Pas pushimeve të gushtit, në shtator politika pritet të kthehet aty ku e la stafetën, te çështjet e nxehta që mbetën pezull pas ndërprerjes së jetës politike për pushimet verore.
-
Teatri Kombëtar
Një nga çështjet më të rëndësishme që kanë shoqëruar politikën që prej fillimit të vitit është fati i Teatrit Kombëtar. E nisur si protestë e qytetarëve dhe artistëve, çështja e Teatrit Kombëtar është rrokur nga politika, pas votimit të ligjit për prishjen e teatrit dhe ndërtimin e një të riu, ku pjesa më e madhe e tokës publike i dhurohet kompanisë private Fusha. Opozita e ka kundërshuar fort këtë ligj si në parlament ashtu edhe duke iu bashkangjitur protestës. Kreu i PD-së ka paralajmëruar prishjen e kullave që do ndërtohen në tokën e teatrit, në rast se ky i fundit do prishet.
-
Ligji për Magjistraturën
Ligji për Magjistraturën mbeti pezull pasi në dy seancat e fundit ku ishte parashikuar miratimi i tij, opozita nuk mori pjesë. Basha e Kryemadhi e kanë cilësuar këtë ligj si hapin e radhës së kryeministri Rama për kapjen e drejtësisë, një proces që ka nisur me zgjedhjen e kryprokurores së përkohshme Arta Marku.
-
Ligji per favorizimin e kumarit
Ligji për Kumarin është një tjetër çështje që doli në pah në fund të sesionit parlamentar pas përpjekjes së mazhorancës për miratimin e tij. Sipas opozitës ai është një ligj që favorizon oligarkët ndërsa i ka kundërshtuar fort lehtësirat që parashikohen për lojërat e fatit, të cilat i cilësojnë si sëmundjen e shoqërisë dhe bëjnë përgjegjës kryeministrin Rama për lulëzimin e tyre.
-
Përgatitja për fushatën e zgjedhjeve vendore
Viti që vjen është vit elektoral pasi do zhvillohen zgjedhjet lokale në rand vendi. Në zgjedhjet e fundit opozita humbi një pjesë të mirë tyë bashkive dhe komunave në vend dhe do të kërkojë të rikthehet fituese, gjë që do tregonte në njëfarë mënyre edhe tendencën e zgjedhjeve të ardhshme. Qeverisja Rama është shoqëruar me skandale të shumta në të gjitha fushat, duke nisur nga koncesionet, varfëria, korrupsioni, droga dhe krimi i organizuar dhe për opozitën është një rast i mirë për të dalë fituese në ëto zgjedhje. Ajo që nuk është vendosur ende dhe që do fillojë të kristalizohet në shtator është fakti nëse PD dhe LSI do dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhje apo veç e veç.
-
Tirana është vendbeteja më e nxehtë në lokalet e vitit që vjen. Opozita pritet të zyrtarizojë kandidatin e saj që do dalë përballë kryebashkiakut Veliaj. Ky i fundit është flamurtari i prishjes së Teatrit Kombëtar dhe dhurimin e pronës tek kompania private. Gjatë periudhës së tij si kryebashkiak, në Tiranë janë shumëfishuar lejet e ndërtimi sidomos për kulla, gjë e cila është denoncuar me forcë nga opozita, duke pasur parasysh se Veliaj erdhi në pushtet me premtimin se do u shpallte luftë ndërtimeve në kryeqytet.


Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu