Ja ndarja finale e mandateve: Emrat VIP që mbetën jashtë Kuvendit
Partia Socialiste shkon me 74 mandate në Parlamentin e ri me 140 vende.
Partia Socialiste rikonfirmohet për një mandat të dytë, por këtë herë, ashtu siç kishte kërkuar prej qytetarëve, vetëm.
Kjo është hera e parë që prej vitit 1992 që një parti në Shqipëri siguron e vetme shumicën për të qeverisur.
Partia Demokratike do të ketë në Parlamentin e ardhshëm 43 deputetë, 7 më pak se në mandatin e kaluar.
Ndërkaq, LSI do të përfaqësohet me 19 deputetë, duke rritur si numrin e mandateve dhe atë të votave krahasur me zgjedhjet e kaluara parlamentare, por tashmë do jetë në opozitë.
PDIU duket se nuk do të ketë në Parlament kryetarin e saj, Shpëtim Idrizi, por do të ketë dy deputetë nga qarku i Elbasanit dhe një deputete në Dibër, por kjo e fundi deklaroi menjëherë pas fitores se do të bashkohej me Edi Ramën.
Tom Doshi, i zgjedhur në siglën e Partisë Social-Demokrate në Shkodër ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me kryeministrin.
Me këto shifra, kryeministri Rama do ketë në mbështetje të tij 76 deputetë, 8 më pak se 3/5 e Parlamentit.
Emrat “VIP” që do t’i mungojnë Parlamentit këtë legjislaturë
Parlamentit të ardhshëm do t’i mungojnë një sërë personazhesh të cilët për vite me radhë kanë qenë protagonistë në skenën politike në vend.
Ben Blushi dhe LIBRA e tij nuk arritën dot të hynin në Parlament, edhe pse morën rreth 20 mijë vota. E për këtë, Blushi me anë të një statusi në Facebook i mori përgjegjësitë vetë.
“Kanarina nuk hyri dot në minierën e qymyrit megjithëse fluturoi”, shkroi Blushi në profilin e tij.
Sikur të mos mjaftonin emrat e papërfshirë në listat e Partisë Demokratike, jo fitues janë dhe disa figura të rëndësishme si Arben Ristani dhe Dashamir Tahiri në Vlorë, Agron Duka në Durrës, Gert Bogdani në Tiranë, Gjok Uldedaj në Shkodër, Preç Zogaj në Lezhë, Astrit Veliaj në Berat, apo Roland Bejko në Gjirokastër.
Parlamentit do t’i mungojnë dhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda. Ndërsa nga LSI bie në sy emri i Sokol Dervishajt. Edhe në listën e Partisë Socialiste janë të paktën 3 emra që me këto rezultate nuk do të jenë deputetë.
Spartak Brako dhe Milena Harito në kryeqytet dhe Safet Gjici në Kukës. Por fati i tyre do të varet nga konfigurimi i kabinetetit qeverisës të Edi Ramës dhe nëse ai do të vijojë praktikën e ndjekur për 4 vite, ku ministrat duhet të dorëzojnë mandatin e deputetit./TCH
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu