Lidhu me ne

Aktualitet

A është Kosova një oaz turk?

A është Kosova një oaz turk?
Bedri Islami – Dita
Krejt papritur, Shërbimi Inteligjent dhe Policia e Kosovës, në mëngjesin e djeshëm, arrestuan 5 mësues të kolegjeve turke në Prishtinë dhe një mjek, i cili është ndër donatorët kryesorë të këtyre shkollave, që duhet pranuar, janë ndër më të mirat në Kosovë.
Arrestimi e, më pas, deportimi i tyre i rrufeshëm, pa i dhënë kohë as të apelojnë një vendim, sipas detyrimeve ligjore të vetë Kosovës, do të thotë se pas kësaj qëndrojnë shumë më tepër se dëshirat e një shërbimi dhe të një strukture policore.
Si duket, gjithçka ka qenë e përgatitur që më parë dhe është pritur vetëm momenti i deportimit, i cili, edhe pse deri tani, nga ekzekutuesit nuk është paraqitur asnjë tagër ligjor, ka ngritur shumë dyshime dhe hamendje; që nga njerëzit që qëndrojnë pas kësaj goditje dhe deri tek pamundësia e dy nga tre njerëzit liderë të shtetit, të cilët deklaruan haptas se ata nuk kanë ditur asgjë ndaj këtij aksioni. Ramush Haredinaj dhe Kadri Veseli duket se ishin edhe një herë jashtë lojës politike që po luhet në paskulisat e një shfaqjeje të madhe, që në fund, të jeni të bindur, nuk do të ketë duartrokitës dhe as lule.
Erdogani, presidenti turk është tashmë i njohur për disa gjëra themelore: ai po shket drejt radikalizmit islam, duke patur në frymëmarrjen e tij politike një duhmë të rëndë osmallinjsh; në drejtimin e shtetit ai është ndër më autokratët dhe, shpesh herë, mediat serioze kanë sjellë dëshmi për korrupsionin e njeshëm të familjarëve të tij: njihet si njeriu që troket më së pari në portën ruse, duke i kthyer shpinën perëndimit; askush si ai nuk e ka përdorur një grusht shteti, për të cilin ndoshta ka qenë në dijeni, për të sulmuar kundërshtarët e tij politikë, në të gjitha fushat; e në fund, por më e rëndësishme, ai ka nëpërkëmbur brutalisht të drejtat qytetare në vendin e tij, duke mbushur burgjet, jo vetëm me të akuzuarit, por edhe të afërmit e tyre, kur nuk i gjen ato.
Prej kohe Erdogani, i cili është në fakt një sulltan në miniaturë dhe po e ushtron pushtetin sulltanor nga pallati i tij presidencial, i ka shpallur luftë të hapur gulinizmit, një term i nxjerë nga vetë ai në kundërshtim me idetë e ish-mikut të dikurshëm dhe armikut të tashëm, Gulen.
Zanafilla e luftës nuk është grushti i shtetit; ai i sherbeu Erdoganit pr të mprehur shpatën dhe kërkoi me ngulm që e gjithë bota të luante vallen që ofronte ai: një valle e rëndë, brutale, që shkërmoqte jetë njerëzish.
E gjithë bota civilizuese e nëpërkëmb kërkesën e tij. Megjithatë ai mbajti në burg gazetarë të huaj, pa asnjë shkak, si presion të lojës së tij, “ ju kthej këtë, më jepni atë”, përsëri, në asnjë rast, askush nuk e vuri mbi kokë çallmën e mendimit osman të Erdoganit, nuk i mori seriozisht thirrjet e tij dhe vazhdoi të ketë jetën e zakonshme.
Edhe Shqipëria, pavarësisht se aty gjendet njëri ndër miqtë e afërt të tij, shefi i qeverisë, Rama, nuk ia mori parasysh kërcënimet dhe kërkesat  ultimative; në të kundërtën, ajo vlerësoi se shkollat e kolegjet turke janë ndër më seriozët në këtë vend dhe se, në këtë rast, pavarësisht se në politikën e jashtme dhe në ekonomi, Turqia ka filluar të ketë prioritet, askush nuk u arrestua që të deportohet, si gjithnjë në këto raste, të prangosur.
Kosova e bëri këtë. Hamendjet janë të shumta për njerëzit që qëndrojnë pas kësaj ngjarjeje, por, edhe pse një vend me shumicë dërmuese të besimit islam, Kosova nuk është shquar asnjëherë për osmanllëk, e aq më tepër për osmanllëk politik.
Në Kosovë ka disa grupe radikale islame; ka predikues të një rryme të ashpër, shumë të ashpër, nga të cilët janë nxitur dhjetra e dhjetra të rinj të shkojnë dhe të bashkohen me IS-is apo me forca të tjera xhihadiste.
Në zona të veçanta të Kosovës, sidomos në Mitrovicë, në Prizren, në Gjakovë etj, krejt haptas, hoxhallarë rebelë janë bërë ushqyes të linjës së ashpër vehabiste, por, edhe kur ndodh që të gjykohen, ata gëzojnë lirinë. Dhe vazhdojnë me predikimet e hasmërisë, duke marrë gjithnjë e më shumë terren në hapësirën e besimit islam.
Ndaj tyre, as Shërbimi Inteligjent, as Policia e Kosovës, as strukturat e drejtësisë, nuk kanë reaguar si duhet; në të kundërtën, deri tani, ata janë mposhtur prej tyre.
Ndërsa, kur është fjala për 5 mësues dhe një mjek, krejtësisht të qetë në rrugën e tyre, dhe, për më tepër, në tejkalim të procedurave ligjore, pa asnjë qartësim pse ndodhi e gjithë kjo, shumëfishohen shpejtësitë.
Kosova bëhet kështu shteti i parë europian që ndërmerr këtë veprim, i cili, më shumë se gjithçka tjetër, është sjellje politike.
Të duket sikur, që nga pallati presidencial i Ankarasë janë nisur urdhërat për të vepruar, si një shembull për shtet e tjerë.
Por Kosova nuk është oaz i shtetit turk. Marëdhëniet miqësore nuk janë ata që mbisundojnë mbi ligjet dhe mbi vetë shtetin.
Nëse kjo do të kishte ndodhur në një shtet tjetër gjërat do të ishin ndërmarrë me seriozitet, të justifikuara ligjërisht dhe vetëm pas shkaqeve të forta.
Përceptimi i politikës dhe  i shtetit në mendësi vasale dhe krejtësisht bindëse nuk është seriozitet i institucioneve, aq më tepër kur edhe ata vetë nuk merren vesh me njëri-tjetrin.
Nga Kosova duheshin zbuar, ose më saktë, u duhej treguar vendi shumë predikuesve radikalë, të cilët, në disa raste, edhe pse mund të duket e çuditshme, në mediat e tyre ushqehen nga linja serbe, edhe jashtë shtetit serb. Tolerimi i bërë ndër vite ka rënduar në Bashkësinë Islame të Kosovës, por tani sjellja ndaj tyre, gjithnjë e më shumë liberale, shoqërohet edhe me shfaqje të një natyre krejt tjetër.
A duheshin deportuar kaq urgjentisht 5 mësues të kolegjeve turke në Kosovë dhe një mjek?
Akoma nuk kanë filluar të qartësohen passkenat e ndodhura. E vetmja gjë që dihet është se ky është rasti i parë kur presidenti turk mund të ndjehet si në shtëpinë e tij dhe kur para vetes gjen zotër të shtëpisë që janë gati të zbulojnë çatinë e tyre për hatër të një qëndrimi anadollak ndaj lirisë njerëzore.
Kosova nuk është oaz i shtetitturk. Nëse ka njerëz të politikës që ende nuk e kanë mësuar, e kanë gjithë kohën e duhur ta mësojnë këtë, para se të largohen nga politika.
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore1 muaj më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar1 muaj më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar1 muaj më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal1 muaj më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar3 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix3 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix3 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook