vënë në pikëpyetje pozicionin e këtij vendi në klubin perëndimor.

Për më tepër, kriza identitare gjeopolitike e Turqisë ka përkuar me një rrëzim të kuadrit të sigurisë së periudhës pas Luftës së Ftohtë, e cila është mbështetur në partneritetin mes Europës dhe SHBA-së. Ndërsa angazhimi i Amerikës ndaj aleatëve është vënë në pikëpyetje, Turqia ka filluar të vendosë bastet e saj gjeopolitike dhe të ndjekë autonomi më të madhe strategjike përkundrejt politikave të vet të jashtme dhe të sigurisë.

Problemi është se nuk ka baste të mira në tavolinë. Me një ekonomi afërsisht të barabartë me atë të Italisë, Rusia nuk mund të zëvendësojë Perëndimin si një partner ekonomik dhe tregtar. Dhe përveç pakënaqësive të përbashkëta ndaj Perëndimit dhe bashkëpunimit ushtarak në Siri, ka shumë pak gjëra që bashkojnë Turqinë dhe Rusinë. Asnjë nga aspiratat e tyre gjeopolitike apo aleancat rajonale nuk është e pajtueshme; secila ka parë nga territori i tjetrës prej shekujsh.

Turqia mund të ndjekë një partneritet më të thellë me Rusinë pavarësisht kësaj. Që nga gjysma e dytë e vitit 2016, bashkëpunimi me Kremlinin i ka dhënë Turqisë një avantazh strategjik në Siri, ku ajo ka krijuar zonën e vet të kontrollit përgjatë bregut perëndimor të lumit Eufrat. Por tashmë që çështja e S-400 po ngre krye, ajo që më herët ishte avantazh strategjik po bëhet me shpejtësi një disavantazh.

Në këtë pikë, Turqia nuk ka opsione pa kosto. Siç tregon këmbëngulja e saj për të vijuar blerjen e S-400, ndërveprimi i saj me Rusinë ka krijuar sakaq varësi, gjë që do të ashpërsohet edhe më shumë në rast se SHBA-ja apo anëtarë të tjerë të NATO-s vendosin sanksione.

Njësoj si përpjekja e saj për të pajtuar anëtarësinë në NATO me kërkimin për autonomi strategjike, veprimi balancues i Turqisë mes qendrave të ndryshme të pushtetit është i paqëndrueshëm. Herët a vonë, Turqia do të përfundojë ose në duart e aleatëve të vet, ose do ta gjejë veten në partneritete të reja delikate. Dhe kur kjo të ndodhë, Turqia nuk do të jetë në gjendje të mbështetet tek asnjëra palë.

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook