Lidhu me ne

Temporal

PENA SI PUSHKA

nga Gjovalin Macaj

Ka fjalë që mbushin faqen, por ka fjalë që nuk të dalin faqet për t’iu zbërthy ngarkesën që mbajnë. Në tre paragrafe, Ardian Vehbiu thotë aq shumë për nji temë që lëvrohet aq pak, sa nuk do të mjaftonte nji libër i tanë për me i trajtu si duhet për nga randësia që kanë.

Fryma me të cilën zoti Vehbiu shprehet rreth lidhjes mes standardit e gegnishtes dëfton prirjen tonë të përgjithshme të pranojmë me lehtësi mohimin e vedit si të mirën e përbashkët.

Nji vendim krejt arbitrar si vendosja e standardit na paraqitet si nji domosdoshmëri historike, nji veprim mbase i padrejtë, por i pakthyeshëm— ‘Çfarë ka ndodhë, ka ndodhë – tani duhet të shofim përpara, sepse nuk asht se nuk na dalin hallet që kemi sod’, duken sikur thonë. Sikur hallet që kemi sod, e do t’i kemi prap nesër, nuk lidhen me hallet që kishim dje.

E djeshmja shifet si nji faqe e errët e së kalumes sonë, për ata që nuk e kanë përjetu drejtpërdrejt por që kanë nji fije vetëdije morale e ndershmëri intelektuale.

Por ata që e kanë vuajte mbi kurriz, e djeshmja asht nji realitet i përditshëm, pamvarësisht se mund ta rrejnë vedin për t’i dhanë vedit shpresë, apo rrehen nga të tjerët që i’u lejnë fajin për hallet e tyne—sikur të ishin fajtorë vetë ato, e hallet e tyne të mos i kishin rranjët tek e djeshmja.

Ministria e së vërtetës

Mohimi i plotë i gegnishtes nga standardi zyrtar asht rranja e mohimit të gjithanshëm që gegëve i’u asht dasht e i’u duhet me vuejtë nga qytetnimi zyrtar që jeton në saj të tij.

Por fryma qytetare zyrtare na ban me besue krejt të kundërtën, bash sikur të jetonim në nji botë Oruelliane.

Ajo na ban të besojmë se halli nuk qëndron te mohimi mizor i gegnishtes, por te dështimi i policisë së mendimit për ta mohu atë perjetësisht, për ta zhdukë në vrimën e kujtesës.

Vigjilenca që tregohet për ruajtjen e pastërtisë së standardit nga gegnishtja, ku e folmja e saj në hapësirën tonë të përbashkët shifet si shfaqje subversive, do të bante me u krenue edhe idhtarët ma të mëdhenj të ministrisë së vërtetës. Nji ministri me vullnetarë pa fund që mbrojnë të vërtetën zyrtare kurdoherë, kudo që gegnishtja ngre kryet në hapësirën publike.

Me këto rreshta do të cek në mënyrë telegrafike disa nga pikat kryesore që ngren zoti Vehbiu në reagimin e tij ndaj shkrimit tim ‘Rranjët e Universales’, për të vu në pah se si përdorimi i përditshëm i standardit asht i pandashëm nga vijimtësia e mohimit të gegnishtes, e shkaku madhor i gjendjes mjerane ku gjenden gegët sod.

Ju shkruani:

“Çështja që diskutohet i tejkalon caqet e përdorimit të standardit/dialektit, por po komentoj vetëm sa i takon kësaj si nënçështje. Supozojmë se jemi të ftuar në një televizion publik dhe dikush fillon të flasë gegnishten e Shkodrës (ose të Kosovës). Ky person është, besoj, i vetëdijshëm se duke vepruar kështu, sinjalizon edhe se nga është, në mos edhe pozicionimin e tij në çështje të standardit. Duke vepruar kështu, e ekspozon veten ndaj kritikës për partikularizëm, sa kohë që të ftuarit e tjerë përpiqen t’i mbahen standardit ose, në rastin më të keq, të flasin në ligjërimin bisedor të Tiranës, që ka integruar elemente të shumta nga e folmja e qytetit.”

Cilësimi juaj asht i saktë: ky person që flet në dialektin e tij do të dallohej qartë, si për përkatësinë e tij, ashtu edhe ndoshta për qasjen ndaj standardit. Por lidhja me partikularizmin, apo thanë ma shqip e shkoqun, me perkatësinë si gegë, mua nuk më duket kaq e qartë. Do të ishte e tillë, vetëm sikur ne ta gjykonim nji njeri për nga mënyra se si flet, dhe jo për atë ç’ka thotë.

Po sikur nji gegë të mos zotëronte standardin si duhet, por të ketë diçka me domethanie për me thanë, në gjuhën që ai din të shprehet ma mire, edhe kur nuk asht gegnishte letrare? A nuk duhet të ketë vend ne hapsirën publike për këtë njeri?

Nëse i shohim gjanat nga prizmi yt, ne shpjegojmë sociologjikisht me nji shembull të spikatun si kuptimin ashtu edhe forcën marramendëse të rolit, por kjo njohuri nuk na afron afër thelbit.

Thelbi ka të bajë me lidhjen mes standardit dhe gegënishtes.

Përse ndeshemi ne me një dukuri të tillë, ku standardi nuk e kapë e nuk e përcjellë fuqinë e imagjinatës të atyne që e folin, kur ata shofin mjetet rrethanore si mënyrën ma të volitshme për  t’u shprehë? A nuk mësohet si duhet standardi, apo janë të trashë ata që nuk e përvetësojnë atë? Apo të dyja?

Apo mos e kemi hallin tek standardi vetë. Nji standard me të cilin pjesa ma e madhe e atyne që e flasin nuk e gjejnë vedin ne elementin ma themelor, bash në elementin që na ndan prej shtazorëve të tjere: aftësinë tone të shprehemi nëpërmjet fjalës, të japim e të marrrim mend, të ndryshojmë mendjen tonë e të tjerëve, e mbase edhe sjelljen e njerzve – jo me kamzhik, por veç nëpërmjet fjalës. Jo me pushkë, por me penë.

Kur flasim për një çështje kaq madhore, pra për ç’ka na veçon si njerëz, a mund t’ia lejojmë vedit të folim rreth saj sikur të ishte nji defekt teknik, nje ngërç administrativ që duhet të marre rrugën e zgjidhjes në mënyre zyrtare?

Unë thom jo.

Gjuha për të cilën e kam fjalën nuk asht veç një mjet komunikimi, siç ishte nji herë e nji kohë lingua franca, por ma tepër nji menyrë me qenë në kët botë. E kam fjalën per gjuhën e zemres, gjuhen e andrrave, gjuhen me te cilën lavdojmë jetën e vajtojmë vdekjen. Gjuha që përcakton frymën me të cilën kuptojmë vedin, botën që na rrethon e vendin tonë mrena saj. Gjuhën e shpresës e gjuhën e vetëdijes – gjuhë që s’ka të krahasueme me gjuhët e huaja që mëson, sado mirë t’i zotnosh ato.

Gjithmonë e ma shpesh i baj vedit pyetjen: pse unë arrij të shprehem rrjellshëm në gjuhë të huaja kur kam nji njohje siperfaqesore të tyne, por nuk gjej vedin në gjuhën që duhet të jetë gjuha amtare, pra standardin që ne po marrim në shqyrtim?

A mos jam unë problemi, që kam marrë arsimin e mesëm në nji shkolle fshati në nji periudhë ku mësimi ishte fjalë e huaj, a thua përnimend të kem nji mangësi te theksueme që vlekërka vetëm për standardin tonë?

Pra pse qenka kaq e veshtirë gjuha që duhet t’a flasë e të luaj me të krejt natyrshëm?


Standardi nuk asht gjuha jonë

Kam frikë se problemi ne këtë mes nuk qëndron veç tek unë, apo shumë të tjerë si unë. Hallin e kemi të dorës së parë – hall që na dërgon deri tek themelet e qytetënisë qe kemi ndërtu nan udhëheqjen e simbas frymës së Enverit.

Ju shkruani:

“Kur unë flas në publik, duhet të jetë tjetri dialektolog i trajnuar, që ta kuptojë se nga vij – unë kam lindur dhe jam rritur në Tiranë, në familjen time është folur edhe dialekti i Gjirokastrës, por tani – në familjen time të re – flas zakonisht një gegnishte të zbutur, ose të përzier (p.sh. them “kam shku” dhe jo “kam shkuar”). Megjithatë, në publik, për respekt të forumit ku jam dhe të publikut, unë gjithnjë përpiqem të flas në standard. Gjykoj se kompetenca ime për të qenë qytetar i mirë varet EDHE nga aftësia që kam për të kaluar nga një regjistër ligjërimor në tjetrin, sipas rrethanave. Dikush që flet gegnishten e Shkodrës (ose të Kosovës) në publik është, besoj, i vetëdijshëm se zgjedhja e tij për të folur kështu është subversive (ndaj rendit ligjërimor publik); dhe nëse është i vetëdijshëm, atëherë nuk duhet të habitet për efektet e kësaj zgjedhjeje, tek të tjerët që nuk veprojnë ashtu (nëse dikush vërtet nuk arrin dot të shprehet në standard, edhe pse përpiqet, atëherë me të ka dështuar sistemi shkollor publik). Për ta thënë thjesht: unë që flas me ty në publik nuk kam nevojë që ta di se nga vjen ti, për ta gjykuar argumentin tënd dhe për të dialoguar me ty, sa kohë që argumenti yt nuk ka lidhje me origjinën tënde gjeografike.”

Na po folim për diçka jetësore. Çështja nuk asht se si duhet të sillemi me standardin në lidhje me dialektet. Çështja asht nëse ky asht standardi i duhun, apo jo. Unë them se standardi i sotem i shqipes nuk asht gjuha jonë.

Këtu nuk bahet fjale për të tregu dashamirësi heroike apo mëshirë për gegnishten. Gegnishtja nuk asht për t’u mëshirue. Ajo ç’ka duhet mëshiru asht standardi i kashtës që na errëson mendjen e nuk na lejon të shofim e shijojmë pasuninë e hiret e gegnishtes.

Ajo që asht për t’u mëshirue asht qasja jonë kundrejt gegnishtes, jo vlera e gegnishtes.

Kur ju si dijetar i gjuhes e shifni të pëlqyeshme të shpreheni me nji gegnishte të zbutun në mjedisin ma të shtrenjtë, pse nuk duhet të vlejë për të gjithë ne, t’a kemi të gjithë kët mundësi? Që standardi jonë të jetë gjuha jonë e të rrezatojë forcën e pasuninë e thesarit të gjuhes sonë.

Unë pajtohem me ju kur thoni se e folmja në nji gjuhë të kuptueshme shihet si nji shenjë respekti për ata që t’shofin e ngjojnë, por kjo vlen vetëm nëse i shof gjanat nga prizmi i standardit. Pra nga pika vrojtuese sunduese, që kërkon nga gjithë të tjerët, të gjithë ata që folin shqip, të përtypin standardin.

Vetëm nëse marrim standardin si pikënisje të mirëqenë, mund të rrejmë vedin se mohimi i gegnishtes asht virtyt i standardit.

Puna asht se neve hallin e gjejmë n’rrajë—e kemi tek standardi. Asht sikur dikush që prek trupin me një gisht të thyem, e kujton se trupi asht n’agoni, kur në realitet asht vetëm gishti i thyem që shkakton dhimjen. Standardi asht gishti i thyem.

Thelbi i çështjes asht mali që kemi përpara nesh: pra arsyeja pse ligjërimi publik asht kaq përjashtues për ata që kanë gegnishten si gjuhën e nanës—pra shumica dërrmuse e shqiptarëve.

Sistemi shkollor asht me randësi të madhe këtu, por vetem nëse ajo që mësohet n’shkollë asht me vlerë. Sistemi shkollor mund të jetë afër së përsosunes, por kur mëson terrin, nuk ka si me na nxjerr n’dritë; n’fakt, na mban t’ngërthyem në terr të përjetshëm, gjithnji tue na ba me mbajt vedin për t’shkolluem. ‘Huta me shkollë’, sikur i thonë.

Në kët rrafsh nuk kemi t’bajm me peshën e prejardhjes mbi atë qa themi dhe si e themi – por me arsyet se pse pesha e prejardhjes shifet si barrë, dhe jo si nji pikë mbështetje, nga ku mund të shohim madhështinë e shumanshme të gjuhës sonë; si nji burim i pashterrshëm që përçon nji za ndryshe në polifoninë tonë kombtare, nji gur tjeter themeli për t’përforcu kshtjellën tonë t’shqiptarise, duke na pasunu të gjithëve si shqiptarë.

Pra përse rreshtohemi në barrikadën e mbrojtjes kundra vedit e përjashtimit të vedit, dhe nuk hapin krahët e pranimit e përfshirjes, të jemi ma bujar e dashamirës mes vedi, e jo veç me të huajt, që duket se i mbajmë nalt me përulsi porsi Zotin.

Unë jam për dialog, por vlera e tij varet nga thelbi që shoshisim nëpërmjet dialogut, e kushtet e dialoguesve. Dialogu mund të jetë mjet i artë n’kërkim të të vërtetës, por edhe nji rrugë e volitshme për mohimin e saj. Duhen pa rrethanat në të cilat zhvillohet dialogu për ta cilsu atë si diçka të dobishme, apo jo.

Në debatin televiziv që përfytyroni ju, unë nuk shof dialog, por njerz që bajnë punën e ministrisë së vërtetës, me dije ose me padije.


Pse mos t’ia japin dorën gegnishtes?

Ju shkruani:

“Këtë e ndërlikon edhe më fakti që gegnishtja, me të cilën dalin në publik disa, nuk është aq e konsoliduar, si variant letrar, për të përballuar standardin. Kjo, sepse ata që e flasin, për arsye të ditura, nuk e kanë studiuar kurrë në shkollë dhe, në një mënyrë ose në një tjetër, gjithnjë improvizojnë. Gegnishtja këtyre u del herë pas here gjysmake, e cunguar, me trajta të luhatura, e përzier me forma të standardit (unë këtë mund ta provoj me hollësi, por nuk besoj se është rasti). Është shumë e vështirë të flasësh sot një gegnishte letrare aq të rafinuar, sa t’i afrohet standardit, sepse gegnishtja letrare praktikisht nuk po praktikohet as po kultivohet më. Kjo ia ul vetvetiu statusin atij që kërkon të pozicionohet politikisht, duke përdorur gegnishten atje ku PRITEJ që të përdorte standardin.”

Pajtohem plotësisht në këtë pikë. Nuk kam nevojë të shoh përtej vetes për te pranu se sa e mangët asht mënyra se si shkruhet gegnishtja, dhe e di fort mirë se sa borxhli i jam kur s’e shkruej si duhet.

Gegnishtja e sotme letrare gjendet në kushtet e mbijetesës. Bajmë fjalë për nivelin e Nard Ndokës, e jo te Fishtës.

Por do të ishte e habitshme sikur gegnishtja të mos ishte në këtë gjendje, me krye në hi.

Gegët e letrave që mbanin gegnishten gjallë u shfarosën. Veprat e tyne u syrgjynosën, bashkë me gjuhën. Folësit e saj u shtypën e u lanë mbas dore, për nji gjysë shekulli. Vendin e tyne e zuni sundimi gjakatar komunist, që i bani me mendu për gjuhën e kulturën e tyne sikur të ishin gjana prapanike për ti mbulu me dhé, për t’u zhdukë ne vrimën e kujtesës.

Gegëve iu desht t’i binin mohit rranjeve të tyne e t’i thurnin lavde robnisë së tyne. Me iu thur kangë e knue me dorë n’zemër sundimit të ri, në të folmen e re Oruelliane, në standardin e ri—bash si të ishte gjuha e pushtuesit.

Sod na takon të zgjedhim si te sillemi kundrejt kësaj ndodhie historike—apo katastrofe kombëtare, nëse gjykojmë sikur të ishim nji komb.

A e mbulojmë me dhé gegnishten, ta varrosim të gjallë, aty ku tani dergjet me kry në hi, për të mos me na bezdis ma? Apo t’ia japim dorën me e çu në kambë–me e ngjallë prap e me ia përtëri e vlerësu hiret e saj. Gegët rifitojnë hirin e nderin që iu takon, e ne të tanë gjejmë nji gjuhë që na përket e na naltëson.

Këtu nuk bahet fjalë për nji garë mes gegnishtes letrare dhe standardit. Unë e kam fjalën për ndryshimin e standardit. E kam fjalën për formimin e një standardi të ri që përbashkon të dyja krahët e shqipes.

Standardi si tra

Kjo sepse standardi zyrtar funksionon si postbllok i një zaptuesi, ku gegëve ju bahet nji kontroll i imtësishëm për t’mos i leju të trafikojnë gjuhën e kulturën e tyne në gjuhën e kulturën tonë t’përbashkët—që veç të përbashkta nuk janë.

Na me të drejtë mund t’ habitemi me traun e Kukësit që i’ua vumë përpara shqiptarve të Kosovës, por trau i standardit asht gjthkund, edhe ma i madh e ma i fortë—pse nuk asht krejt i dukshëm apo i drejtpërdrejtë për t’u vëzhgue.

Trau i standardit vepron kudo, edhe në zonat ma të thella të Gegnisë, gjthkund ku qytetnimi zyrtar ka kthetrat e tij, dhe që i mban t’ ngulme në emen t’ shqiptarise. Ma keq asht kur traun e kemi të tane në kokë, siç kanë gjermanët ish-murin e Berlinit apo die Mauer im Kopf.

Tani imagjino për një çast, sikur gegët të mos zotrojnë si duhet as gegnishten dhe as standardin qe kemi sot. Me thanë të drejtën kjo gja kërkon shumë pak imagjinatë: mjafton të hapim sytë me deshirën e mirë me pa, për të vërejtë që ky asht realiteti i përditshëm për pjesën dërrmuese të gegëve.

Por lypet me e nxitë pak imagjinatën për të kuptu mjerimin pa fund qe i’u shkaktohet gegëve nga qytetnimi sundues që buron prej standardit e fshihet mas tij. Kur format ma jetësore të pushtetit që ushtrohet çdo ditë, shiten e blihen në monedhën e standardit zyrtar.

Fakti që jemi me kët standard nuk dëshmon përshtatshmërinë e tij apo epërsinë mbi gegnishten, por asht shembulli ma i spikatun i kastes zyrtare që sillet si zgjedhë sunduese.

Ky standard nuk mishëron perkushtim deri ne vetflijim për mbrojtjen e nji ideali kombëtar, apo së mirës së përbashket. Ai vé në pah nji nga mjetet jetësore me të cilat kasta sunduese mbush barkun, e sundon sikur të ishte Enveri gjalle.

Disa e bajnë kët punë sepse dinë se qa bajnë. Të tjerët ngase tjetër nuk kanë qa të bajnë. Dhe shumica dërrmuese që çojnë ujë ke mullini i sundimit për me i përblue, e bajnë atë pa e ditë se po e bajnë atë gja; po ta dinin, do t’ju digjte zemra për ndonjë fletë lavdrimi për punën e tyne të palodhun vullnetare.

E kështu, si për mrekulli, i kthejmë gegët sikur duam t’i kemi—ma së shumti si ushtarë trima e atdhetarë të zjarrtë, si punëtore krahu e partiakë të flakët. Pra si mish për top.

Por jo si njerz të vetëdijshëm për vlerat e aspiratat e tyne.

Pra me standardin që kemi dhe qytetënimin zyrtar që mbahet tek kjo, na bashkarisht bajmë atë që Stalini ju bani Polakëve —për dikand nji e keqe e nevojshme për të sundu një popull, për dikand tjetër shfarosja e ajkës intelektuale të nji populli që e vuan edhe sot e kësaj dite. Por kësaj rradhe e kemi lanë pushkën meqë pena mjafton.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Radar18 orë më herët

Rama i dhuron 16 mijë m2 tokë dhe ndërtim Arbër Hajdarit të “Fundjavë Ndryshe”

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij herë pas herë tallen me ligjin e krijuar vite më parë nga qeveria...

Mix18 orë më herët

Fakte interesante/ 100 vjet Hugo Boss!

Hugo Boss ishte një stilist dhe biznesmen gjerman, i cili themeloi kompaninë me të njëjtin emër plot 100 vjet më...

Mix18 orë më herët

A ju ndihmon vërtet të humbni peshë, pirja e 2 litra ujë në ditë?

A ju bën vërtet të humbni peshë pirja e ujit? Hulumtime të ndryshme konfirmojnë lidhjen mes ujit dhe humbjes së...

Aktualitet18 orë më herët

Çmenden Tatimet/ Masakër me profesionet e lira, u llogarisin tatimin mbi 30 për qind të xhiros

Nga Klodian Tomorri Mijëra profesionistë të lirë po përballen këto ditë me një masakër të vërtetë fiskale, teksa në adresat...

Kryesore18 orë më herët

A është çmendur Ilir Meta? – Koment nga Armand Shkullaku

Nga Armand Shkullaku Peisazhi mediatik i ditëve të fundit është përmbytur nga titujt e komentet e një çështje, e cila...

Mix18 orë më herët

Çdo dhimbje koke sinjalizon një problem shëndetësor – Çfarë duhet të dini

Në shumë raste, dhimbjet e kokës rrëfejnë mesazhe të fshehura të organizmit. Ato mund të paralajmërojnë edhe praninë e një...

Mix18 orë më herët

6 lodrat e seksit që do i aprovonte edhe ikonikja Samantha Jones

NETFLIX Nëse ka një mësim që e morëm nga “Sex & The City”, është ai i të jetuarit seksin dhe...

Radar18 orë më herët

Shitet investimi i parë strategjik/ Mentor Mezini shet Drymades Beach Resort për 12 milionë euro

Bluebay shpk, kompania që po realizon investimin strategjik Drymades Beach Resort në Gjilek të Himarës, ka ndërruar pronar. Mentor Mezini...

Mix19 orë më herët

50% e sëmundjeve vdekjeprurëse parandalohen nga dieta mesdhetare

E kuqe, jeshile, e bardhë, portokalli dhe lejla: këto janë pesë ngjyrat që nuk duhet t’i mungojnë asnjëherë tryezës. Në...

Temporal19 orë më herët

I vetmi geg mes toskëve! Çfarë shkruante New York Times për udhëheqësin e ri shqiptar, Ramiz Alia

Si u ngjit në karrierë Ramiz Alia nën udhëheqjen e Enver Hoxhës derisa iu besua detyra e lartë në prillin...

Facebook