Temporal
Sa arka me ar mori Zogu para se të linte Shqipërinë?

Historiania dhe studiuesja e njohur angleze Miranda Vickers, mbështetur në arkivat britanike, por edhe në ato italiane dhe serbe, jep një tablo befasuese se si u përgatit terreni për pushtimin e Shqipërisë në 1939 nga Italia fashiste e Musolinit. Po ashtu ajo shkruan se Ahmet Zogu, mbreti i parë i Shqiptarëve para se të ikte nga Shqipëria mori me vete arka me napoleona.
Nga Miranda Vickers
Para se të linte pallatin ai shkoi krejt i vetëm drejt kasafortës gjigande në zyrën e tij dhe mbushi një mori arkash me napoleona floriri. Sipas raporteve të asaj kohe të Forin Ofisit britanik, kjo shumë llogaritej në rreth 50 mijë lira stërlina”.zogu
Më 31 janar 1925 u shfuqizua Regjenca prej katër anëtarësh dhe Ahmet Zogu u zgjodh president i republikës së sapo shpallur shqiptare, ndërsa Tirana u njoh si kryeqytet i përhershëm i vendit.
Kushtetuta që u miratua u ndërtua në mënyrë të tillë që të rriste pushtetin e Zogut, i cili kishte të drejtë të caktonte dhe të shkarkonte ministrat sipas dëshirës së tij.

Zogu menjëherë iu përvesh punës për konsolidimin e pushtetit të tij, duke likuiduar apo detyruar të arratiseshin ish-kundërshtarët e tij më të rrezikshëm. Luigj Gurakuqi u vra një kafene në Bari; vrasësi i tij shumë shpejt u shpall i pafajshëm. Bajram Curri u ndoq këmba këmbës dhe kufoma e tij u gjet në një shpellë pranë Dragobisë.ZOGUPavarësisht se në Tiranë e morën vesh të gjithë se Curri vdiq në duart e agjentëve të Zogut, vendasit këmbëngulnin se ai vrau veten. Shumë udhëheqës të tjerë kosovarë, si fjala vjen Zija Dibra, i cili u qëllua për vdekje ndërsa po përpiqej t’i shpëtonte arrestimit nga policia, pësuan të njëjtin fund të parakohshëm.
Mandej Zogu kurdisi lëvizje për të ndërprerë aktivitetet e Komitetit të Kosovës, i cili përbënte një rrezik për marrëdhëniet e tij të mira me Jugosllavinë. Trupat që kishin qenë besnike të Nolit u çarmatosën dhe u shpërbënë. Megjithëse jugosllavët kishin mbështetur kthimin e tij në Shqipëri, ata nuk ishin në gjendje t’i jepnin Zogut ndihmë financiare, për të cilën ai kishte shpresuar dhe kishte aq nevojë për të mbajtur në këmbë regjimin e tij.

Prandaj dhe ai u detyrua të miratonte një politikë bashkëpunimi me Italinë. Ndërkohë, një territor që kishte mbetur i diskutueshëm, parandalonte përcaktimin përfundimtar të Shqipërisë. Zona e njohur tashmë si Shën Naum në brigjet e liqenit të Ohrit, vazhdonte të ishte e pushtuar nga trupat jugosllave. Jugosllavët pretendonin se Zogu ua kishte premtuar këtë territor si shpërblim për mbështetjen që ata i kishin atij për rikthimin në Shqipëri në dhjetorin e kaluar.
Gjithsesi, Zogu e mohoi këtë dhe çështja iu përcoll Konferencës së Ambasadorëve. Problemi u zgjidh përfundimisht duke i dhënë Jugosllavisë Shën Naumin dhe zonat përreth malit të Vermoshit, ndërkohë që Shqipëria mori qytetin fqinj të Peshkopisë dhe disa fshatra të tjerë të vegjël.



Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu