Kryesore
Ky është çasti z. Kryeministër
Elson Bajrakurtaj

Më 26 mars 2012, në London School of Economics, unë isha student dhe ju ishit lideri i opozitës. Madje, unë isha një nga organizatorët e atij takimi. E mbaj mend premtimin tuaj: veprimi i parë si kryeministër do të ishte kufizimi i kësaj detyre në dy mandate.
Ai premtim më frymëzoi. Besova te parimi që përfaqësonte: se pushteti ka kufij dhe vendi vjen përpara atij që e drejton.
Sot jam 40 vjeç. Ju jeni në mandatin e katërt. Përballë jush është një brez tjetër studentësh që kërkon dorëheqjen tuaj.
Kam qenë, jam dhe do të jem në krah të studentëve. Të jesh socialist do të thotë të jesh me njerëzit dhe për njerëzit. Një udhëheqës nuk mund ta çojë vendin përpara duke i kthyer shpinën brezit që do ta trashëgojë.
Nuk dua studentë të rrahur, policë të lënduar apo zemërim që shkatërron biznese e institucione. Dua që kjo të ndalet. Çmimin po e paguan Shqipëria.
Partia Socialiste është më e madhe se një individ. Shqipëria është më e madhe se të gjithë ne.
Largimi i Berishës nga pushteti ishte arritja juaj më e madhe. Mos rrezikoni të mbaheni mend si më i keq se ai që larguat.
Sot ju kërkoj të dëshmoni se parimi që më frymëzoi atëherë ka ende peshë për ju. Se dashuria për Shqipërinë është më e fortë se lidhja me pushtetin.
Një karrierë e tërë mund të përcaktohet nga një vendim: kur bën atë që është më e drejtë për vendin, edhe kur është më e vështira për veten.
Ky është ai çast.
