Aktualitet
“Edi Rama është politikani më me fat”

Nga Indrit Vokshi
1. Qeveria “Rama 4” është qeveri rutinore pas triumfit përfundimtar e për kohë të gjatë të PS-së dhe Edi Ramës në skenën politike shqiptare. Fitorja e 2021 ka qenë shumë, ndërsa kjo e 2025 ka qenë dërrmuese dhe do të japë efekte afatgjata në gjeostrategjinë e brendshme të pushtetit në Shqipëri.
2. Edi Rama nuk ka pasur një qeverisje brilante. Nuk ka pasur ndonjë menaxhment të spikatur të punëve të shtetit. Nuk ka mundur të çojë ashtu siç duhet përpara disa sektorë kyç si uji, intrastruktura rrugore, regjimi i tokës, eficenca administrative, kaosi urban e rural. Këta sektorë e klasifikojnë një vend si vend të civilizuar. Ne nuk jemi ende një republikë e civilizuar.
3. Edi Rama po formon qeverinë numër 4, prej talentit të tij në mbajtjen dhe administrimin e pushtetit; ketë talent dhe fat e ëndërrojnë shumë politikanë në botë, ndaj nuk mundemi të themi se Rama është i pazoti. Edi Rama sot është i vetmi gjenerator interesash në Shqipëri, zyra e tij është e vetmja qendër e pushtetit dhe ska një zyrë tjetër ku pushteti i tij rivalizohet apo detyrohet të ndahet dhe të balancohet.
4. Edi Rama është politikani më me fat. Rivalët e tij janë si lokali i lagjes; të gjitha lokalet e tjera në lagje janë rregulluar, investuar, zbukuruar, kanë marrë staf më të aftë, mundohen të jenë bashkëkohore. Vetëm njëri lokal nuk ka bërë investime, ka ende xhamat dhe orenditë e para 20 vjetëve, aty mblidhen vetëm burra mbi 50 vjeç që analizojnë ngjarjet globale, zihen, bëjnë zhurmë. Dhe strategjia e pronarit të këtij lokali nuk është të investojë, të mbajë rregull dhe të bëhet bashkëkohor por, synon t’i tërheqë klientët duke sharë pronarin e lokalit përballë, duke thënë se ai është pis burrë dhe lokalin e ka ndërtuar me lek droge, e kanë ndihmuar vëllezërit që ka jashteshtetit etj.
5. Para 15 vjetësh është menduar se Shqipëria mundej të kishte një demokraci relative, një republikë të balancuar dhe një dinamikë të interesave. Sot jemi mësuar me mendimin se në Shqipëri nuk do të ketë gjallëri dhe dinamikë interesash, nuk mundemi të kemi as demokraci relative në kuptimin e rotacionit dhe të qarkullimit politik. Sot rotacionin e karrierave dhe interesave po e bën vetë Edi Rama i cili ka bërë rotacion në çdo instancë, përveç vetes.
6. Sot Shqipëria është republikë e kalcifikuar quasi-feudale me hierarki, me familje të parë dhe familje të dytë në politike. E para mban pushtetin e dyta bllokon opozitën. Partitë e reja ose të vogla duken më shumë si platforma private të interesave të karrierës së një personi kryetar sesa si “parti në bursë” ku secili mundet të investojë aty interesat e veta ekonomike, ideologjike-kulturore dhe karrieriste.
