Kryesore
Shqipëria, ka qenë, është, por a do të jetë?!
Nga Ardit Haxhija
Prof. Në universitetin Amerikan / Middle East University

Ardhjet në atdhe të emigrantëve gjithmonë janë shoqëruar me pozitivizëm. Çdo ndryshim sado i vogël, reflektohej nga ‘turistët’ vendas e përcillej mesazhi, “mos u qani, ju nuk e vini re, por Shqipëria ka ndryshuar për mirë.”
Pas shumë vitesh, fati e deshi të jem edhe unë njëri prej tyre. Thuajse 4 vite larg, me gjithë vajtje – ardhjet e shpeshta, vija re këtë ‘ndryshimin’ e vogël, dhe mes miqve jam munduar të jap mesazhin e njëjtë, sic parardhesit e mi të emigrimit.
Jam munduar që fenomenet e ndodhura, si reforma në drejtësi, ndryshimet ‘pozitive’ në Tiranë, apo dhe trumbetimet në mbrojtje të Kosovës, t’i paraqes si positive, dhe ta ndaj këtë entuziazëm me miqtë që ndajnë të njëjtin hall, atë të Shqipërisë si gjithë Europa.
Fatkeqësisht për Shqipërinë, me kohën po bien të gjitha këto mite që shiheshin si rreze drite në fund të tunelit.
Kështjella e parë që ra ishte ajo e Tiranës, ku pas një pune të nisur mirë vijuan tenderat korruptivë, ku më i tmerrshmi ai i unazës. PPP, ku flamurin e mban vjedhja e pronës së teatrit.
Stadiumi, ku 1/4 e tij është jo funksionale për arsye biznesi, përveç pjesës së kullës. Rritja në mënyrë të tmerrshme e taksave e duke e mbyllur me zyren e propagandës, që as vendet me diktatorë se kanë aq të zhvilluar.
Miti i dytë, ai i mbrojtjës së Kosovës, kishte kohë që lëkundej e dergjej në ujëra të turbullta, por për këtë mendoi Kryeministri duke dalë me zë e me figurë kundra të vetmes krenari që na ka mbetur, atë të mushkërisë së Shqipërisë, Kosovës.
Trumbetoi me të madhe që të gjithë janë injorantë ose marksistë që u ka mbetur ora, e nuk e kuptojnë dinamikën e zhvillimit të kombëve.
Por kryeministri harron gjënë më elementare, nëse atë vetë nuk e kupton askush e vetmja gjë që i mbetet është të japë dorëheqjen e t’i lërë njerëzit në ‘marrinë’, e tyre.
Miti i fundit, ai i reformës në drejtësi, cuditerisht pati një aprovim të të gjitha palëve, ku për gjykatën e lartë emri i një personi i bëri të gjithë çorap e sa nuk hapen llogoret, e këtu SPAK-u që supozohet që do dënojë, po këta politikanë u vunë ne rresht dhe e duartrokiten.
Tani që të jenë kaq budallenj sa të duartrokasin arrestimin e tyre, e dime që nuk janë, por që edhe t’i kenë detyruar të huajt të dalin e ta përshëndesin krijimim e SPAK-ut, dhe për këtë e kanë treguar që duan vetveten më shumë se asgjë në këtë botë.
Sigurisht që SPAK-u akoma nuk e ka treguar veten, por që të përmbyset emri i fituesit në mënyrë të çuditshme, dhe ky i riu të jetë një person që mirë apo keq ka disa ‘probleme’ që më së paku moralisht nuk e lejojnë të jetë aty, nuk jep shpresën e një fillimi të mbarë.
Të gjitha këto janë kambana alarmi të frikshme për Shqipërinë sot dhe nesër. Kemi kaluar shumë, po asnjëherë më shumë se kaq. Problemi më i madh është ai i humbjes totale të shpresës, dhe dominimi total i një kaste njerëzish, qe po lozin me atë vend në mënyrë të ngjashme me atë të kavieve laboratorike.
Shqipëria ndodhet sot në kuotat më të ulta të ekzistencës së saj si shtet. A është ky qëllimi real i kësaj politike të ndyrë, ai i zhdukjes se Shqipërisë mot? Në mos qoftë nga dija, padija e tyre po e rrezikon Shqipërinë më shumë se kurrë të asgjesohet si shtet.
Zot, ruaje Shqipërine nga shqiptarët zuzarë dhe injorantë.
