Lidhu me ne

Kritike

Hoxhallarët injorantë dhe importimi i errësirës

Hoxhallarët injorantë dhe importimi i errësirës

Nga Baton Haxhiu

Kur u nisa, e paragjykova. Nuk e dija që Fairmont Hotel në Mekë ishte kaq madhështor dhe Ritz-Carlton një nga më të mirët në botë. Nuk e dija që liria e gruas në Arabinë Saudite nuk ishte ajo që kisha menduar. Arabia po ndryshon. Ne me hoxhallarët injorantë që predikojnë po kthehemi aty ku ata ishin.

Desert Rock Resort dhe Shebara nuk janë vetëm një imazh. Janë vetëm dy projekte nga shumë të tjera, duke përfshirë edhe tetë stadiume olimpike që po bëhen realitet. As projekti i një qyteti me disa projekte prej 1.3 trilionësh i shtrirë në një hapësirë sa Belgjika e sotme, përfshinë vizionin Arabia Saudite  2030.

Desert Rock ku ishim të vendosur ishte i fshehur mes kodrave të lashta shkëmbore të Sharaan-it. Ai nuk është thjesht një destinacion turistik i luksit, por një dëshmi e një epoke të re në Arabinë Saudite. Një epokë që nuk ka më të bëjë me konservatorizmin e shekullit të kaluar, por me një vizion të qartë: zhvillim, ekonomi, turizëm dhe një fe që nuk i kundërvihet progresit.

Ngjitem në një nga kodrat që rrethojnë resortin, nga ku peizazhi i shkretëtirës shtrihet si një det i pafund dritash dhe hijesh. Më poshtë, vila të fshehura mes gurëve, të krijuara jo për të pushtuar natyrën, por për t’u shkrirë me të. Një projekt i cili jo vetëm që sfidon perceptimin për Arabinë Saudite, por e shkatërron atë. Ky nuk është vendi që shumica e njerëzve në Ballkan imagjinojnë kur dëgjojnë, ehhh Arabia Saudite.

Nuk është më ajo Mbretëri që dikur eksportonte konservatorizëm të ashpër fetar nëpër botë. Ajo periudhë ka mbaruar.

Por ironia e madhe është se ndërkohë që Arabia Saudite po transformon veten, në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri po importohet ajo që vetë arabët po braktisin—një fe e ngurtë, dogmatike, e mbushur me frikë dhe injorancë. Dhe në vend që të ndodhë në qendrat e mëdha urbane, ku ekziston sfida intelektuale, kjo dogmë ka gjetur tokë pjellore në xhami të vogla, shpesh të financuara nga burime të dyshimta.

Në xhaminë e Lakrishtës në Prishtinë, ku predikuesit kërcënojnë me zjarrin e xhehenemit më shumë sesa mëshirojnë Zotin.

Në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku njerëz të thjeshtë ndjekin ligjërata që kanë më shumë lidhje me një realitet të imagjinuar të shekullit të shtatë, sesa me jetën moderne të një shqiptari në vitin 2025.

Në një xhami në Shqipëri, ku predikues të vetëshpallur predikojnë një fe që është armike e kombit dhe e mendimit të lirë.

Ndërkohë që Arabia Saudite po ndërton metropole teknologjike dhe po sjell DJ-të më të njohur në festivalet e saj, në këto lagje të Ballkanit shqiptar ende debatohet nëse është haram të dëgjosh muzikë, të studiosh shkencat, apo të respektosh festat kombëtare.

Një ritual i errët në Lakrishte dhe një turmë që nuk kupton asgjë

E imagjinoni Xhaminë e Lakrishtës ku falen njerëzit në mes të rrugës në një mëngjes dimri në këtë lagje të Prishtinës? Kështu është edhe në mes të Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut?

Rrëfimet bëhen në një ndërtesë gri, pa dritare të mëdha, pa hapësirë për dritë, si të gjitha dogmat e errëta që e duan errësirën më shumë se arsyen.

Një imam, i sjellë nga një bursë e financuar nga fondacione të huaja, me një diplomë që nuk është as e barabartë me një shkollë të mesme të dobët. Ai qëndron para një turme, njerëz të thjeshtë, punëtorë, disa të moshuar, disa të rinj që janë të lodhur nga një shoqëri pa perspektivë. Ai nuk predikon dashurinë për Zotin apo filozofinë e thellë të Islamit. Ai nuk shpjegon historinë, dijen, ose arsyen. Ai shpall ligje, shpall ndalesa, shpall frikë.

“Gratë nuk duhet të dalin nga shtëpia pa lejen e burrit”.

“Nëse dikush dëgjon muzikë, zemra i bëhet gur”.

“Gjithçka që është moderne është haram”.

“Jeta e kësaj bote është e pavlerë, shikoni vetëm jetën e përtejme”.

Një turmë që vetëm lëviz kokën. Asnjë pyetje. Asnjë sfidim i arsyes. Një rit automatik, ku njerëzit nuk mendojnë, por ndjekin. Një fe që nuk mëson si të jetosh me dinjitet, por vetëm si të kesh frikë. Një dogmë e zbehtë, pa frymë.

Një ritual injorance, në mes të Evropës, ndërkohë që vetë Arabia Saudite ka filluar të shkundë zinxhirët e një mentaliteti të vjetër.

Pyetja që qëndron para institucioneve është, Nëse Arabia Saudite Po Ndryshon, Pse Ne Jo. Pse ne lejojmë të palejueshmen.

Në shkretëtirën e Sharaan-it, tek vështroj perëndimin e diellit mbi Desert Rock Resort, nuk mund të mos mendoj për një kontrast të thellë ku Arabia Saudite po ndryshon sepse e ka kuptuar se errësira nuk ndërton qytetërime. Ajo po modernizohet, po integrohet në botën globale, po investon në dije dhe zhvillim.

Po ne ku po e çojmë botën shqiptare.

Nëse një vend që dikur ishte simbol i konservatorizmit të ashpër po ndryshon, çfarë na ndalon ne?

Nëse Arabia Saudite po ndërton një të ardhme të hapur dhe të integruar, pse Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po lejojnë të burgosen në një model fe të falsifikuar, të importuar nga predikues pa dije?

Ne kemi një zgjedhje. Ose të mbetemi robër të një errësire që nuk është as e jona, as Islami i së vërtetës. Ose të ecim përpara, të ndërtojmë një shoqëri ku feja dhe moderniteti mund të ecin së bashku, siç po bën vetë Arabia Saudite sot.

Sepse nëse një vend që dikur ishte simbol i fanatizmit po ndryshon, çfarë na ndalon ne?

Në fund të fundit, Zoti nuk kërkon injorancë. Ai kërkon mençuri.

Arabia Saudite po zgjohet nga një ëndërr e gjatë konservatore. Pyetja është:

A do të zgjohet edhe Ballkani?

P.S.

Në Desert Rock Resort dhe në qetësinë e natës së Sharaan-it, ku Alexandri si astronom, na shpjegon qytetin e ardhmërisë nën një qiell ku yjet duken më afër se kudo tjetër, edhe mendimi rrjedh ndryshe.

Aty e kuptova se vetmia nuk është boshllëk, por hapësirë për të shkruar, është hapësirë ku njeriu e ndjen veten si pjesë të një madhështie më të madhe, por edhe si një pikë e vogël në pafundësinë e universit.

Kuptohet pse në këtë vetmi lindën mendimtarët, poetët, filozofët e mëdhenj të botës islame. Mendimet lindin në natë të heshtur, mes gurëve dhe rërës që flet me erën, ku feja nuk është britmë, nuk është frikë, nuk është urdhër, por një urë mes shpirtit dhe arsyes.

Një hoxhë i vërtetë nuk i mbyll njerëzit në errësirë, por i udhëzon drejt dritës. Një mendimtar nuk kërcënon, por pyet. Një njeri që e prek Zotin nuk ka frikë nga dija, por e kërkon atë.

Në këtë natë të qetë, ku heshtja nuk është bosh, por kuptim, është e qartë se feja nuk është armike e mençurisë, vetëm injoranca është armike.

Dhe pyetja e vërtetë mbetet: nëse në këtë vend, në këtë shkretëtirë, ka lindur mendimi, urtësia dhe dija, pse shqiptarët në veçanti në Kosovë e Maqedoni dhe pse jo në Shqipëri dhe pastaj edhe në regjionin Preshevës e Sanxhakut po e pranojnë versionin më të varfër të saj?

Versionin e Arabisë Saudite që po vdes dhe po lind një tjetër e vitit 2030.

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook