Lidhu me ne

Kioske

Hajrie Rondo, aktorja që i qëndisi rolet e saj!

Ju tregoj gëzimet dhe brengat e nënës sime, Hajrie Rondo [FOTO]

Shkruar nga Ilir Çumani

Nga Delvina e lindjes deri në skenat më të mëdha teatrore dhe të kinemasë shqiptare, ajo u shenjua si simbol i gruas së fortë, një qëndrestare e admirueshme dhe aktore që e përjetonte çdo rol me shpirt, përmes forcës dramatike dhe elegancës së groteskut. Sot, emri i saj është pjesë e pavdekshme e kulturës sonë kombëtare. Arti i saj nuk do të shuhet kurrë…

Sot mbushen tetë vjet që është ndarë nga jeta një nga figurat më të mëdha të artit skenik dhe kinematografik shqiptar, aktorja e paharruar Hajrie Rondo.

Ndarja e saj nga jeta më 9 shtator 2017 nuk ishte një ikje përfundimtare për artdashësit dhe adhuruesit e pafund të roleve të saj, por një fillim i ri i kujtesës sonë kolektive.

Sepse ka njerëz që nuk ikin kurrë, edhe pse i largohen fizikisht kësaj bote. Ata vazhdojnë të jetojnë përmes kujtesës në zemrat e njerëzve, në shpirtin e artit të madh. Dhe Hajrie Rondo padyshim është një nga këta emra të pashlyeshëm.Hajrie Rondo, aktorja që i qëndisi rolet e saj!Aktorja në rolin e Tanës, në filmin artistik shqiptar “Përrallë nga e kaluara”

E lindur në Delvinë më 1 mars 1951, Hajria erdhi në jetë në një vend ku guri dhe historia i japin peshë çdo fjale, ku femra është mësuar të mbajë mbi supe barrën e kohëve, dhe pikërisht aty janë rrënjët e saj si grua e fortë.

Studimet në Institutin e Lartë të Arteve (1969-1972) i dhanë krahët e duhur për të fluturuar në skenë, por talenti dhe përkushtimi i saj ishin burimi i pashtershëm që do ta shndërronin në ikonë të skenës shqiptare.Hajrie Rondo, aktorja që i qëndisi rolet e saj!Në vitet e jetës studentore

Menjëherë pas studimeve, ajo u emërua në teatrin “Bylis” të Fierit, ku roli i parë – gruaja e heroit në dramën “Heronjtë e Linasit” të Sulejman Pitarkës – u bë preludi i një jete të tërë të mbushur me art, dhimbje, emocion dhe nder.

Hajria interpretoi që herët karakterin e grave të forta, qëndrestare, krenare, shpesh të heshtura, por me një botë të brendshme të pasur e dramatike.

Ajo kuptoi se gruaja shqiptare nuk flet gjithmonë me fjalë, por flet edhe me heshtjen e saj të rëndë, me sytë që shkreptijnë, me duart që rrinë të mbledhura, me dhimbjen që nuk shfaqet, por përjetohet deri në asht.

Roli i Ruzes në dramën “Gjëmimi i atij dimri” të Teodor Laços (1976), i cili i solli edhe një çmim, është shembull i qartë i kësaj aftësie të saj për t’i dhënë peshë universale një figure të thjeshtë.

Po aq e fuqishme dhe bukur i realizuar ishte edhe roli i Fatbardhës te “Balada për një grua” e Dritëro Agollit, ku dashuria ndërthurej me dinjitetin moral dhe intelektualitetin.

Këto nuk ishin thjesht role artistike, ishin fragmente të shpirtit kolektiv shqiptar, të materializuara mbi skenë.

Nëse dramat e saj ishin një pasqyrë e shpirtit shqiptar, rolet komike shpërfaqnin talentin e saj të përveçëm në një tjetër dimension edhe më të epërm të artit të saj: në aftësinë për të bërë humor me dhimbjen, për ta kthyer jetën e vështirë të grave shqiptare në një lojë groteske, ku qeshja përmes sarkazmës fine dhe inteligjente shoqërohej gjithmonë nga një dhembje e heshtur.Hajrie Rondo, aktorja që i qëndisi rolet e saj!Në filmin artistik shqiptar, “Një vit i vështirë”.

Në rolin e Likës te komedia “Sa mirë bëri që vdiq”, ajo solli një grua fshatare të papërpunuar, të vrazhdë, por të mençur në mënyrën e saj intuitive.

Në këto role spikaste plastika e saj, intonacionet dialektale, lojërat me gjuhën e trupit dhe aftësia për t’i dhënë çdo karakteri një jetë të vetën.

Te “Zi e më zi” e Kristo Floqit, me rolin e zonjës Galë, ajo shndërroi pikëllimin në hare, lotin në këngë, tragjiken në farsë.

Ky ishte arti i saj që na tregonte se jeta nuk është asnjëherë vetëm njëra anë – ajo është gjithmonë një përzierje e dritës dhe errësirës.

Edhe në kinematografi, Hajrie Rondo mbeti një zë i fuqishëm dhe me peshë domethënëse në lojën e saj të rafinuar e brilante.

Ajo ishte një aktore mjaft e lakmuar nga disa regjisorë me emër, si Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Vladimir Prifti, Saimir Kumbaro, Muharrem Fejzo, Rikard Ljarja, Albert Minga etj.Hajrie Rondo, aktorja që i qëndisi rolet e saj!Me aktorin Robert Ndrenika, në filmin e njohur “Përrallë nga e kaluara”.

Tek filmi “Përrallë nga e kaluara”, roli i Tanës i dha asaj çmimin e parë dhe e ktheu në simbol të gruas shqiptare të kohës, një grua që përplaset mes paragjykimeve dhe dëshirës për të jetuar lirisht, mes xhelozisë qesharake dhe dhimbjes tragjike.

Ky rol është një nga gurët e çmuar të kinemasë shqiptare, zbuluar dhe ndërtuar bukur e mençurisht prej regjisorit Dhimitër Anagnosti, një pasqyrë e jetës dhe marrëdhënieve sociale të epokës.

Nga filmi “Agimet e Stinës së madhe” te “Një emër midis njerëzve”, apo “Nëntori i Dytë” dhe “Kush vdes në këmbë”, Hajria solli figura grash të thjeshta, por me peshë të madhe shpirtërore, duke i dhënë një vitalitet dhe jetësim të gjallë çdo karakteri që luante.

Ajo nuk ishte thjesht një aktore, por një njohëse dhe antropologe e thellë, e mençur dhe e heshtur e jetës rurale, që nëpërmjet rolit dokumentonte jetën e grave shqiptare ndër shekuj.

Personazhet e saj ishin gra që përballeshin me paragjykime, me presionin e shoqërisë patriarkale, me mungesën e lirive, por që gjithsesi ruanin një dinjitet të brendshëm, një krenari të pashuar.

Ato ishin nënat që rrisin fëmijë mes sakrificash, gratë që sfidojnë burrat me heshtjen e tyre, të dashurat që mbeten besnike deri në fund, fshataret e ashpra por të mençura, të gjitha të skalitura me art të madh.

Psikologjikisht, ajo ishte mjeshtre e detajeve: një pauzë e saj kishte peshë më shumë se një dialog i gjatë; një vështrim, një shikim zhbirues e shpotitës i saj hapte një botë të tërë; një gjest i vogël zbulonte dramën e brendshme të një personazhi.

Ajo ishte aktore e dimensioneve dhe shpërthimeve të fuqishme tragjikomike që jetonte rolin, jo thjesht e luante atë.

E nderuar me Urdhrin e Artë “Naim Frashëri” (1988) dhe me Çmimin e Karrierës (2007) për monodramën “Klithma e një nëne”, Hajrie Rondo mbetet një nga figurat që e kanë ngjitur artin shqiptar në lartësi të veçanta.

Ajo nuk është thjesht një kujtim i së shkuarës, por një zë që vazhdon të na flasë edhe sot, tetë vjet pas largimit të saj.

Në skenë dhe në film, ajo ishte gjithmonë një grua që nuk dorëzohej, një figurë që mbartte dhimbjen e kohës, por edhe shpresën e së ardhmes.

Në të shohim Shqipërinë e brendshme – atë Shqipëri që qan e qesh, që vuan e qëndron, që hesht e flet me dinjitet.

Tashmë ajo nuk është më mes nesh fizikisht, por është në çdo kujtim, në çdo skenë të regjistruar, në çdo kujtim të arkivuar në celuloid apo në pelikulën kinematografike, në çdo figurë femërore që ajo i dha jetë.

Ajo është pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe mbetet një monument shpirtëror i gruas shqiptare në art.

Për këtë arsye, sot, tetë vjet pas ndarjes së saj, ne nuk e përkujtojmë vetëm si të ikur, por më së shumti si të pavdekshme…

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook