Nga Ejona Zenelhasani

Më ka rastisur të jem fëmijë i viteve ‘90 që për shumë gjëra nuk i jam mirënjohëse fatit. Por mendoj që të mirën më të madhe që brezi ynë ka, është se mund të lexojë dhe dëgjojë atë çfarë brezat përpara jetuan. Një ndër këto është edhe mikpritja dhe bujaria e shqiptarëve dhe shtëpive tona dikur.

Mbaj mend kur isha e vogël dhe telefonat ishin shumë të rrallë, shtëpia jonë mbushej plot me miq. Ata nuk njoftonin para se të vinin, pasi nuk kishin si. Telefonatat ishin shumë te shtrenjta dhe shpeshherë njerëzit komunikonin vetëm me zile.

Për një kafe mëngjesi vinte një komshie. Me të ndaheshin hallet e ditës dhe ndonjë thashethem tek tuk, pa shumë interes pasi rrallë dëgjoje lajme të këqija. Ne habiteshim kur dëgjonim se një çift është ndarë, apo dikush rrahu dikë, e jo më ekstreme të tjera. Me të dëgjuar, kështu kishte qenë dhe në breza përpara.

Në dreka zakonisht ishim në shkollë dhe prindërit në punë, por në fundjava gjithmonë kishim vizita. Por edhe nëse nuk kishim, ushqimi bëhej me bollëk, gjë që paralajmëronte ardhjen e dikujt.

E njëjta gjë bëhej për darkën. Ndonëse gjashtë anëtarë në familje, në shtëpi kishim një tavolinë tjetër me kanata në anë, të cilën e gjeja në shumë shtëpi të tjera dibrane. Madje në shtëpi kishim një dhomë që quhej “dhoma e pritjes” ose “dhoma e miqve” e cila ishte më e kollandrisur se dhomat e tjera. Kjo tregonte respektin ndaj miqve duke e ulur në vendin më të mirë në shtëpi.

Edhe pse më pak se 10 vite kanë kaluar, e gjithë kjo histori më është kthyer përmbys.

Ja nis nga telefonatat. Nuk janë më aq të shtrenjta si më parë dhe për me tepër na kanë zgjidhur shumë punë. Psh. Telefonat eleminuan komshien time pasi ajo nuk ishte më aq interesante. Mjafton të hap njërin nga rrjetet e mia sociale dhe unë mund të lexoj lajme nga më të ndryshmet, që dikur as i imagjinoja. Madje tani ndarjet për mua janë aq të zakonshme sa nuk më tërheqin më vëmendjen.

Nuk pres të më vijnë njerëz dhe të më trokasin në derë, se e para jo shumë e dinë se ku unë jetoj, se nuk janë të interesuar dhe e dyta gjithmonë pres të më njoftojnë para, me telefon.

Nuk shpenzohet më kot për ushqime të tepërta. Gatuhet aq sa konsumohet, miqtë gjithsesi do na thonin para.

Orët e vona të natës nuk i kaloj më duke lozur shah apo domino, kam telefonin personal dhe mund të loz çfarë loje të dua, fundja ato janë demode.

Më ka ndodhur të dëgjoj dhe të jem plot herë në situata të sikletshme, ku një mik vjen pa njoftuar. Gjëja e parë që bëhet është që shkëputet vëmendja nga telefoni dhe shohin të gjithë njëri tjetrin në sy, me demek të pyesin të kishte njoftuar gjë ty.

Shqiptarë mikpritës që i trembemi mikut. Përpara se të hapim derën kalojmë kokërdhokun e syrit nga syri magjik, mbajmë frymën që mos na degjojë njeri derisa të njohim personin prapa dere.

Kështu i presim ne shqiptarët miqtë sot. I rrahim kraharorin botës për mikpritjen, por në fakt ajo ndjenjë sa vjen e po vaket kudo në Shqipëri. E vetmja gjë që rritet janë ekranët e telefonave dhe të televizorëve, që të paktën na kujtojnë me artikuj dhe shkrime sa mikpritës jemi ne.