Lidhu me ne

Kryesore

Një ‘ditë e humbur’ me mediat në Shqipëri

Ardian Vehbiu

Dje faqet e mediave online (dhe rrjetet sociale) nuk kishin lajm tjetër, veç përplasjes shumë “grafike” të disa qytetarëve me policinë, për çështje pronash. Sot ky lajm ka rënë në rang, dhe në disa media po komunikon me lajmin tjetër, se “Bukuroshja e Adriatikut” ankoron para kohe në Durrës. Të faqja e TopChannel.tv lajmi më i lexuar rezulton ai për të fejuarën e Ruganit (një futbollist italian) e cila nxjerr trupin në palestër.

TemA jep 3-4 lajme për Rudina Hajdarin duke i ndërthurur me transformimin e pabesueshëm të një futbollisti që ka humbur 50 kg në peshë. Një ditë më parë, e kish radhën një akuzë për Berishën si agjent të UDB-së, krah për krah me lajmin për një bloggere angleze të akuzuar nga disa media për lidhje preferenciale “me rusin”. Këto ua zunë vendin lajmeve për zgjedhjet në komunitetin mysliman dhe dhunës në stadiumet e futbollit, pastaj atyre për ndarjen e Kosovës dhe memet për Bashën dhe kështu me radhë.

Që mediat e krijojnë këtë kaos në informacion nuk është vetëm çështje inkompetence profesionale. Vërtet, mungon fokusi dhe logjika, sikurse mungon rangu i lajmit dhe investigimi përkatës; por kaosi do lexuar edhe në kontekstin kur të njëjtat opinione dhe “editoriale” ndërrojnë duar nga një media në tjetrën, duke krijuar një homogjenizim të çuditshëm përballë heterogjenitetit po aq të çuditshëm të informacionit.

Dhe këtu pyetja e madhe, që duhej bërë më shpesh, nuk është pse jepen lajmet kështu – të copëzuara, pa lidhje, pa koncept, pa vijueshmëri; por çfarë mbulojnë këto lajme, ose çfarë mbetet jashtë, çfarë nuk thuhet, çfarë lihet në heshtje. Nuk do shumë mend për të kuptuar se, për çdo copëz informacioni që i jepet publikut, dikush merr një vendim duke e përzgjedhur mes “konkurrencës”; dhe kjo nuk është konkurrencë e pa-anshme, as përcaktohet zgjedhja e lajm-bërësit nga interesat e publikut.

Interesat e publikut, si rregull, vijnë në vështrim vetëm kur bëhet fjalë për të shitur diçka, për shembull një mall ose një gënjeshtër – çfarë nuk më duket se ka lidhje me të drejtën e publikut për t’u informuar. Rendi kushtetues në Shqipëri po kalon ditë shumë të vështira, mu kur aleatët tanë nuk na e kanë shumë ngenë dhe kur Europa po gatitet për ndërrim paradigmatik me pasoja tërmeti. Po ç’lidhje ka kjo me deklaratat e tipit “Ramën do ta rrëzojmë nesër”, që dëgjon nga organizatorët e protestave politike? Me sa duket, ka, pa çka se analizat që t’i vendosin ngjarjet politike në Shqipëri në kontekstin europian është e vështirë që t’i gjesh, përtej aluzioneve folkloristike për “rusët”.

Nëse ka një synim të mediave sot në Shqipëri, ky është ai që në anglishte e kanë quajtur gaslighting – ose manipulimi i publikut për ta bërë këtë të vërë në dyshim realitetin, me qëllim vënien e këtij publiku në kontroll. Në një klimë normale, mediat duhej të mbronin ndaj këtij efekti, duke i dhënë vijueshmëri realitetit që përcjellin, ose duke u fokusuar në çfarë ngre peshë dhe jo në çfarë thjesht zhvendos vëmendjen.

Por shohim të ndodhë e kundërta. Dhe pikërisht: lajmet me peshë jepen krah për krah me gjepurat dhe ngjarjet e lagjes (“babai rreh djalin”); lajmet për vrasje të krimit të organizuar jepen krah për krah me lajmet për viktima aksidentesh rrugore (“nënë e dy fëmijëve”); nuk kalon ditë pa ad hominem dhe shantazhe të gjëmshme ndaj individëve (plagjiatura, falsifikime diplomash, anti-amerikanizëm); lajmet për përgjime të rënda (dhe të paligjshme) vetë-shkatërrohen brenda 24 orëve, si për të mos i bezdisur prokuroritë; lajmet e sotme nuk jepen si vijim i lajmeve të djeshme – mungon kontrolli i fakteve dhe ballafaqimi; një pjesë e madhe e lajmeve janë për çfarë ndodh me vetë mediat – meqë këto referojnë për çfarë është deklaruar në TV një natë më parë (gjithë duke pasur parasysh se TV i mbrëmjes shpesh nuk ka asgjë televizive, pse fillon dhe mbaron me llafe në studio), ose për si ia ka përplasur aksh gazetar një aksh gazetari tjetër (efekti selfie-stick).

Të thuash që mediat janë në shërbim të pushtetit do të ishte ndoshta naive; le të themi se mediat dhe pushteti “i dukshëm” i shërbejnë të njëjtit pushtet të padukshëm. Pa çka se kjo do të tingëllonte si teori komploti. Por si ta shpjegosh ndryshe dukjen absurde të ngjarjeve, karnavalin e realitetit të përcjellë, idenë e induktuar se hapësira publike e qytetarisë në Shqipëri themelohet çdo ditë nga zeroja?

*Peizazhe të fjalës™.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook