Radar
Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë
Volodymyr Zelenskyy /
Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte paqeje në favor të Rusisë, duke e kthyer krizën e brendshme në armë strategjike për Kremlinin.
Më 10 nëntor 2025, Ukraina u godit nga një prej skandaleve më të rënda korruptive që nga fillimi i luftës me Rusinë. Zyrtarë të lartë pranë presidentit Volodymyr Zelenskyy akuzohen për zhdukjen e mbi 100 milionë dollarëve nga sektori i energjisë, fonde që u dhuruan nga aleatët perëndimorë për të mbajtur në këmbë rezistencën ukrainase.
Ky zhvillim, i konfirmuar nga institucionet ukrainase kundër-korrupsionit, ka tronditur opinionin publik dhe ka dëmtuar seriozisht imazhin e presidentit, që deri tani konsiderohej simbol i rezistencës dhe lider i palëkundur europian. Por tani, në vend të qëndrojë mbi valën e mbështetjes globale, ai po përpiqet të mbijetojë politikisht, ndërsa korrupsioni i brendshëm po e minon në themele betejën kundër Rusisë.
Pasi skandali doli në dritë, dinamika diplomatike ndryshoi. Një draft-marrëveshje paqeje filloi të qarkullojë, ku thuhet se Ukraina do të detyrohej të bënte lëshime territoriale dhe të pranonte kushte të favorshme për Kremlinin. Për herë të parë pas dy vitesh lufte, në këtë draft flitet për “neutralitet të garantuar”, “mospërshpejtim të anëtarsimit në NATO” dhe “autonomi të veçantë për rajonet lindore”. Janë kushte që në rrethana të zakonshme do të konsideroheshin kapitulluese, por në kontekstin aktual, kur qeveria e Kievit ka humbur besimin e brendshëm dhe mbështetjen morale të aleatëve, ato po shfaqen si “kompromis i nevojshëm”.
Kjo situatë ka prodhuar një efekt dominues edhe në skenën perëndimore. Politikanë në BE dhe në Kongresin Amerikan, të lodhur nga vështirësitë buxhetore dhe mungesa e progresit ushtarak, tani gjejnë justifikim të qartë për të reduktuar ndihmën.
Skandali i jep legjitimitet moral retorikës së mbylljes së konfliktit dhe “shpërndarjes së përgjegjësisë”, ndërsa retorika heroike e viteve të para ka humbur fuqinë. Në këtë rrafsh, Kremlini nuk ka nevojë të fitojë betejën në terren; i mjafton të shohë kundërshtarin duke u rrënuar nga brenda. Dhe kjo po ndodh.
Për Shqipërinë dhe rajonin, ky zhvillim ka jehonë të qartë: dështimi institucional dhe korrupsioni mund të shndërrohen në kancer strategjik, që jo vetëm dëmton kredibilitetin ndërkombëtar, por edhe shkatërrojnë çdo potencial rezistence ndaj ndikimeve armiqësore. Precedenti ukrainas mund të frymëzojë Moskën dhe aleatët e saj në Ballkan të ndjekin të njëjtën strategji: dëmtim nga brenda, përpara goditjes nga jashtë. Në këtë kontekst, lufta në Ukrainë nuk po shkon drejt fitores apo humbjes në terren, por drejt një epilogu politik, ku korrupsioni mund të përshpejtojë paqen, por me kosto të frikshme për sovranitetin dhe ardhmërinë e vendit.
