Lidhu me ne

Aktualitet

Memoriali i turpit

Nga Ilir Yzeiri

Në Tiranë ka ndodhur një ngjarje e turpshme, fyese dhe poshtëruese për identitetin tonë. Është zhvilluar një manifestim me flamuj turq dhe marshim, që ka nisur nga  Sheshi « Nënë Tereza » dhe ka përfunduar te Kodrat e Liqenit. Aty është përuruar një memorial në kujtim të grushtit të shtetit turk të 15 korrikut 2016.

Qesharake dhe e neveritshme. Po ç’punë kemi ne që të transferojmë në kryeqytetin tonë përkujtimin e një ngjarjeje që është tërësisht turke?

Ne nuk jemi provincë e Turqisë, as çiflik i Sulltanit. Mirëpo, ne, në shumë pikëpamje, jemi një popull mendjelehtë.

Në Hong Kong, banorët e atij shteti të vogël, kanë muaj e muaj të tërë që protestojnë sepse nuk pranojnë që qytetarë të cilët mund të dënohen në Hong Kong për vepra që fyejnë apo prekin Kinën, të transferohen, të gjykohen e të vuajnë dënimin në Kinë.

Pra, e refuzojnë pushtetin e qendrës në zotërim të së cilës kanë kaluar pas largimit të Anglisë nga ai vend. Ndërsa ne nuk e kemi për gjë që të transferojmë emocionet totalitariste dhe diktatoriale të Erdoganit në vendin tonë. Po ky, Erdogan, e detyroi Berishën, para shumë vjetësh, që të hiqte Skënderbeun nga Pallati i Brigadave kur ai të vizitonte  atë vend në pritjen zyrtare.

E kam thënë edhe më parë dhe e përsërit edhe tani që Edi Rama është kryeministri që, më së shumti, ka kontribuuar në rivitalizmin e çështjes shqiptare dhe ka ndihmuar në mënyrë substanciale që të rritet performanca e shtetit shqiptar.

Vizita në Beograd, rritja e performancës me qeverinë greke për kufijtë detarë dhe çështjen çame, kontributi për të bashkuar faktorin shqiptar në Maqedoni e Mal të Zi si dhe paraqitjet dinjitoze në vizitat jashtë Shqipërisë, e kanë bërë Edi Ramën kryeministrin më dinjitoz të periudhës së tranzicionit. Mirëpo, me atë që ndodhi sot në Tiranë, ai i vuri vetes një njollë që vështirë të shlyhet.

Unë e kuptoj shumë mirë që ky është një lëshim sporadik dhe pa ndonjë pasojë afatgjatë. Shqipëria nuk humbet as pavarësinë, as gjuhën, as flamurin dhe mund të përfitojë nga marrëdhëniet ekonomike me Turqinë e pasur. Më kujtohet se një rrugë ose e vetmja rrugë që shtroi Lulëzim Basha kur ishte kryetar bashkie kur ngjitesh nga Pallati i Brigadave dhe devijon për nga rezidenca e Ambasadës amerikane, ka një emër arab, në mos gaboj « Kuvajti » a diçka tjetër.

Transferimi i simboleve, qofshin edhe kombëtare, nga një vend në tjetrin është shenjë kulture. Edhe busti i Skënderbeut është vendosur në vende që nuk kanë lidhje me këtë pjesë të historisë shqiptare, si në Gjenevë, fjala vjen, apo dhe në shtete të tjera. Ndërsa transferimi i një ngjarjeje të brendshme, tepër të dikutueshme siç është grushti i shtetit turk, në Kodrat e Liqenit, në Tiranë, aty ku prehen etërit e shqiptarizmës, është një fyerje e rëndë për ne të gjithë.

Të vrarët në Turqi në atë grusht shteti nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë dhe me asnjë ideal tonin. Shenjueshmëria e këtij akti është e dyshimtë dhe, më së shumti, të shtyn të mendosh që është një zgjerim i emocionit triumfalist të Erdoganit mbi një territor që ai e quan nën zë si pjesë e Perandorisë së Madhe.

Për ta përmbyllur po përmend një fakt që e kam jetuar vetë. Kur kam realizuar një dokumentar për shqiptarët e mëdhenj të Stambollit që u mblodhën aty dhe krijuan alfabetin e shqipes, kam vizituar edhe xhaminë ku kishte shërbyer Hoxha Tahsini, që ishte vendi ku u mblodhën me ditë të tëra Kristoforidhi, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vretoja e, natyrisht, Hasan Tahsini e shumë të tjerë, për të vendosur se si do të ishte alfabeti i shqipes.

E kam quajtur atë vend si selinë e parë të Akademisë Shqiptare. Mirëpo, në kohën që vajta unë, ai vend po kthehej në një universitet privat të Stambollit. Asnjë shenjë, asnjë pllakë përkujtimore.

Unë gjeta aty përfaqësues të Bashkisë së Stambollit dhe u tregova historinë. Ata, jo vetëm që nuk ma morën fjalën, por më thanë se kjo nuk ka rëndësi për Stambollin. Le të më thotë një përfaqësues nga Ministria e Jashtme, jona, se çfarë do të ndodhë nëse ne do të kërkojmë të njihen në Stamboll dhe të shenjohen me tabela e pllaka përkujtimore vendet dhe shenjat që përcaktuan Rilindjen tonë? Këta turqit e sotëm do të na quajnë irredentistë.

Kush më thotë mua ku është sot shtëpia e vëllezërve Frashëri? A e dini ju se ideologu ynë më i madh, Sami Frashëri, përkujtohet në Stamboll vetëm në emrin e një shkolle filloreje?

Ndaj, mendjelehtësia jonë për të shkëmbyer emocionet diktatoriale dhe totalitariste të Erdoganit me një grusht para apo investime, është mjerim intelektual dhe atentat në identitetin kombëtar.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook