Lidhu me ne

Kryesore

Vdiq në harresë “Paganini” i çiftelisë shqiptare

Vdiq në harresë “Paganini” i çiftelisë shqiptare

Para disa ditesh vdiq i madhi Ndue Shyti : Mediat heshtën. Në ceremonine e varrimit nuk pashë politikanë.  Kish pak shkollë. Por ishte dhe mbeti artist virtuoz.

Ndueja lindi në fshatin Gojan te Pukës dhe u nda nga jeta në Lagjen Kënetë në Durrës.

E kam pasur në shtëpinë e kulturës në Pukë kur unë atje isha drejtor. Në ato kohëra, shef i muzikës në Pukë ishte Mustafa Bylo. Por para meje dhe Mustafait me të kishte punuar edhe Xhemal Smajli, ish-shef muzike, njeri i nderuar.

Në Dizhon të Francës në festivalin europian Ndueja mori gjerdanin e artë me 3,860 kg ar.

 

*****

Fatmir Luarasi*
Sot është e vështirë të gjesh një mjeshtër të çiftelisë apo të fyellit. Dikur e kishim. E kemi harruar 85 vjeçarin Ndue Shyti, artistin e madh i cili njihet ndryshe si Paganini i çiftelisë shqiptare. Askush si ai nuk dhuroi tinguj aq të harmonishëm prej drurit dhe telave apo fyejve; askush si ai nuk e solli shpirtin e popullit shqiptar në skenat më të mëdha të botës.
Ky shkrim synon të shlyejë sadopak mëkatet tona të përditshme me pjesën e artë të së kaluarës tonë. Artisti i Popullit e sfidon me shpirt heshtjen tonë, duke sjellë kujtime që shumë prej të rinjve nuk i kanë dëgjuar kurrë; madje ato tani mund te duken si legjenda…
MREKULLIA NË DIZHON
“Para se të niseshim për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të vitit 1970 në Dizhon te Francës bëmë shumë prova në Ansamblin e Këngëve e Valleve në Tiranë dhe “qepëm” një koncert që do të zgjaste 80 minuta”-thotë Artisti I Popullit Ndue Shyti.
Kur mberritëm në Dizhon na ndryshoi plani… Na thanë se koncerti ynë (si çdo shtet tjetër ) do të reduktohej në vetëm 15 minuta. Pra duheshin hequr pjesë të ndryshme të programit. Mua më thanë që ta ‘qethja’ melodinë time. Rashë në mendime se çfarë të hiqja? Atëhere vendosa te shpejtoj ritmin. Nga 7 minuta duhet ta bëja 3.
Më erdhi radha. Dola në skenë. Fillova te luaj në çiftelinë që më kishte bërë Gjin Shkoza (mësuesi im i parë si intrumentist). Gishtat lëviznin me shpejtësi si asnjëherë. Duhet ta mbyllja në kohën e caktuar, ndryshe grupi skualifikohej (kështu ishte rregulli). Binte gongu, pjesa mbyllej.

Ndue Shyti duke interpretuar

Unë që nuk e matja  dot kohën, në ato moment emocionesh duke i rënë çiftelisë fillova të tërhiqem nga skena. Gongu (tipan – i thotë Ndue Shyti) nuk po binte. Ndërkohë, kryetari i jurisë ma bëri me shenjë t’i afrohesha mikrofonit. U afrova dhe vazhdova t’i bie. Më ftoi të zbrisja nga skena për te juria. “Pasi kqyri bajagi çiftelinë më shtrëngoi një dekik dorën dhe tha : “Bravo Albania. Fituat”. Tish Daia ma përktheu.  ‘Mersi boku’ iu përgjigja unë (kështu na kishin mësuar të thoshim sa herë na lëvdonin).
“N’atë dekik m’u kujtua se dikur,në Turqi një fansi jem (politikan turk),kur u kënaq me melodinë e çiftelisë time e që mësoi se jam shqiptar, më tha: ‘Kemi kujtuar se çiftelia ka lindur në Anadoll, por njëtash u binda se e paska origjinën nga Albania”.
“Aty në Dizhon morëm Gjerdanin e Artë që peshonte 3kg e 860 gramë flori – jo unë, por grupi”, – thotë Ndueja me modesti. “Si mos fitonim na tu pas n’krye Besim Zekthin e Ibrahim Tukiçin?”
Ndueja përdor shpesh një shprehje mirditore: “Asht ma e mirë gjasa se kapucari”, – që do të thote: “Më e saktë është ajo që ndodh,  sesa ajo që thuhet”. Pra, nuk mund të rrëfehet ajo që ndodhi në Dizhon të Francës më 30 gusht  – 4shtator 1970. Çaste të bukura, të paharruara. Asamble të mbledhura nga e gjithë bota do të parakalonin para personaliteteve kryesore franceze.
Shqiptarët me Gjerdanin e Artë mbanin mbi supe shqiponjën e kërcimit, artistin Besim Zekthi. Bulevardi u bllokua 60 minuta sepse njerëzitt që kishin mbushur dy anët e rrugës donin të përqafonin fituesit. Ata brohorisnin: “Albania, Albania!”. Në përfundim të parakalimit Ndue Shytit iu desh te përballej me 5 profesorë të muzikës franceze. Ata do të kontrollonin me rrënjë e degë instrumentin magjik, atë çiftelinë që kokën e kishte me dru mani e bishin me dru ahu. Profesorët nuk i jepnin kënd si e qysh dhe çfarë magjie ka brenda vegla që lëshon ato tinguj të ëmbël.
TINGUJ BJESHKE
Ndue Shyti  ishte veçse 3 vjeç kur e mori çiftelinë për herë të parë në dorë. Për herë të parë dhe një koncert përpara grupeve vullnetare që ndërtonin hekurudhën Elbasan-Peqin në vitin 1950 kur ishte 15 vjeç. Ndueja punonte me sharrëxhinjtë dhe në vaktet e drekës çlodhte punëtorët me meloditë që krijonte.  Aty fama e tij mori dhenë. Në kohën kur ishte në shërbim ushtarak provoi diçka më tepër;  t’i binte çiftelisë përpara mikrofonit. Tani talenti I tij kishte rënë në sy. Çdo ditë njihej ndërsa dhuntia perfeksionohej.
Një ditë ai do të përballej me vlerësimin e ekspertëve të muzikës. Ishte viti 1958 kur doli për herë të parë në skenën e Festivalit Folklorik të rrethit. Aty mori diplomën e parë. Nga skena e Pukës do të dilte e të ngjitej në një tjetër skenë, më të madhe; do të shfaqte talentin e tij për artdashësit e kryeqytetit.
Përveç çiftelisë, aty i ra edhe bilbilit (një instrument që e kishte pregatitur vetë). Në sallë ishte edhe udheheqja e asaj kohe. Ndueja thotë se dikush prej tyre u ngjit në skenë dhe iu drejtua  “Si quhet ky instrument?” . “Bilbil”,-Iu përgjigj Ndue-ja. Më pas ai thotë:  “Të lumtë! Në duart tuaja fishkëllen si pishat tona krenare”.
“Nji kjo çifteli e ky bilbil, – thotë Ndue Shyti, – më bënë të njohur”.
HISTORI TË RRALLA
Artisti i Popullit Ndue Shyti dhe çiftelia e tij i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ai është bërë i njohur me interpretimet e tij në skena botërore, në Kinë, France, Turqi, Suedi, Jugosllavi etj. Kudo ka marrë duartrokitje e fjalë të ngrohta. Gazetat e kohës e prezantonin se “një nga instrumentistët më të mëdhenj të Ballkanit”.
Fama e Ndue Shytit jehoi nga Bjeshkët e Tërbunit deri në Pekinin e largët.
Ai interpretoi në sallën ku ndodhej udhëheqësi komunist Mao Ce Duni, një pjesë instrumentale kineze.
“Salla gjigande më shoqëronte me thirrjet përsëritëse ‘ci go jo’ ci go jo (përsëritje) – kujtonte me mallëngjim Artisti i Popullit.
Teksa luante në një skenë në Turqi,në mes të melodisë i këputet një nga telat e çiftelisë. “Vazhdova me një tel deri në fundin e pjesës muzikore. Ndihesha keq,por u ngroha shumë nga duartrokitjet me ovacione të mëdha. Ambasadori  ynë atje më tha :”Kur nuk e mora vesh unë se ti i re çiftelisë me një tel, as salla nuk e dalloi”,-thotë artisti.
Ai rrëfen një tjetër histori. “Në Jugosllavi u fikën dritat në krejt sallën, por unë vazhdova t’i bija çiftelisë”. Në fund i thanë:  “Dukej sikur ata tinguj shpërndanin dritë”.
Ndue Shyti interpretonte pa partiturë. Ai kishte edhe një tjetër dhunti: I përgatiste vetë instrumentet, vetë kompozonte ,organizonte grupin dhe dirigjonte. Edhe këtu pa partiturë.
Në atë kohë e kanë dëgjuar të gjithë ata që kishin veshë,si komunistët ashtu edhe kulakët.
IKJA NË HARRESË
Në karrierën e tij ka një mal me dekorata, diploma, çertifikata,etj. Janë të regjistruara mbi 450 koncerte brënda vendit dhe me dhjetëra të tjera jashtë vendit .
Është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Artist i Popullit”, ”Krenaria e qytetit të Pukës”.
Ai jetoi harresën e madhe në lagjen Nr.14 të qytetit të Durrësit. Prej 11 vitesh luftonte me sëmundjen e paralizës.  Shpirti prej artisti dhe familja e tij e ndihmonin të sfidonte sëmundjen.
Artisti i Popullit nuk kishtë nevojë për ne. Ne kishim nevojë për artin dhe talentin e tij. Gjithçka që Ndue Shyti bëri për artin popullor do ta bënin të meritueshme edhe titullin “Nderi i Kombit”, pasi gjithë jetën ai e nderoi vendin e vet; duke përçuar anembanë identitetin e shqiptarit.
Heshtja e Artistit të Popullit ishte më e madhe sesa harresa jonë.

 

*Autori i këtyre radhëve ka qenë drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Pukë, ku ka qenë për disa vite edhe Artisti i Popullit, Ndue Shyti.

 

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore1 muaj më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar1 muaj më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar1 muaj më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal1 muaj më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook