Temporal
Një ditë nga jeta e Mbretit Zog – Jason Tomes
Kompleksi mbretëror në Tiranë përbëhej nga pallati mbretëror dhe rreth gjashtë ndërtesa më të vogla, brenda kangjellave e parmakëve të zbukuruar tek-tuk me llamba qelqi.
Në fakt, pallati mbretëror ishte e njëjta vilë që ishte zgjedhur nga presidenti Zogu në vitin 1928, dhe s’kishte asgjë mbretërore në të. Kishte planin për ndërtimin e një rezidence të re, të përshtatshme për një mbret, disa kilometra në jug të qytetit.
Ndërkohë, Zogu qëndronte i ngulur aty. Askund s’mund të ishte aq e përshtatshme për gardën mbretërore: 500 këmbësore dhe tridhjetë kalorsiakë që mbanin jaka të kuqe në uniformat e tyre ngjyrë ulliri. Regjimenti më i paguar në ushtri, rojet ishin rekrutuar ekskluzivisht nga dega e Zogollit të Matit. Ato qëndronin në shërbim në portat e pallatit, jashtë dyerve dhe nën dritare.
![]()
Mbreti i kalonte ditët, pikërisht në këtë kompleks. Ai nuk e kishte problem të pranonte se pse i ishte nënshtruar burgosjes vullnetare.
“S’kam asgjë kundër vdekjes në betejë”, thoshte ai.
“Por nuk kam në plan të lejoj të më qëllojnë në mes të rrugës si qen”.
Ai pretendonte se i detyrohej Shqipërisë të merrte masa të forta parandalimi, sepse ai donte të bënte shumë për vendin e tij para se të vritej, siç priste vërtet se do ndodhte.
Betejat e tij me bejlerët rivalë, kosovarët, radikalët që mbështesnin Nolin dhe rebelët dukagjinas e kishin shtënë në gjak me një sërë familjesh. Të fyerit i dërgonin herë pas herë një zarf me plumb brenda, që ishte premtim se plumbin tjetër do e merrte në zverk. Një vizitor britanik guxoi njëherë të sugjeronte se kreu i shtetit duhej të përjashtohej nga ligjet e gjakmarrjes. Guida e tij iu përgjigj: “Mbreti jonë shkëlqesi është një prej nesh, jo si mbreti juaj”.
Ndaj, Zogut iu kthye në zakon të qëndronte larg dritareve, të shihte me kujdes çatitë e ndërtesave përreth dhe të nxirrte revolverin e tij prej shenjës më të vogël të trazimit. Edhe brenda në pallat duhej të ishte gjithnjë në gatishmëri. Një deputet i parlamentit ishte qëlluar për vdekje në dhomën e adjutantit në vitin 1932.

Në fakt, ligjet e traditës e ndalonin vrasjen në shtëpi.
Kur armiqtë takoheshin si i zoti i shtëpisë dhe i ftuari etike kërkonte mirësjellje. Mbreti pra mund të përballej edhe me armiqtë më të këqij.
Gjatë intervistave veçanërisht të pazakonta ai mbante një revolver të mbushur nën një shami mbi tryezë, pranë dorës së djathtë, në rast se abuzohej me mikpritjen e tij. Detyrimet zyrtare nënkuptonin pastrimin e rrugëve dhe kërkimin ose evakuimin e shtëpive që ishin pranë rrugës. Njerëzit e Tiranës mund ta shihnin mbretin e tyre duke bërë përshëndetjen në paradat ushtarake në ditët e festa kombëtare. Ndërkohë që ishte e vërtetë se as në vendet e tjera masat nuk afroheshin fizikisht me mbretin, kjo distancë binte më shumë në sy në një qytet të vogël sesa në metropolet moderne.

Kur Zogu mori pjesë në një pritje të inaugurimit të ndërtesës së re të Legatës së SHBA-së në vitin 1930, diplomatët e panë të çuditur teksa ai rrëshqiti nga makina, rendi në ndërtesë, dëgjoi fjalimin dhe u zhduk po aq shpejt sërish. Hapja e parlamentit ishte njësoj e nxituar në ato raste të veçanta kur ai mbante fjalimin e mbretit, personalisht. “Të huaj këtu shijojnë herë pas here çaste talljeje me të”, ankohej Rose Wilder Lane, shkrimtarja amerikane që jetonte në Tiranë dhe që u bë mikja dhe admiruesja e tij.
Herë pas here, kishte ndonjë shfaqje të papritur të mbretit, kur Zogu bënte shëtitje të shkurtra përkrah nënës së tij, përmes kopshtit trekëndësh ndërmjet rezidencave të tyre.
Ky park në miniaturë ishte si kopsht bashkiak, me trëndafila dhe stola, ku shoqëria alla-franga vinte të dielash pasdite. Me Sadijen në krahun e tij, ai ishte i sigurt nga vrasësit që respektonin Kanunin. Raste kur dilte nga qyteti ishin të rralla, zakonisht për të shkuar në Mat me motrat e tij, për të ngrënë drekë në shtëpizën e tij në Qafështamë. Ekskursionet kryheshin në rrugë të ndryshme çdo herë, shpërndaheshin informacione false, bëheshin kontrolle për bomba dhe ndryshohej itinerari në momentin e fundit.
Shumë shqiptarë supozonin se mbreti, herët a vonë do kishte fatin e Esat Pashës apo Ceno Bej Kryeziut, ndaj kujdesi i tij nuk u dukej aspak i habitshëm. “Një njeri me armiq është si një lepur në strofullën e tij që duhet të vëzhgojë për një kohë të gjatë me kujdes për të kaluar rrugën”. Njerëzit e fuqishëm kishin jetuar gjithnjë brenda mureve dhe vetë-burgosja ishte shpeshherë forma e vetme e mbrojtjes për një njeri në gjak.

Eksperienca të këtij lloji kishin krijuar dhe fjalën e urtë, “Pushka s’pyet për trimëri, pushka vret”. Ishin kritikët e jashtëm, ata që akuzonin Zogun për burracakëri dhe paranojë.
William Seeds ndjeu nevojën të hidhte poshtë këtë këndvështrim të zakonshëm: Ai nuk është tirani i zbehtë që dridhet në pallatin e tij, siç e përshkruajnë disa; ai ka në favor të tij rininë, pamjen, fuqinë fizike dhe minierat më të admirueshme të mundshme; ndërkohë që është fakti që e ka shpallur veten në luftë, si për të marrë respektin e të mëdhenjve të fiseve të egra në marrëdhëniet personale me të, pavendosmëria dhe mungesa e principeve që e bëjnë përpjekjen e tij të vogël në trajtimin e politikave të larta.
Nëse Zogu ia kishte idenë e qindra njerëzve që mund ta vrisnin ai nuk mund të quhej paranojak. Rose Wilder Lane protestoi: “Nëse ai del në rrugë nuk do jetonte më shumë se dhjetë minuta dhe nëse ai merr fund, Shqipëria është e marrë fund”.
Frika e mbretit për jetën e tij mund edhe të ketë qenë e ekzagjeruar. Liderë të tjerë kombëtarë mund t’ia besonin mbrojtjen e tyre policisë; Zogu e shihte si të nevojshme që të kujdesej vetë për çdo detaj të mbrojtjes së tij.
Të dërguarit diplomatikë të Italisë dhe Jugosllavisë gjithashtu përpiqeshin ta trembnin duke u kaluar shërbimeve sekrete informacione për komplote në radhët e emigrantëve shqiptarë. Zogu e dinte se ishte i rrethuar nga spiunë italianë, të cilët do mund t’i jepnin informacione shumë të rëndësishme Hasan Prishtinës, nëse Musolini vendoste të ndryshonte lidershipin e Tiranës.
Zogu nuk u ankua kurrë për kërcënimet që merrte. “Incidente të tilla ndodhin”, thoshte ai. “Këto janë rreziqe që i kanosen çdo kreu shteti”. Meqë dalja jashtë ishte aq e rrezikshme, ai preferonte të rrinte në pallat.
Kompleksi kishte një fushë tenisi dhe palestër, edhe pse mbreti s’i përdorte shpesh ato. Shqiptarët e modës së vjetër nuk e kuptonin pse perëndimorët bënin palestër vazhdimisht. Sporti ishte tipar i shoqërisë europiane për të mbajtur trupin në formë, gjithsesi Zogu nganjëherë e merrte raketën e tenisit. Ato që lavdëronin lojën e tij nuk njihnin ndonjë standard krahasimi.
Rutina e zakonshme e këtij gjeniu duhanpirës ishte gjithçka përveç se e shëndetshme.
“Ai ishte një oxhak njerëzor”, kujtonte një reporter. “S’kam parë njeri të pijë aq shumë duhan dhe pa ndërprerje”.
Sipas këtij burimi, Zogu pretendonte se në 1920-ën e kishte zakon të pinte 250 cigare në ditë. Kjo i bie 15 cigare në orë. Mbase duhanpirës të tjerë po aq të vullnetshëm mund të gjykojnë më mirë nëse një nivel i tillë konsumi duhani është fizikisht i mundur, por të gjithë bien dakord se ai pinte shumë duhan, edhe sipas standardeve shqiptare. Gazetarët me sy të mprehtë për të kapur detajet nganjëherë vërenin një preferencë për markat turke me aromë ekzotike, por të tjerë thonin se ai s’ishte aq përzgjedhës për sa kohë diçka përmbante nikotinë.

Zogu thoshte se ngrihej në gjashtë të mëngjesit e shtrihej në mesnatë. Ai normalisht ishte në studion e tij të mbingrohur në orën tetë të mëngjesit dhe plani i tij i punës zgjatej në 14 orë në ditë. Një poet zogist e perifrazoi në vargje, “lumi s’fle, deti s’fle, po ashtu nuk fle as mbreti”.
Ushqimi vinte nga pallati i nënës mbretëreshë në një kuti të mbyllur sepse ai kishte besim vetëm tek Sadija. Zakonisht ushqimi përbëhej nga specat, oriz me mish, komposto frutash, djathë i bardhë, bukë e zezë dhe byrek me djathë e arra. Ushqimi i tij i preferuar ishin patëllxhanët e mbushur.
Mbreti lexonte shumë ndaj s’kishte një kufi të qartë ndërmjet punës dhe zbavitjes. Pako të tëra me libra dhe revista vinin rregullisht nga Vjena.
Ai ruante interesin e tij për historinë ushtarake, veçanërisht për periudhën napoleonike dhe një bust i vogël i Napoleonit qëndronte në tavolinën e tij të punës, përkrah një pllake qeramike të Skënderbeut.
Shpeshherë pasi mbaronte ai luante e letra për para me disa prej adjutantëve dhe ministrave të tij. Këto raste shërbenin dhe për të shkëmbyer informacione informale politike. Zogu i mësonte thashethemet më të fundit nga të ftuarit e tij dhe po nëpërmjet tyre përhapte thashethemet për llogari të tij. Oborri shqiptar nuk kishte oborrtarë të asnjë lloji, ndaj dhe Zogut i pëlqente të kishte vizitorë të huaj, veçanërisht nëse këto ishin femra.
Zogu e linte Tiranën zakonisht vetëm një herë në vit. Në pik të verës, njerëzit preferonin t’i iknin klimës mbytëse të kryeqytetit. Familja mbretërore udhëtonte drejt Durrësit çdo qershor dhe kalonte pranë detit tre ose katër muaj. Zogu kishte shpresuar ta kthente Durrësin në portën e Shqipërisë. Ishte një prej porteve më të mira në Adriatik, sipas qeverisë shqiptare.

Ishte pikërisht këtu në Durrës që në pritje të një të ardhmeje më me influencë, Zogu kishte zgjedhur të ndërtonte pallatin e tij veror. Shumë bashki të etura për të pasur marrëdhënie të mira me Zogun i kishin ofruar atij tokë dhe shtëpi në kohën e shpalljes së monarkisë. Ai zakonisht i vinte këto prona në funksion të ministrisë që të përdoreshin si baraka ose spitale. Vila e tij e pushimeve në Shirokë për shembull, u bë shkollë për oficerët.
Askush nuk i vinte në dyshim meritat panoramike të pallatit të tij në Durrës. Pallati u ngrit mbi një kodër mbi port, me një pamje të jashtëzakonshme ku qyteti dhe deti shtrihej si në pëllëmbë të dorës. Isabel Aderson, e cila pa pallatin teksa ishte në ndërtim e sipër në vitin 1929 mësoi nga guida e saj zyrtare se shkallët e shumta ishin parashikuar që Zogu të mund të bënte stërvitje pa pasur nevojë të dilte jashtë.



Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu