Lidhu me ne

Temporal

Pse ikim ne shqiptarët?!

Arsen Hoxha

Eshtë e thjeshtë! Shqiptarët ikin kur kuptojnë se po jetojnë brenda një shoqërie që i rri ngushtë e nuk i mban dot më brenda gjirit të saj. Një shoqërie që shpërdoron potencialin e çdo individi që kërkon të jetojë me ndershmëri e të kontribuojë brenda saj si i barabartë. Shqiptarët janë një popull që kërkojnë shumë më shumë sesa u ofrohet nga udhëheqësit e tyre, nga ambjenti që i rrethon, nga sa fati u ka rezervuar. Ata guxojnë të sfidojnë vetë fatin e tyre. Ndaj ikin.

Mora shkas ta trajtoj këtë temë nga një shkrim i gazetarit Ben Andoni në faqen e Liberale.al, ku ai flet për ikjen e shqiptarëve (afro 200 mijë kërkuan azil në vendet e BE-së) mes viteve 2014-2019 dhe humbjen e identitetit.

Po, Ben Andoni ka të drejtë kur thotë se ne po humbasim gjuhën, identitetin e shumëçka tjetër. Për fat të keq—për shumë prej të ikurve—humbja e identitetit është nje proçes i pashmangshëm e që vjen natyrshëm.

“Dorëzimi” i identitetit është një formë rebelimi i brendshëm karshi një shoqërie që ka dështuar së ofruari arsye për të qenë krenar prej nga vjen e për atë që përfaqëson. Humbet dëshira dhe interesi për tu identifikuar me një shoqëri e cila nuk kujdeset për ty si qënie njerzore. Eshtë e dhimbshme, por e vërtetë!

Por si arrin nje i ikur të humbasë identitetin e tij?! Ai në fakt e ka humbur atë në momentin që ka marrë vendimin e vështirë për të braktisur tokën ku u lind e u rrit. Në subkoshiencen e tij ai truall nuk e mban dot më. Nuk i ofron gjë tjetër përveç kaosit të së tashmes dhe pasigurisë së të ardhmes. Ai ndjehet i huaj e i padëshiruar në shtëpinë e tij. Ai shikon se çdo përpjekje për ta ndryshuar realitetin që e rrethon është një betejë e humbur. Ai është gjithnjë humbësi.

Eshtë i gjithi një proçes që përshkon disa faza të jetës së njeriut. Eshtë nje gjendje shpirtërore që kërkon kohë të formësohet. Them se nis me periudhën e adoleshencës kur bëhesh dëshmitar i përpjekjeve vetëmohuese të prindërve të tu për tu përshtatur dëshpërimisht në një shoqëri që ka ngritur dhe i thur lavde sistemit të antivlerave. Vazhdon me rininë e hershme, ku ëndrrat për një edukim dinjitoz të shkërmoqen përpara syve. Kur bëhesh dëshmitar i një sistemi të kalbëzuar e klientelist arsimor.

Vijon me përpjekjet sfilitëse për tu bërë pjesë e tregut të punës, ku institucioni i mikut, partia dhe sistemi ilegal i parasë nën dorë është zyra e vërtetë e punësimit. Ky është momenti kur ke nisur të kuptosh se ka diçka që nuk shkon me këtë shoqëri. Me bekimin e partisë, me një mik të fortë dhe bujarinë e fatit ia del më në fund të futesh në tregun e punës. Mendoje se i kishe parë të gjitha, por jo! Këtu, partia, miku dhe natyrisht fati janë sërisht faktor përcaktues i suksesit apo dështimit në profesion. Por mbi të gjitha është sfida ekstreme që i bëhet durimit të njeriut, duke e detyruar të përballet çdo ditë me injorancën, arrogancën, dembelizmin, dallkaukllëkun dhe primitivizmin e gjithëanshëm.

Akti final lidhet me atë stad të zhvillimit personal kur sapo i ke dhënë jetë familjes tënde të vogël. Kërkon të ndërtosh një të tashme të sigurtë, të qëndrueshme dhe cilësore, por kupton se është thjesht e pamundur. Zhgënjimi është rezultati final i përpjekjeve të tua. Sado të forta e të thella të jenë themelet e së tashmes tënde, e ardhmja do të të rezervojë zhgënjimin e rradhës.

Eshtë pikërisht kjo panoramë e errët që vret shpresën se një ditë kjo lloj shoqërie mund të prodhojë një realitet ndryshe. Një realitet qe e bën të dëshirueshëm qëndrimin dhe e kthen në absurd idenë e ikjes. E kundërta është e vërtetë! Ikja kthehet në mision! Ky është momenti i krisjes së madhe të identitetit. Bën gjithshka për të mos u identifikuar me një shoqëri që është kujdesur në mënyrë konstante të të lerë jashtë.

Eshtë interesante por edhe në emigrim shqiptarët (për hir të së vërtetës, jo ata të Kosovës) e gjejnë të vështirë të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Për më shumë se një arsye, është ezauruese që të bashkëjetosh me gjithshka shqiptare kur je në emigrim. Sado që të të mungojë! Ka diçka që nuk shkon me këtë raport. Ka gjithnjë një lajm nga Shqipëria që të hidhëron. Dhe sigurisht ka gjithnjë një konsullatë shqiptare që të shuan mallin e burokratit klasik të emëruar nga partia në pushtet. Që sigurohet të të marrë erzin sa herë të ka në dorë—qoftë edhe për pak minuta.

Gjithshka që i lidh shqiptarët në emigrim me kombin dhe identitetin e tyre është e lodhshme, rraskapitese. Jo se nuk u mungon toka, kombi apo ideja e të qënit shqiptar. Ajo wshtw njw dhimbje që nuk shteron kurrë. Por I kujton sfilitjen që ka lënë pas dhe e zënë të dridhurat. Më shumë sesa humbje e identitetit është përqafim pa kushte i gjithshkaje që nuk e lidh me realitetin e së shkuarës. Një realiteti që u kujdes—në çdo fazë të jetës së tij—ta përgatiste për ikjen.

Kjo është arsyeja e ikjes së madhe. Arsyeja e boshatisjes njerzore dhe asaj shpirtërore. Në fund të fundit, identiteti është dinjitet dhe përmbushja e disa të drejtave themelore. E drejta për të ndërtuar një jetë dinjitoze. E drejta për të jetuar i lirë. E drejta për të gëzuar e trashëguar pronën, i pakercenuar nga mbivendosjet barbare me firmë qeveritare. E drejta për një jetë cilësore.

Shqiptarët nuk përshtasin identitete; ata guxojnë të rindertojnë identitetin e tyre. Jo për mbijetesë, por për një të ardhme më të mirë e më të qetë për ata vetë dhe femijët e tyre. Eshtë kaq e thjeshtë. Shumë mund të ngrenë pikëpyetje nëse kjo është një arsye e mjaftueshme për të ikur, pa kthyer kokën pas, duke sakrifikuar edhe vetë identitetin?! Kujtoni ata 200 mijë shqiptarë që u larguan në 5 vitet e fundit, e ata mijra të tjerë në 3 dekada me rradhë. Ata janë përgjigjja më e mirë.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook