Aktualitet
Standardi “Berisha”: Ai i atyre është hajdut, kjo e jona nuk ka bërë dëm

Ceno Klosi dhe Silva Hasaj kanë një gjë të përbashkët.
Të dy kanë dalë nga rinumërimi i Qarkut Fier, me diferenca shumë të larta votash.
Njëri me mbi 800 vota dhe tjetra me gati 700 vota tepër, janë të dy njësoj.
Njëri me drejtuese të listës ministren Balluku dhe tjetra me drejtues politik, drejtuesin e grupit parlamentar të PD-së, Bardhin.
Por për Berishën nuk janë njësoj.
Kur të gjithë po i citojnë të 2 si fenomeni i rinumërimit të Fierit, për standardin “Berisha” kjo nuk është ashtu siç e shohin të gjithë.
Pa u pyetur për Ceno Klosin, Berisha nisi lumin e akuzave me emër e mbiemër për atë dhe për drejtuesen e listës se Fierit. Në logjikën e Berishës, derisa ai thotë që je hajdut, kjo nuk ka nevojë të hyjë në makinerinë e logjikës së të tjerëve. Derisa e thotë ai, të tjerët mundet vetëm ta përsërisin, por jo ta vënë në dyshim.
Por i pyetur për kandidaten e listës së PD-së, atëherë ai tha se kush ka shkelur ligjin duhet të përgjigjet, por kandidatja e tij nuk kishte bërë ndryshim liste. Kurse Zegjineja kishte bërë ndryshim liste.
D.m.th. në rastin e 700 votave të kandidates së Berishës, duhet gjetur kush ka shkel ligjin. Pra, “fajin e kanë numëruesit”!
As zonja Hasaj e as zoti Bardhi nuk u anatemuan me fjalorin personal dhe për hir të së vërtetës edhe shumë të limituar të Berishës.
Për Berishën, për kandidaten e vet dhe vathën e vet, fajin e kanë numëruesit.
Kurse për kandidatin e Ramës dhe vathën e Ramës, nuk e kanë fajin numëruesit, por vetë kandidati, se ai qenkësh hajdut dhe drejtuesja e listës së Fierit se qenka lubi.
Për pak nuk na tha se numëruesit ishin urdhëruar nga Lubia që t’i shtonin vota kandidates së Gazit dhe Saliut që të shtonin radhët e hajdutëve. Me fjalorin e Berishës këto do cilësoheshin: “Intriga të ndyra në kurriz të Partisë Demokratike nga njerëz pa ligj e pa moral”.
Të paktën kësaj radhe nuk e trashi aq shumë sajesën.
Për Berishen kandidatja e vet nuk ka faj se ajo nuk ndryshoi rreshtimin në listë kurse Zegjineja ndryshoi listën.
Por harroi kur për burrat e listave të veta, në mandate të kaluara, “vriste” me radhë të gjitha gratë që t’u bënte vend ca burrave të preferuar prej tij.
Ky është standardi “Berisha” për vlerësimin e njerëzve.
Ndaj nuk e merr më njeri seriozisht!/CNA
