Lidhu me ne

Aktualitet

Pse duhet të durojmë!

Nga Blendi Fevziu

Po më ndodh diçka që nuk e kam pasur asnjëherë të mjaftueshme më parë. Kam kohë. Shumë kohë. Qëndroj ulur përballë televizorit me orë të tëra, por nuk përqëndrohem dot të ndjek një film. Lëviz nëpër kanale informative, shoh lajme, pastaj prapë lajme.

Librat janë të gjithë në krah të kolltukut tim, por sapo nis e ndjej që kam kohë, por jo përqëndrim. Nuk vijoj dot më tej. Qëllon që një paragrafi i kthehem disa herë. Derisa e lë. Shoh prapë lajme. Lidhem në telefon me mjekët apo persona që ndjekin gjendjen e emergjencës. Herë-herë dal të shoh se çfarë ndodh në rrugët e shkretuara të Tiranës, apo të flas duke ruajtur distancën me kalimtarë të rastësishëm. Po aq sa me policët apo shitëset e farmacive, të cilët qëndrojnë në detyrë. Janë të gjithë të formatuar njësoj, tejet të sjellshëm, por po kaq të shqetësuar. Nuk ka shpërthime, nuk ka mëri, ka vetëm paqartësi. Nuk e kuptojnë çfarë ndodhi kaq shpejt dhe më e keqja askush s’e di sa do zgjasë…

Nuk më ka ndodhur kurrë diçka si kjo! Në 30 vite si gazetar, ose edhe më tej, në kujtesën time prej 50 vjeçari.

Nuk e kam fjalën për rrugët e shkreta të Tiranës; as për dyqanet e mbyllura me qepenat e ulura. I kam parë këto edhe në 12 apo 13 Mars të 1997.

Nuk flas për ankthin. E kam prekur atë shumë herë në këto 30 vite. Kur mijëra burra, gra e fëmijë, hidheshin mbi anijet që lundronin të tejmbushura drejt Italisë në Mars apo Gusht të 1991; Në ditët e epidemisë së kolerës në shtator 1994; në orët e frikshme të 14 shtatorit 1998.

Nuk flas as për karantinën e vetëdetyruar. Në Mars 1997 u mbyllëm në shtetrrethim për 6 muaj të tërë. Në atë kohë interneti nuk ekzistonte dhe komunikimi në distancë nuk ishte ky që është sot.

E kam fjalën për ankthin e mosnjohjes që po na cfilit të gjithëve. Për pasigurinë e asaj që vjen më pas. Që askush nga ne nuk e di me saktësi.

Deri më sot “e keqja” ka qenë e njohur. Dije nga të ruheshe. Sot, cfilitja më e madhe është pikërisht të identifikosh rrezikun. Ai është kudo, por s’e dallon dot lehtë. Kjo na ka bërë mosbesues, ka ndryshuar thellë stilin tonë të jetesës. Sheh me dyshim çdo të afërm apo të njohur që ke përballë. Pastaj, dallon që dyshimi ekziston edhe tek ai. Tek mënyra si të sheh, si të qëndron në të njëjtën largësi që beson se është i mbrojtur. Kush është bartësi? Kush është i infektuari?! Dyshimi dhe mosbesimi bëhen pjesë e jetës.

Në gjithë rastet e tjerë besonim se zgjidhja do të vinte shpejt. Besonim tek ndihma e botës. Këtë herë bota ngjan po aq e gjunjëzuar sa ne, po aq në ankth. Eshtë hera e parë që s’kemi nga të presim ndihmë. Eshtë hera e parë që nga viti 1918 që epidemia gjunjëzon pikërisht botën e zhvilluar: Kinën, SHBA, Italinë, Francën, Spanjën, Britaninë dhe jo vendet e varfëra të Afrikës apo Amerikës latine. Edhe HIV apo Ebola shkaktuan miliona viktima, por asnjë prej tyre nuk preku në mënyrë radikale mënyrën e jetesës së demokracive perëndimore. Koronavirusi po e bën këtë. Bota është e gjitha në karantinë dhe zemra ekonomike e planetit po merr goditje të forta.

Nuk eshtë e lehtë të qëndrosh në izolim. Të kalosh orë të tëra në një hapësirë të vogël pa e ditur se si do jetë dita që vjen. Por, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër veç kësaj.

Ne e dimë që sistemi ynë shëndetësor ka shumë probleme. Nëse gjithçka do ta linim në dorë të tij, katastrofa do ishte e sigurtë. Pa i ndihmuar ne mjekët, nuk na ndihmojnë dot ne ata. Nëse nuk izolohemi, nëse nuk frenojmë rastet, nëse ato shtohen nga papërgjegjshmëria jonë, mjekët e kanë të pamundur të na shërbejnë. Është fatale që njerëzit që kanë dyshim shkojnë tek mjekët dhe nuk ju tregojnë që kanë udhëtuar nga Italia apo kanë pasur kontakte me persona të infektuar. Siç ndodhi në disa rrethe dhe Tiranë.

Çdo mjek i infektuar është një ushtar më pak në betejën me virusin. Një ushtar më pak janë disa jetë më shumë të rrezikuara. Ndaj çdo gjë fillon nga ne. Italia tregoi se dhe një nga sistemet më të përparuara shëndetësore të botës mund të kolapsohet. Nju Jork Tajms botoi dje një shkrim me parashikime të frikshme.

Duke ju referuar skenarëve të CDC, (Qendrës Amerikane të Kontrollit të Sëmundjeve dhe Parandalimit të tyre), NYT sqaron se skenari më i keq parashikon se do infektohen midis 160 – 214 milionë amerikanë. Po sipas këtij skenari, humbjet e jetës mund të jenë 200 mijë – 1.7 milionë. 2.4 – 21 milionë amerikanë mund të kenë nevojë për trajtim spitalor. Por, Amerika ka vetëm 925 mijë shtretër të gatshëm. Pra, në skenarin ekstrem dhe më të rëndë kolapsohet edhe vendi më i fuqishëm i botës. Ndaj ka vetëm një zgjidhje. Izolim dhe frenim të infektimit.

Nuk e dimë sa do zgjasë. Me siguri nuk do jetë e shkurtër. As këtë javë, as tjetrën. Do jetë një betejë e gjatë me virusin, po aq sa me monotoninë dhe izolimin. Masat mund të jenë edhe më drastike. Si në Kinë, Itali apo Spanjë. Por, duhet ta dimë; kjo është beteja jonë, ose mënyra e vetme për ta fituar këtë betejë me sa më pak humbje.

Por, frika dhe paniku nuk mund të ndalë pjesën jetike tonën. Mjekët do shkojnë në punë. Po ashtu infermierët. Shoferët e ambulancave, operatorët e urgjencës, shitësit e ushqimeve, farmacistët, kamionistët dhe punëtorët e furnizimeve, ata të pastrimit; gazetarët që do informojnë, punonjësit e policisë dhe të ushtrisë, punonjësit e aeroporteve, pilotët dhe stjuardesat.

Një armatë e tërë që do rrezikojë për të qenë më të mbrojtur të tjerët. Ndaj nuk duhet t’ju krijojmë panik. Duhet ta kuptojnë që do mbyllet ai që nuk është i domosdoshëm dhe duhet të vijojë punën ai që e ka për detyrë.

Nuk mbaj mend kurrë një gjendje si kjo. Por me gjasë jeta është e tillë.

Më ngjan sikur rilexoj “Murtaja” e Kamysë. Madje, dje e nxorra nga biblioteka për ta lexuar sërish. 35 vjet më parë ishte për mua një libër i shkruar bukur. Sot, me siguri ka tjetër ndjesi. Nuk është e lehtë të jetosh në karantinë. Po nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të shpëtuar veten dhe të tjerët.

/opinion.al/

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook