Lidhu me ne

Radar

Si u themelua Turqia moderne nga Mustafa Kemal Ataturku

Si u themelua Turqia moderne nga Mustafa Kemal Ataturku

Pas Luftës së Parë Botërore, Perandoria Osmane u shpërbë, dhe Turqia moderne lindi mbi hirin e saj, falë Ataturkut (mbiemri i atribuar nga parlamenti që do të thotë “babai i Turqisë”), ushtarak dhe politikan, presidenti i parë i Republikës, i konsideruar si një hero kombëtar. Ndër masat e marra për ta bërë Turqinë një vend modern, Ataturku shfuqizoi kalifatin dhe i vendosi organizatat fetare nën kontrollin e shtetit, duke njohur barazinë gjinore dhe duke vendosur të drejtën universale të votës.

Më 10 gusht 1920, në periferinë pariziene të Sevrës, 3 përfaqësues të plotfuqishëm të Sulltan Mehmetit VI, nënshkruan dokumentin që sanksiononte fundin e një epoke. I zbatuar nga Anglia, dhe i mbështetur nga Franca dhe Italia, traktati parashikonte copëtimin e Perandorisë Osmane.

Në fakt, ai vendosi dhënien Greqisë të Thrakisë Lindore (përfshirë Adrianopojën, sot Edreneja) dhe të Smirnës me rajonin përreth, ndërsa kryeqyteti, Kostandinopoja, dhe rajoni i Ngushticës së Bosforit do të kishin një status ndërkombëtar.

Përveç kësaj, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë do t’i garantoheshin “zona të ndikimit ekskluziv” në Egje dhe Azinë e Vogël. Madje në atë kohë u shpresua për krijimin e një Kurdistani të pavarur midis Anadollit dhe Mesopotamisë së Epërme.

Nëntë ditë më vonë, më 19 gusht, Asambleja e Madhe e Ankarasë, e dalë nga qeveria rebele nacionaliste, dhe e drejtuar nga ish-gjenerali Mustafa Kemal, e denoncoi traktatin dhe shpalli fajtorë dhe tradhtarë të atdheut anëtarët e Këshillit të Kurorës, që nuk e kundërshtuan diktatin e fuqive të mëdha.

Më 21 tetor 1920, kryeministri i sulltanit dha dorëheqjen dhe u arratis jashtë vendit, ndërsa Mehmeti VI, i privuar tashmë nga çdo pushtet, mbeti i izoluar në pallatin e tij. Perandoria Osmane, ishte prej kohësh në një agoni, e cila kishte origjinë të largët:për shumë breza ajo ishte ushtarakisht e dobët, dhe me përçarje të brendshme.

Në fakt ajo konsiderohej si “E sëmura e Evropës”, dhe territoret e tij në periferi ishin bërë objektivi kryesor i synimeve ekspansioniste austro-hungareze, ruse dhe italiane, por edhe i ambicieve hegjemoniste më pak të drejtpërdrejta të Britanisë së Madhe dhe Francës.

Ishte Italia ajo që nisi fazën përfundimtare të copëtimit të perandorisë, me sulmin ndaj Libisë

në shtatorin e vitit 1911. Më pas erdhi Lufta e Parë Ballkanike (tetor 1912-maj 1913), e cila i dha praktikisht fund dominimit turk në gadishull, në favor të Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë.

Në fillimin e shekullit XX, perandoria osmane ishte mposhtur dhe poshtëruar shumë herë. Gjithsesi ajo mbeti ende një fuqi e aftë për të luajtur një rol të rëndësishëm strategjik në një konflikt evropian. Për këtë arsye, qeveria gjermane, bëri një lëvizje të papritur në fillim të Luftës së Madhe.

Për t’i bindur osmanët që të merrnin anën e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë kundër Aleancës së Trefishtë (Francë, Angli dhe Rusi), Berlini i dërgoi si dhuratë sulltanit dy kryqëzorë modernë. Ato u ankoruan në Stamboll,më 10 gusht 1914, dhe mjaftuan për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në Detin e Zi.

Ismail Enver, Ministrin osman i Luftës, i shpalli luftë Rusisë dhe rrjedhimisht edhe aleatëve të saj në Perëndim. Enver ishte i bindur se mund t’i mundte shpejt rusët, por gaboi. Në dhjetor 1914 ai ndërmori një ofensivë në frontin e Kaukazit, por ushtria osmane u mund rëndë në betejën e Sarikamish në janar 1915.

Për atë disfatë Enver fajësoi armenët. Me t’u kthyer në Kostandinopojë,  ai tha se disfata ishte shkaktuar nga “tradhtia e armenëve”, pasi kishte jo vetëm reparte vullnetarësh armenë që luftonin përkrah trupave cariste, por edhe banda rebele në pjesën e pasme të frontit.

Në prillin e vitit 1915, guvernatori ushtarak osman i qytetit armen Van kërkoi dorëzimin e menjëhershëm të 4 mijë ushtarëve. Banorët reaguan duke rrëmbyer armët dhe duke e barrikaduar lagjen e tyre, ku ishin grumbulluar mbi 15 mijë refugjatë. Qyteti ia doli të rezistojë për 1 muaj, dhe në fund u çlirua nga një regjiment rus.

Ndërkohë, nën pretekstin e “kolaboracionizmit”, Enver kishte nisur një represion të egër në të gjithë perandorinë, duke arrestuar dhe ekzekutuar eksponentët kryesorë të komunitetit armen. Më pas nisën masakrat nëpër fshatra dhe “shpërnguljet e detyruara” të civilëve në Siri dhe Mesopotami, një deportim masiv në kushte çnjerëzore.

Ishte një “marshim i vdekjes” që shkaktoi mbi 1 milionë të vdekur, kryesisht pleq, gra dhe fëmijë:gjenocidi i parë i viteve 1900, i pa ndëshkuar falë “gjendjes së përjashtimit”, për shkak të konfliktit të zgjatur botëror. Turqve iu desh të mbroheshin nga sulmi i aleatëve kundër gadishullit të Galipolit (në ngushticën e Dardaneleve në perëndim të vendit), që supozohej t’i hapte rrugën drejt Stambollit trupave britanike dhe franceze.

Pas një beteje rraskapitëse, osmanët fituan. Ishte një sukses, që mundësoi mbijetesën e perandorisë. Por fati i saj ishte de fakto i vulosur. Në vitin 1918 disfata e Bullgarisë dhe perandorive të boshtit qendror (Gjermania, Austro-Hungaria), tërhoqi në mënyrë të pashmangshme drejt rrënimit edhe aleatin e tyre më të dobët.

Në atë moment Anglia, Franca dhe Italia donin ta ndanin midis tyre. Më 10 gusht 1920, kur qeveria osmane u delegjitimua në Sevres, dhe kur udhëheqja e politikës turke iu dorëzua të huajve, gjenerali Mustafa Kemal organizoi një grusht shteti. Ndërkohë grekët pushtuan Thrakinë, Smirnën dhe pjesën më të madhe të Azisë së Vogël perëndimore.
Fronti jugor ishte ende i hapur kundër francezëve në Kiliki, ndërsa armenët po luftonin për të zgjeruar territorin e tyre në Anadollin verilindor. Ataturku, heroi i Galipolit, i luajti me një mjeshtëri të jashtëzakonshme kartat e pakta që kishte në dispozicion. Lëvizja e parë fituese ishte aleanca me bolshevikët që sapo kishin ardhur në pushtet në Moskë.

Marrëveshja me Rusinë revolucionare, i dha mundësi Ankarasë që t’i mposhtte shpejt armenët, dhe vuri në dispozicion trupat e nevojshme për të ndaluar ofensivën greke në Anadollin qendror. Më pas më 20 tetor 1921, erdhi edhe pika e kthesës: Kemal nënshkroi fshehurazi një traktat me Francën që i dha fund armiqësive në kufirin jugor.

Situata në frontin perëndimor nuk ishte zgjidhur ende. Turqit e kaluan dimrin dhe pranverën duke e armatosur ushtrinë, që do të fitonte luftën kundër Greqisë. Operacioni ishte i suksesshëm, dhe falë “ofensivës së madhe të verës”, grekët pësuan një humbje të rëndë. Më 9 shtator 1922 turqit hynë në qytetin e Smirnës.

Pati një masakër: grekët dhe armenët u vranë nga ushtria turke, dhe një zjarr i tmerrshëm shkaktoi disa mijëra të vdekur. Pas kaq shumë shkatërrimesh, të krishterët dhe hebrenjtë u larguan nga qyteti, duke u strehuar kryesisht në Greqi.

Ekzistenca dhe kufijtë e shtetit turk u njohën nga bashkësia ndërkombëtare me Traktatin e Lozanës, të nënshkruar më 24 korrik 1923, që anuloi vendimet e Sevres, dhe vendosi kufijtë që korrespondojnë me kufijtë aktualë.

Në zbatim të traktatit, ndodhi një “shkëmbim i popullsisë”:mbi 1 milion të krishterë u dëbuan nga vendet ku kishin jetuar për shekuj në Azinë e Vogël, duke përfunduar si refugjatë në Greqi, ndërsa një numër më i vogël myslimanësh nga Ballkani u vendosën në Anadoll.

Më 29 tetor 1923 Kemal u zgjodh presidenti i parë i Republikës së Turqisë, e shpallur po atë ditë. Ish-gjenerali e futi vendin në kursin drejt modernitetit, duke reformuar dhe siguruar shtetin sipas modelit perëndimor.

Në vitin 1934, parlamenti i dha mbiemrin Atatürk, “babai i turqve”. Që nga ajo kohë, ushtria ka qenë një element përcaktues në jetën politike dhe shoqërore të Turqisë post-osmane. Por grushti i dështuar i 2016-ës, e futi në krizë marrëdhënien midis qeverisë dhe ushtrisë. / Focus –Perktheu: Bota.al

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook