Janusz Bugajski
Në kundërshtim me hamendësimet konvencionale, Serbia dhe Rusia nuk kanë një aleancë të ngushtë, por një lidhje asimetrike në të cilën Kremlini shfrytëzon dominancën e vet. Kur Moska ka nevojë për Serbinë për të përmbushur detyra të caktuara ndërkombëtare në favor të Rusisë, ajo rrit presionin mbi Beogradin. Kjo është e dukshme në debatin e vazhdueshëm mbi korrigjimet kufitare në Ballkanin Perëndimor.
Megjithëse historia zyrtare pohon se Rusia ishte e rëndësishme në çlirimin e Serbisë nga osmanët, ambiciet e vërteta të carëve ishin zgjerimi i perandorisë së tyre drejt Mesdheut. Ortodoksia e krishterë dhe pan-sllavizmi ishin mjete ideologjike të dobishme për të bindur serbët se Rusia po mbronte interesat e tyre kombëtare.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Stalini i frenoi ambiciet serbe dhe pengoi krijimin e një federate komuniste të Ballkanit që përfshinte Jugosllavinë dhe Bullgarinë, sepse ai kishte frikë se një shtet i fortë në rajon do të sfidonte diktatin e Moskës. Jugosllavia e Titos më pas demonstroi se Beogradi nuk ishte i gatshëm të mbetej një kukull besnike kur u shkëput nga blloku sovjetik më 1948 dhe ndihmoi në krijimin e lëvizjes së shteteve jo satelite (non-aligned movement).
Millosheviçi dhe Jelcini nuk ishin aleatë të ngushtë, por shfrytëzuan ambiciet politike të njëri-tjetrit. Me fillimin e luftës në Jugosllavi, gjatë viteve 1990, Beogradi kërkoi mbështetjen ruse, qoftë për ruajtjen e integritetit jugosllav, krijimin e një Serbie të Madhe, ose mbajtjen e kontrollit mbi Kosovën. Moska, nga ana e saj, manipuloi ankesat e Serbisë kundër SHBA-së dhe NATO-s, për të treguar se Rusia ishte një faktor kryesor në çështjet europiane. Megjithatë, që nga përmbysja e Millosheviçit, qeveritë serbe kanë pranuar rolin e partnerit të vogël të Rusisë, duke i dhënë mundësi Putinit ta shndërrojë Serbinë në përfaqësuese të Moskës në Ballkanin Perëndimor.
Kremlini, qëllimisht ka ndikuar në pengimin e hyrjes së Kosovës në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare në të cilat Moska ka të drejtën e vetos, që Beogradi t’i nënshtrohej Rusisë dhe të skualifikohej nga institucionet perëndimore.
Ndërhyrjet e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 për të parandaluar gjenocidin mbi shqiptarët nuk janë harruar ende nga Beogradi aq për të kërkuar anëtarësimin në NATO. Përmes propagandës, Moska sigurohet që ndjenjat anti-Aleancës të ushqehen vazhdimisht në mesin e popullit serb.
Mediat ruse gjithashtu transmetojnë vazhdimisht lajme false se Rusia është benefaktori kryesor ekonomik në Serbi, edhe pse tregtia dhe investimet e saj në vend jo vetëm që janë të disavantazhuara në raport BE, por janë të bazuara kryesisht në marrëveshjet e paqarta prej të cilave përfitojnë politikanët e korruptuar. Serbia u bind për t’i dhënë shumicën e aksioneve të Gazprom, kompanisë së madhe të naftës dhe gazit NiS, dhe firmosi edhe marrëveshje të tjera që e lidhën vendin fort me furnizimet energjetike të Rusisë. Beogradi, po ashtu, u vu nën presion për të hapur një “Qendër humanitare ruso-serbe” në qytetin jugor të Nishit, të cilën shërbimet ruse mund ta përdorin si një strukturë për grumbullimin e inteligjencës kundër Perëndimit.
Në një kthesë të re në shfrytëzimin e Beogradit, Kremlini tani kërkon të përfitojë nga synimi i Uashingtonit për të “normalizuar” marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Ndërsa nocioni i shkëmbimeve të territoreve është diskutuar, Kremlini po e shtyn Serbinë të pranojë shkëmbimet me Kosovën pavarësisht nga rezistenca politike në Beograd. Takimi i paprecedent midis Presidentit Putin dhe Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi gjatë përvjetorit të Fundit të Luftës së Parë Botërore në Paris, i pari midis krerëve të të dy shteteve, shtoi presionin mbi kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Strategët e Putinit po ndjekin dy objektiva kryesore. Së pari, ndryshimet kufitare në Ballkan të miratuara nga fuqitë perëndimore mund të trumbetohen si një precedent i vlefshëm dhe shembull për Krimenë, Donbasis, Transnistrian dhe rajone të tjera të pretenduara nga Rusia. Zyrtarët mund të pretendojnë se ndryshimet në kufirin Kosovë-Serbi thjesht bashkojnë minoritetet etnike me vendin mëmë. Kështu, një proces i ngjashëm mund të zbatohet në territore me popullsi të konsiderueshme ruse, duke përfshirë pjesë të Estonisë, Letonisë, Bjellorusisë, Ukrainës, Moldavisë dhe Kazakistanit.
Së dyti, Kremlini llogarit njëkohësisht se ndryshimet kufitare në Ballkan mund të krijojnë probleme për NATO dhe BE, duke nxitur thirrjet për ndarje të mëtejshme. Nacionalistët lokalë mund të orkestrojnë dhunën për të treguar se bashkëjetesa etnike nuk është e mundur dhe kufijtë duhet të korrigjohen. Një efekt domino i aspiratave territoriale nuk do të prekte vetëm shtetet si Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia, por edhe shtetet anëtare të NATO-s, si Kroacia, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Vuçiç do të vihet nën presionin në rritje të Perëndimit, për të krijuar një marrëveshje me Prishtinën, por mund të mos jetë në gjendje të mbajë rolin e opozitës nacionaliste vendase pa mbështetjen e Kremlinit. Nëse Beogradi pranon zyrtarisht humbjen e Kosovës përmes një marrëveshjeje dypalëshe, ankesat e Rusisë ndaj mbështetësve ortodoksë sllavë mund të jenë të pamjaftueshme. Në vend të kësaj, pavarësisht hezitimit të Vuçiçit, Moska mund të shprehë mbështetjen për ndarjen e Bosnje-Hercegovinës dhe përfshirjen e Republika Srpska në Serbi. Ky do të ishte një përfitim më i madh për Serbinë se skajet veriore të Kosovës, veçanërisht nëse udhëheqësit e RS pranojnë të bashkohen me Serbinë.
Rezultati i ndërhyrjes së madhe të Moskës, do të jetë përfshirja e Vuçiç në një konflikt të ri me BE, NATO dhe Shtetet e Bashkuara mbi Bosnje-Hercegovinën. Kjo gjithashtu do t’i shërbejë interesave të Kremlinit duke bllokuar rrugën e Beogradit drejt pranimit në BE. Mesazhi për Serbinë është se nëse nuk shkëputet nga mbashkëpunimi politik mbytës me Rusinë, ajo nuk mund të arrijë potencialin e saj kombëtar dhe do të vazhdojë të shfrytëzohet si një objekt në përpjekjen e Putinit për të shkatërruar Perëndimin.
*Europe’s Edge është një revistë online që mbulon tema të rëndësishme në debatin e politikës transatlantike. Të gjitha mendimet janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pozicionin apo pikëpamjet e institucioneve që përfaqësojnë apo Qendrën për Analizën e Politikave Europiane.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu