Mix
Çfarë është Nag Paradox, arsyeja pse disa çifte ndahen

Marrëdhëniet në çift shpesh janë të ndërlikuara për t’u menaxhuar dhe jo gjithmonë ekziston ndjenja e bashkëpunimit mes partnerëve. Jo të gjitha lidhjet arrijnë të gjejnë një ekuilibër ideal. Shpesh shfaqen pabarazi pushteti, të cilat krijojnë tensione që mund të dëmtojnë dinamikën e çiftit. Pikërisht për këtë është krijuar termi “Nag Paradox”.
Nag Paradox shfaqet kur njëri partner merr rolin e drejtuesit, cakton detyra dhe merr vendime, ndërsa partneri tjetër e ndjek verbërisht, duke kryer detyrat që tjetri, në mënyrë më të hapur ose të nënkuptuar, i cakton. Kjo dinamikë është më e përhapur nga sa mendohet dhe shpesh gjeneron tensione të padukshme brenda marrëdhënies.
Kjo situatë shpesh buron nga një kulturë që nuk e njeh rëndësinë punës shtëpiake apo asaj mendore dhe emocionale, që janë thelbësore për menaxhimin e familjes. Kushdo që mban mbi shpatulla shumicën e përgjegjësive të shtëpisë, shpesh përfundon duke bërë një punë të padukshme dhe të nënvlerësuar. Kur këtyre personave u atribuohet roli i liderit, ata rrezikojnë të perceptohen si autoritarë.
Nag Paradox mund të lindë në çdo lloj marrëdhënieje, jo vetëm në çift, por edhe në mjedisin e punës apo në familje. Një situatë e tillë shpesh ushqen ndjenja faji dhe pamjaftueshmërie. Është sikur njëri partner t’i thotë vazhdimisht tjetrit: “Thuaj çfarë të bëj. Si mund të të ndihmoj? Më trego si mund të jem i dobishëm për ty.” Një sjellje që, sipas Danger, është një kurth: “Sepse kur një person merr vendime, vendos standarde dhe kërkon ndihmë, në fakt po përpiqet të krijojë lidhje.”
Danger përmend ekspertët e marrëdhënieve John dhe Julie Gottman, duke shpjeguar se sa herë që një person e fton partnerin të marrë pjesë në një aktivitet ose të marrin vendime bashkë, në fakt po bën një ofertë për t`u lidhur. Mund të jetë një ftesë për darkë, ose një kërkesë për të ndarë punët e shtëpisë. “Mund të bashkohesh, të bisedosh, të tregosh interes, ose mund të refuzosh kategorikisht. Por nëse refuzohet vazhdimisht, personi do të ndalojë së kërkuari. Do të lindë distanca emocionale. Marrëdhënia do të përkeqësohet.”
Ajo përmend edhe “Katër kalorësit” e Gottmanëve, katër sjellje që parashikojnë fundin e një marrëdhënieje: kritika, përbuzja, qëndrimi mbrojtës dhe bllokimi. Në kontekstin e Nag Paradox, kritika dhe qëndrimi mbrojtës janë më të theksuar. Kur një partner drejton vazhdimisht dhe merr vetëm reagime negative ose korrigjuese, mund të ndihet i pavlerësuar dhe të bëhet mbrojtës, duke krijuar një rreth vicioz të mbrojtjes dhe rezistencës.
“Nëse je vazhdimisht shënjestër e komenteve negative, apo edhe thjesht e sugjerimeve se çfarë mund të bësh më mirë, ndihesh keq. Mund të fillosh të mendosh se si person, si karakter, si individ po nënçmohesh. Bëhesh mbrojtës. Mbyllesh. Pas një kohe, nuk do të jesh më i hapur.”
Si të luftohet Nag Paradox
Nëse nuk të pëlqen të drejtosh apo të jesh i drejtuar, fol hapur me partnerin për detyrat më të rëndësishme që duhen përfunduar dhe caktoni kush do t’i marrë përsipër. Mundohuni të gjeni bashkë zgjidhje si për menaxhimin e shtëpisë, ashtu edhe për jetën në çift.
Takimet javore për të hartuar një “plan organizimi” dhe për të ndarë detyrat mund të forcojnë bashkëpunimin në familje. Pakënaqësia e atij që mban barrën më të madhe mendore mund të zbutet duke punuar bashkë. Diskutoni kush bën çfarë gjatë javës, përcaktoni standardet dhe bëjeni punën e padukshme të dukshme, duke folur edhe për aspektet emocionale e mendore të çdo detyre. E rëndësishme është të mos merret asgjë si e mirëqenë.
