Patriotizëm hipokrit/ Tek këngëtari grek paguan ata që donin, tek shqiptarët pagoi dhe fukarai
Nga Klodian Tomorri – Gazetar ne TCH
Një këngëtar grek vjen në Tiranë në një koncert tërësisht privat dhe me çmim biletash tërësisht transparent pa detyruar askënd të paguajë. Kjo quhet antishqiptarizëm. Madje turmat u turrën për ta bojkotuar, mes të tjerash edhe për çmimin e lartë të biletës.
Një këngëtar shqiptar vjen në Tiranë i paguar nga para publike, të kamufluar në kanale private në mënyrë tërësisht jo transparente. Askush nuk di sa dhe si. Ky quhet patriotizëm.
Pasnesër do vijë një tjetër këngëtare shqiptare, po me dorë të rëndë, por patriote aman, që do të paguhet qindra mijë euro nga taksapaguesit e saj të varfër, sërish përmes një skeme të kamufluar me kanale private. Prapë, edhe ky quhet patriotizëm.
Tek këngëtari grek paguan vetëm ata që donin të shkonin në koncert. Nuk u detyrua askush të paguajë jashtë vullnetit të tij. Tek këngëtarët shqiptare pagoi dhe fakir fukarai që nuk i bie mendja kurrë për koncert se nuk e lënë hallet.
Ja ky është patriotizmi hipokrit.
Të gjithë ne ndihemi shumë krenar nga këngëtaret shqiptare që bëjnë famë dhe nderojnë emrin e Shqipërisë nëpër botë. Ata i japin shumë Shqipërisë. Por dikush me të drejtë mund të pyesë;
A nuk munden, që qoftë edhe një herë të vetme, të vijnë në Memedhe pa u kujdesur për përfitimet ekonomike? A nuk munden qoftë edhe një herë të vetme, në shenje mirënjohje të këndojnë falas për bashkëatdhetarët e tyre, njerëzit me të varfër të Europës?
Ky popull dhe këta njerëz do vazhdojnë t’i duan dhe të krenohen me ata përgjithmonë, pavarësisht çdo gjë. Por po ashtu edhe ato dy pyetjet më sipër do të jenë të drejta gjithmonë, pavarësisht çdo gjëje.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu