Publikimi më i fundit i INSTAT, “Burrat dhe Gratë në Shqipëri” pasqyron pamje të realitetit shqiptar lidhur me popullsinë, shëndetin, arsimimin dhe vendimmarrjen, duke sjellë në fokus barazinë gjinore.
“Nga këto risi të publikimit mund të përmendim përfshirjen e lëvizjeve të brendshme për burra dhe gra në kapitullin e popullsisë, si dhe disa të dhëna mbi familjet shqiptare me një analizë gjinore”, ka thënë Drejtoresha e Përgjithshme INSTAT, Delina Ibrahimaj.
Ndërsa në fjalën e saj, Zv. Kryeministrja, Znj. Senida Mesi e vlerësoi këtë publikim si një mekanizëm mbështetës për politikat ndërkombëtare për barazinë gjinore.
Publikimi ka analizuar statistikat e vendimmarrjes, të cilat tregojnë sesa të fuqishme po bëhen gratë në politikë dhe biznes, si dhe në jetën e përditshme.
Niveli i përfaqësimit të grave në parlament ka arritur në fund të vitit 2017 përqindjen më të lartë (29 %) që prej vitit 2013, dhe përqindja e grave drejtuese në ndërmarrje është 30 %. Përqindja e grave ndërmjet këshilltarëve të bashkive është 36,9 %. Pjesëmarrja e gruas në misionet diplomatike në vitin 2017 ka qenë në nivele të krahasueshme me burrat, ku përqindja e ambasadorëve gra ishte 27,0 % ndërsa gratë në pozicionin e Ministrit ishin 57,0 %.
Sipas “Burrat dhe Gratë në Shqipëri”, rezulton që lindin më shumë djem sesa vajza, por nga ana tjetër gratë jetojnë më gjatë sesa burrat. Përkatësisht, gratë jetojnë mesatarisht rreth 3 vjet më shumë sesa burrat.
Shëndeti është një tjetër temë e trajtuar nga publikimi, ku vendoset theksi tek sëmundjet që prekin më tepër shqiptarët dhe abortet.
“Në Shqipëri si për burrat dhe për gratë, vijojnë të jenë “grup sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut”, të cilat shkaktojnë 56,8 % të vdekjeve tek gratë dhe 50,7 % të vdekjeve tek burrat”,shkruhet në publikim.
Duke u ndalur tek shëndeti, Znj. Ibrahimaj, theksoi se “këto shifra duhet t’u shërbejnë politikbërësve për të marrë vendime sa me të mira në lidhje me planifikimet buxhetore në shëndetësi. Siç shihet ndjehet dhe domosdoshmëria për të pasur një buxhet gjinor në vend ku politikat të jenë të fokusura edhe në implementimin e barazisë gjinore në praktikë”.
Abortet janë një tjetër aspekt i shëndetit kur vjen fjala për analiza gjinore. Të dhënat tregojnë se për çdo 5,9 lindje, ka ndodhur paralelisht edhe një abort, i kryer më së shumti në grupmoshat 20-34 vjeç, që në pjesën më të madhe të tyre janë spontane (77,4 %).
Kur vjen fjala për arsimin, tek shkollimi parauniversitar mbizotërojnë djemtë, por shkollimi i lartë është i dominuar nga vajzat me rreth 60%.
INSTAT ka deklaruar se vetëm nëpërmjet një reflektimi të bazuar në statistika, mund të arrihet një qasje e fuqizimit të grave dhe vajzave për të rrëzuar barrierat strukturore ndaj barazisë gjinore.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu