Lidhu me ne

Kryesore

Debati politik në Shqipëri ka marrë fund ?

Nga Desada Metaj

Opozita provoi sot për herë të parë në kurriz

Opozita parlamentare ka provuar për herë të parë në kurriz “regjimin Rama”. Një togfjalësh i shumëpërdorur në komunimimin politik por që me gjasë deri më sot asnjë nga deputetët e pranishëm në sallë nuk e kishte provuar në lëkurë. Mungesa e debatit për programin e qeverisë Rama 4 është një ngjarje e re në historinë po kaq të re të demokracisë në Shqipëri. Një sinjal i qartë se, tashmë i lodhur nga pushteti që po hyn në vitin e trembëdhjetë, Edi Rama nuk ka më nerva as të bëhet pjesë e spektaklit bajat “zihu grihu digju” në sallën e parlamentit dhe pastaj “krihu” me privilegjet e pushtetit sapo mbaron shfaqja e së enjtes.

Lëvizja e Edi Ramës e gjeti të papërgatitur opozitën e kryesuar nga PD. Fjalimet e shkruara, të kopjuara apo të sajuara me Chat GPT u hodhën në kosh sapo deputetët demokratë guxuan të shanin dhe fyenin me zë të lartë krijesën e re të kryeministrit. Diella, me pamje dhe zë metalik, ja doli t’i nervozojë ligjvënësit demokratë më shumë se Elisa apo Taulanti. Por, ndersa këta të fundit janë mësuar me “beteja” të tilla, Edi Ramës iu dhimbs kaq shumë lodra e tij e re sa, me një plan asfare spontan, paralajmëroi se seanca e debatit për programin do të mbyllej nëse deputetët e opozitës do të shanin dhe bërtisnin kundër Diellës së tij. Dhe kështu ndodhi.

Me forcën që i jep shumica e kartonave, Edi Rama vendosi që për herë të parë të mos zhvillohet debat për programin e qeverisë. Duke lënë pa tekst dhe të shushatur jo vetëm deputetët e opozitës, por edhe të vetët. Që, në përpjekjen qesharake të radhës për t’u dukur si të “brendshëm” në punët e qeverisë së re, i hodhën në kosh fjalimet e përgatitura dhe bashkë me to edhe mundimin për t’u dukur sa më bukur në qeverinë e dielltë të shefit të tyre.

Programi i qeverisë, më saktë i çdo qeverie në këto 30 vite, është një përmbledhje më së shumti e premtimeve dhe dëshirave që ka kryeministri. Nëse dikush merr mundimin dhe krahason 4 vitet e qeverisjes me programin e paraqitur në Kuvend, me gjasë mund të gjejë copëza programesh që shkruhen dhe prezantohen njësoj çdo 4 vjet, pavarësisht se i kujt partie është kryeministri.

Në një vend ku e gjithë opozita dhe mbështetësit e saj në media e konsiderojnë qeverisjen Rama si një regjim, për mua mbetet e pakuptueshme tronditja që pasoi grupin parlamentar të PD për vendimin e kryeministrit. Për të mos folur për strategjinë e përballjes me regjimin, që u katandis në mocion për Nikon dhe kërkesë për ripërsëritjen e seancës. Pra, në Shqipëri opozita mendon se ka përballë një regjim, në të cilin, pasi kryeministri ja heq të drejtën e fjalës, ajo merr vendim se duhet ta rikthejë seancën për të lexuar fjalimet që ka bërë gati.

Në çfarë vendi të botës ka ndodhur apo në ç’manual politik është shkruar se një regjim mundet me fjalime në parlament? Qartas Edi Ramës i është sosur durimi me shfaqjen që vetë e niste dhe e sos­te për sa kohë i duhej që opozitën ta përçante dhe ta identifikonte me Sali Berishën. Tani që zgjedhjet kanë përfunduar dhe PD është katandisur si kaposhi një thelë, kryeministrit nuk i duhet më teatri me sherr e zhurmë, me zjarr e flakadane.

Ndaj, në këtë parlamentin e ri ka vendosur ta spastrojë skenën nga sherret dhe të sigurohet që askush mos t’ja prishë më humorin dhe dellin artistik të piktorit. Për spektaklin me hedhje flake dhe djegie karrigesh Sali Berishës dhe trupës së tij teatralo-politike i duhet të gjejë një skenë tjetër. Sepse ajo e parlamentit tani është plotësisht e pushtuar nga 83 votat e Edi Ramës.

Vendimi për mbylljen e skenës politike për opozitën në parlament ndoshta do ta zhvendosë një pjesë të debatit politik nga seanca e kuvendit në studiot televizive. Por sërish kreu i regjimit me gjasë e ka një zgjidhje. Ai nuk do të mbyllë më as emisione dhe as televizione. Regjimet moderne nuk janë si ato të viteve ‘90. Edi Rama thjesht do vendosë që asnjë deputet apo ministër nga PS nuk do dalë në debat me përfaqësues të PD. E në fakt kjo nuk duket të jetë as ndonjë humbje e madhe për audiencën shqipfolëse, që tashmë e ka humbur prej vitesh interesin për debatet banale të mbrëmjes televizive.

Nga sa u duk sot, debati politik në Shqipëri ka marrë fund. Për të qenë të sinqertë duhet pranuar se prej kohësh ai ishte shndërruar në një gjellë bajate që kulmonte me të enjten parlamentare e më tej me debatet kur çfarë nuk kishte mbet pa thënë në sallë thuhej në një studio. E megjithatë e sotmja i vuri vulën atij që duket të jetë projekti i radhës i shefit të Diellës. Projekt që e përjashton opozitën nga i vetmi moment protagonizmi politik: arena e parlamentit. Dhe për të arritur deri këtu Edi Rama ka punuar fort dhe qartë. Thjesht opozita shqiptare nuk e ka vënë re e sot u surprizua se kreu i regjimit nuk kishte nerva të dëgjonte fjalimet e të vetëve dhe të bërtiturat e majmura të opozitës.

Ajo që prej vitesh duket se vuante thellë në regjimin Rama, sot kuptoi në fakt se regjimi (dhe jo beteja) sapo kanë filluar. Se “regjimi i Ramës”, me gjithë inflacionin e madh të togfjalëshit, deri më sot nuk ka prekur asnjë deputet të opozitës shqiptare. Që nga kryetari i saj e me radhë ata pas tij kanë përfituar këto 13 vjet nga regjimi leje ndërtimi, kanë zhvilluar pronat dhe bizneset, ndërsa të enjten parlamentare kanë ngritur zërin fort “kundër regjimit”. Sepse regjimit i ka vajtur për mbarë që t’i ketë nëpër këmbë zhurmaxhinj dhe të përçarë.

Ndërsa nga sot, regjimi i do të urtë dhe të pazhurmë. Dhe me gjasë të tillë do shfaqen në seancën e ardhshme. Sepse favoret dhe privilegjet e regjimit lezetojnë. Vështirë se e kanë kuptuar se e sotmja në fakt ishte përballja e parë e vërtetë pa plan dhe marrveshje me regjimin.

Ndoshta dikush duhet t’i shpjegojë se regjimet me 83 e kusur vota i përcaktojnë dhe vizatojnë si duan edhe opozitën. E këtë herë e duan të urtë e të bindur. Dhe bëjnë mirë të tregohen të tillë. Përndryshe mundet edhe të zëvendësohen. Edi Rama i ka votat edhe për të zgjedhur një opozitë të re siç e do Diella.

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook