Pa u dukur, larg magnetit të famës dhe mjeteve të tij: Ajo shkon në punë pa një mjet të dedikuar meqë është gruaja e kryeministrit. Shkon si Linda Rama, pa bodygard e xhingla pushteti. Ka sigurisht një magnet që quhet familja me Edin, Zahon, Rean dhe Gregun ku pa dyshim i vogli Zaho e tërheq më shumë.
Ajo e pranon edhe vetë që fati nuk ka qenë me të koprrac por që një aftësi e lindur e të qëndruarit me këmbë në tokë duket se i ka dhënë zonjës Linda Rama një ekuilibër që rrallë e gjejmë tek gratë që fati i ka hedhur në rrugët e historisë dhe pushtetit njëherësh.
Pas shumë kohësh bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama ka dhënë një intervistë të gjatë e të thellë për revistën britanike “Global Women”, ku flet për fëmijërinë në një oborr të shndritshëm, për vitet e para të demokracisë dhe sfidat e jetës para Edi Ramës dhe pas njohjes me të, vitet në opozitë dhe ato në pushtet.
Në fund të intervistës kupton se Linda paska bërë kaq shumë gjëra ndryshe, paska zgjedhur të jetë kaq pak dhe shumë në të njëjtën kohë. Pa u dukur, larg magnetit të famës dhe mjeteve të tij: Ajo shkon në punë pa një mjet të dedikuar meqë është gruaja e kryeministrit.
Shkon si Linda Rama, pa bodygard e xhingla pushteti. Ka sigurisht një magnet që quhet familja me Edin, Zahon, Rean dhe Gregun ku pa dyshim i vogli Zaho e tërheq më shumë. Për shumëkënd që e ka ndjekur me vëmendje gruan e kryeministrit do ketë dëgjuar që ajo të flas shpesh për botën e re virtuale ku të gjithë jemi bërë pre. Jo për ta anatemuar po për mënyrën sesi për një “Click” dhe një “Like” jemi bërë të gjithë ujqër.
Linda e thotë prej kohësh, gati e ulëret thirrjen se diçka duhet bërë për të mos humbur jetën e vërtetë. E ka thënë edhe në këtë intervistë dhe editori duket që është një gazetar tipik britanik me titullin që ka zgjedhur në kopertinë: The ‘Women beyond clicks and likes’ (Gruaja përtej klikimeve dhe pëlqimeve).
Ju keni lindur në një vend të vogël, që për shumë vite ka qenë i izoluar. Si ka ndikuar ky fakt në jetën tuaj si grua?
Madhësia e vendit ku lind, për mua nuk matet me kilometra katrorë, po me ngjarjet e kohës që jeton! Në këtë sens unë, si i gjithë brezi im, pata fatin të jetoj ngjarjet e jashtëzakonshme që ndanë historinë e Shqipërisë në dy pjese krejt të ndryshme; totalitarizmin komunist, me izolimin ekstrem edhe nga vetë të ngjashmit tanë në Lindjen Bolshevike dhe demokracinë në formim, pas rënies së mureve të izolimit, ku u gjendem të mbushur me ëndrra përballë hendekut të pamatë që na ndante nga bota e ëndrrave tona. Imagjinoni pak vetëm faktin që deri në rënien e mureve, brenda të cilave kishte kaluar fëmijëria dhe jeta ime universitare, ne jo vetëm që nuk kishim komunikuar ndonjëherë me ndonjë të huaj, por as që e kishim imagjinuar që mund të vinte një kohë që gjuhët e huaja do të na duheshim me shume se sa për te lexuar libra. Jeta jonë, e zhvilluar deri aty, brenda lagjes dhe qytetit, me udhëtime shumë të rralla jashtë vetë qytetit, për ndonjë javë pushimesh me familjen apo ndonjë rast krejt të veçantë si dasma ose vdekje të afërmish diku gjetkë, u spostua sa hap e mbyll sytë në detin e paanë të lirisë e të mundësive që s’i kishim menduar kurrë dot më parë. Mes barazisë në varfëri, brenda rrethit të një ekonomie të centralizuar në rrugën e të tatëpjetës, dhe botës se re të mundësive për t’u ndarë nga varfëria, kaluam fazën e një marrëzie në sensin e kundërt, ku individualizmi ekstrem në mungesë të institucioneve demokratike e bënte jetën tonë të ngjante me një kaos e kacafytje, për të mbijetuar në mes të detit pas mbytjes së Titanikut. Ja pra sesi, në një vend kaq të vogël, ne u bëmë dëshmitarë të historisë së madhe të Europës dhe besomëni, jeta jonë në rrugën e kësaj historie ishte kaq marramendëse sa vendi na dukej nganjëherë i madh sa vetë bota në kaotizmin e në çuditë e transformimit rrënjësor, për mire dhe për keq.

Çfarë kujtoni nga fëmijëria dhe cilat janë disa nga ëndrrat që kishit e vogël?
Fëmijëria në kujtesën time është një oborr i ndritshëm, me kufij të papërcaktueshëm, zërash dhe shijesh të dashura. Kujdesi dhe durimi i gjyshërve e prindërve për t’u dhënë lidhjeve të mia me oborrin, sensin e historisë sonë familjare, vlerave e normave të trashëguara brez pas brezi, mënyrës modeste të të jetuarit, janë gurët më të çmuar të fëmijërisë sime. Ashtu sikundër janë kaq shumë të çmuara, kujtimet e lojërave të improvizuara, në oborrin e mungesave të paimagjinueshme sot nga pikëpamja materiale. Për tim bir kukulla e Mikit apo një makine e Spiderit, janë pjesë e zakonshme e jetës së tij, për ne një kukull e bërë me duart tona, ishte vetë mrekullia. Kur ngjiteshim lart tek fqinji që kishte telefon në shtëpi, për t’u uruar Vitin e Ri kushërinjve jashtë qytetit, ishte si të ngjiteshim në një anije kozmike. Ndërsa sot kur i shoh fëmijët me sytë ngulur mbi filmat e tyre në ekranin e ipad-it, kam përshtypjen, mbase të gabuar, që nëse gëzimi ynë atëherë për një lodër a një telefonatë, ishte si të të dilnin krahë që të mbanin në ajër për kushedi sa kohë, gëzimi i tyre sot zgjat sa një click dhe shpejtësia e fashitjes së tij nuk lë vend për t’u ndjerë të sigurt që ata do të dine t’u gëzohen gjërave të thjeshta të jetës.
Ju jeni investuar shumë në shkollimin dhe karrierën tuaj. Sa e vështire ishte kjo për një grua që vinte nga një regjim komunist?
Studimet universitare unë i përfundova në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë me rezultate të shkëlqyera pak vite përpara kolapsit të regjimit komunist. Izolimi ekstrem i deriatëhershëm nuk na kishte mundësuar asnjë lloj informacioni të pa indoktrinuar. Tekstet perëndimore për ekonominë ishin mollë e ndaluar. Taksat quheshin forma e rrjepjes se lëkurës se proletariatit nga sistemi kapitalist. Prona private ishte baza e padrejtësisë shoqërore. Marrja e borxheve nga jashtë varësi ekonomike që çonte në gjunjëzim politik. E gjendur në nevojën për t’i paraprirë ndryshimit, kur Rea, vajza ime, ishte vetëm 2 vjeç e gjysmë, u largova jashtë vendit për më shumë se një vit për studimet master si e vetmja mënyrë për t’u ballafaquar me boshllëqet e mia. Kalova një shock të vërtetë akademik dhe kulturor. Më pas u ktheva dhe bëra edhe doktoraturën. Asokohe, punoja në qeveri në institucionin e ngarkuar me privatizimin e ekonomisë, jepja mësim në universitet dhe njëkohësisht isha e angazhuar në studime me kolege nga vendet e tjera. Dhe ky intensitet i shoqëruar me ankthin e mbushjes se çdo boshllëku me informacion bashkëkohor, nuk ka reshtur as sot kur ka kaluar më shumë se çerek shekulli, madje është kthyer në mënyrë jetese. Për një grua ky intensitet është strapacues në kushtet kur duhet me të njëjtin intensitet të kujdesesh për fëmijën dhe familjen. Kështu ka qenë ky çerek shekulli për shumicën e shqiptarëve të brezit tim me sfida dhe sakrifica. Por po të më pyesnin sot nëse do të zgjidhja të isha qysh në lindje në një vend të zhvilluar perëndimor apo në Shqipërinë e vogël ish-komuniste për të jetuar më tej këtë transformim epokal, do të zgjidhja pa asnjë hezitim këtë që jetova.




Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu