Nga Umberto Eco
Një ditë, teksa po ecja rrugës, gati sa nuk u përplasa me kalimtarë të të dyja sekseve: dy telefononin, dy të tjerë shkruanin me ngut duke rrezikuar theqafjen, tjetri ecte me celular në dorë, i gatshëm t’i përgjigjej çdo tingulli që e grishte për një kontakt njerëzor.
Një miku im, njeri i nderuar dhe me kulturë, e hoqi qafe Rolex-in ngaqë, siç më thotë, orën tani mund ta shohë në ekranin e BlackBerry-t. Teknologjia shpiku orën e dorës që njerëzia mos bridhnin me orën e murit mbi shpinë dhe të mos ishin të detyruar që, çdo dy minuta, të nxirrnin nga xhepi i jelekut sahatin me qostek; por ja që miku im, çfarëdo të jetë duke bërë, tashmë duhet të lëvizë me njërën dorë të zënë. Njerëzimi po na e atrofizon njërën prej gjymtyrëve, ndonëse e dimë mirë sa kanë ndikuar në evoluimin e llojit dy duart dhe pëlqyeri.
Më bie ndërmend se kur njerëzit shkruanin me pendë pate u duhej vetëm njëra dorë, por për të shtypur në tastierë u duhen të dyja dhe, në çdo rast, telefonofori nuk mund t’i përdorë dot njëherësh edhe celularin edhe kompjuterin; por ja, fill m’u kujtua që “phone addict”-i nuk ka më nevojë për kompjuterin (një objekt tanimë prehistorik), ngaqë celularin mund ta lidhë me internetin dhe të dërgojë SMS; nuk i duhet as për të nisur ndonjë e-mail, sepse mund të flasë menjëherë me njeriun që e ka ndarë mendjen ta bezdisë dhe që mezi po pret për t’u bezdisur prej tij. Është e vërtetë se, kësisoj, leximet në Wikipedia do të jenë më të lodhshme, pra, më të shpejta dhe më të cekëta, mesazhet e shkruara më telegrafike (ndërsa me e-mail mund të shkruash edhe letrat e fundit të Jacopo Ortis-it), por telefonofori nuk ka nge të mbledhë informacione enciklopedike, as t’i artikulojë mirë fjalët, sepse është i zënë me biseda gjithfarësh, koherencën sintetike të të cilave na e provojnë përgjimet, që tani i nxjerrin në pazar, prej nga kuptojmë se “phone addict”-i jo vetëm llap çfarë i vjen për mbarë, por edhe planet e ardhshme i shpreh me pika retiçence dhe me ca pasthirrma të tipit “cazzo” dhe “vaffanculo”, sikur të ishte njeriu i Neandertalit.
Për të shkuar më tej, ju lutem të kujtoni nga libri i Verdone-s “Dashuria zgjat përjetë”, pjesën ku një torollake ia kthen partnerit në makth edhe çastin më intim, sepse teksa tundet mbi barkun e tij, gjen kohë edhe për t’iu përgjigjur mesazheve tepër urgjente. Më rastisi edhe të lexoj intervistën që i dhashë një gazetari spanjoll (veç të tjerash, kishte edhe pamjen e një njeriu të zgjuar dhe me kulturë), i cili vërente me habi të madhe se bashkëbisedimi ynë nuk u ndërpre asnjëherë nga zilja e celularit (kjo e pati bindur që unë isha njeri fort i sjellshëm). Nuk arrinte dot të kuptonte se unë ose nuk kisha fare celular, ose e mbaja vazhdimisht të fikur, ngaqë nuk jam i interesuar të marr mesazhe të padëshiruara, por e përdor vetëm për të parë agjendën.