Radar
Roberto Saviano: Trump në gjurmët e Hitlerit, atentati ndaj Kirk si zjarri i Reichstag!

Nga Utah në Berlinin e 1933-shit: Saviano sheh ‘Reichstag-un e Trumpit’ në atentatin ndaj Kirk…
Atentati që i mori jetën Charlie Kirk, 31-vjeçarit konservator, mbështetësit të Donald Trump dhe figurës së spikatur të lëvizjes MAGA, vazhdon të gjenerojë reagime të ashpra në opinionin publik dhe rrjetet sociale. Kirk u ekzekutua me një plumb në qafë ndërsa zhvillonte një debat të hapur me studentët në një universitet në Utah, ngjarje e cila tronditi jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe opinionin ndërkombëtar, pasi pamjet dramatike të atentatit u përhapën në gjithë botën.
Në mesin e komenteve të shumta, ka shpërthyer polemika e ashpër ndaj shkrimtarit italian Roberto Saviano, i cili në rrjetin social X bëri një krahasim që u cilësua si i tepruar dhe ofendues nga shumë përdorues. Saviano shkroi se “vrasja e Kirk mund të bëhet për Trump ajo që ishte zjarri i Reichstag-ut në vitin 1933 për Hitlerin: jo vetëm fundi i një jete, por shkëndija për një transformim radikal të ekuilibrit politik dhe shoqëror.”
Ai shpjegoi se Hitleri e përdori zjarrvënien e parlamentit gjerman si justifikim për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, për të pezulluar të drejtat themelore dhe për të shtypur kundërshtarët politikë. Sipas Savianos, ekziston rreziku që Trump të shfrytëzojë tronditjen dhe indinjatën e shkaktuar nga atentati për të forcuar pushtetin e tij dhe për të ndjekur një axhendë autoritare.
Në përfundim të postimit të tij, autori i “Gomorrës” e cilësoi Trump-in si “të dobët, të paqëndrueshëm politikisht dhe për këtë arsye shumë të rrezikshëm”, ndërsa për Kirk theksoi se “ishte një provokator që provokonte përmes dialogut. Por fjalët janë fjalë dhe dhuna është dhunë: nuk ka vrasje që mbrojnë ide. Gjaku i derdhur dobëson gjithmonë demokracinë.”
Reagimet në rrjet nuk vonuan. Një pjesë e përdoruesve mbështetën analizën e Savianos, por shumë të tjerë e sulmuan ashpër. Njëri shkroi: “Saviano, e di që për ty gjithçka është Hitler… por të përdorësh vrasjen e Charlie Kirk për të bërë historinë e vogël është thjesht e neveritshme”. Një tjetër reagim i fortë ishte: “Vritet një djalë 31-vjeçar për idetë e tij politike dhe gjëja e parë që të vjen në mendje është ta instrumentalizosh lajmin për propagandën tënde. Turp të kesh.”
Madje disa e akuzuan hapur kampin e majtë për nxitje të dhunës: “Ky atentat e keni mbi ndërgjegjen tuaj. Ju i ngrini tonet, ushqeni urrejtjen ndaj kundërshtarit politik dhe tani keni prodhuar dhunë. Ju jeni mandantët moralë.”
Ngjarja, e cila tashmë ka pasoja të rënda në politikën amerikane, ka ndezur edhe një front të ri polemik në Europë, duke treguar se vrasja e Charlie Kirk po bëhet jo vetëm një çështje kombëtare, por edhe një pikë referimi në debatin global mbi dhunën politike dhe instrumentalizimin e saj.
