Lidhu me ne

Kryesore

Ç’është politika?

Edmond Tupja

Po të ndjekë me vëmendje debatet televizive, analizat dhe opinionet në mediat e shkruara, si edhe reagimet në rrjetet sociale, çdo njeri i ndjeshëm ndaj zhvillimeve politike të kohëve të fundit vëren një lloj pështjellimi apo njëfarë çoroditje të opinionit tonë publik në përgjithësi lidhur me luhatjet e situatës politike në Shqipërinë tonë hallemadhe e të hallakatur.

Të shumtë janë ata që, të habitur, kërkojnë të dinë, pas shpërthimit të skajshëm, gjatë vitit të shkuar, të protestave të opozitës me parullën “Rama ik!”, nëse vërtet sot, me gjasë nën ndikimin e ndërkombëtarëve, opozita do të ulet në tryezën e bisedimeve me shumicën parlamentare në mënyrë që të kryhet Reforma në Drejtësi.

Nga ana tjetër, ka nga ata të cilët mendojnë që, pavarësisht nëse ndodh apo nuk ndodh kështu, nuk është e largët dita (ndoshta në pranverë) kur do të kemi zgjedhje të parakohshme. Së fundmi, pyetjes se cila ka më shumë mundësi t’i fitojë këto zgjedhje – e majta apo e djathta – askush nuk duket të jetë në gjendje t’i japë një përgjigje të prerë.

Gjithsesi, atyre që, të zhgënjyer prej tri dekadash nga klasa jonë politike, nuk po mësohen ende me këto luhatje të saj, do t’u rikujtoj disa përkufizime të politikës. Kështu, të gjithë e njohin përkufizimin më themelor të politikës si “arti i kompromiseve”. Këtë kishte ndër mend, në shekullin XVIII, filozofi francez Voltaire kur thoshte se të merresh me politikë do të thotë “së pari, të sillesh me kundërshtarët e tu, duke menduar se një ditë mund të hysh në bisedime me ata dhe, së dyti, të sillesh me aleatët e tu duke menduar se një ditë ata mund të bëhen kundërshtarët e tu”.

A nuk e ilustron më së miri ky përkufizim situatën politike të këtyre tridhjetë viteve të fundit në Shqipërinë tonë aq të mbarsur me politikë, sidomos që nga viti 2013 e deri më sot? A nuk kanë vepruar kështu në shtetin tonë të shkalafitur personalitete të tilla si Berisha, Nano, Meta dhe vetë Rama?

Nga ana tjetër, po në shekullin XVIII, matematikani e filozofi francez d’Alembert nënvizonte se “politika është arti i të mashtruarit të njerëzve”.

Me siguri, në këtë çast, midis lexueseve dhe lexuesve të mi të nderuar ka të ketë të tilla e të tillë që mund të më kundërshtojnë, por kur një politikan, i cili synon të jetë Kryeministër, bën gjatë fushatës zgjedhore njëqind premtime dhe, deri në fund të mandatit të tij, arrin të mbajë vetëm dhjetë prej tyre, a nuk rezulton se i ka mashtruar zgjedhësit e tij? Mjerë ai popull që e voton atë edhe për një mandat të dytë. Kështu, pra, a nuk e ilustron sërish më së miri ky përkufizim situatën politike të këtyre tridhjetë viteve të fundit në Shqipërinë tonë aq të tejngopur me politikë, sidomos që nga viti 2013 e deri më sot?

Së fundmi, por jo më së paku, edhe populli ynë e ka prej disa shekujsh një proverb që përbën një përkufizim tronditës, por të vërtetuar nga përvoja e tij. Mjerisht, ky proverb nuk figuron në asnjë fjalor të gjuhës shqipe, por atë e kanë përmendur njerëzit, sigurisht me zë shumë të ulët dhe midis miqsh e shokësh besnikë, edhe gjatë diktaturës së llahtarshme të Enver Hoxhës. E kam fjalën për proverbin “Politika është kurvë”.

A nuk e ilustron më së miri ky proverb apo përkufizim situatën politike të këtyre tridhjetë viteve të fundit në Shqipërinë tonë aq të tejvelur me politikë, sidomos që nga viti 2013 e deri më sot? Faktet janë fakte: Vetë Enver Hoxha u lidh fillimisht me jugosllavin Tito, pastaj nga krahët e këtij u hodh në krahët e sovjetikut Stalin, ndërsa pas vdekjes së mustaqelliut, kaloi nga krahët e tullacit sovjetik Hrushov, në ato të kinezit Mao Ce Dun para se të kalonte përfundimisht në krahët e çmendurisë më vrastare.

Së fundi, edhe vetë Kryeministri Rama nxitoi me të gjitha mënyrat të hidhej patjetër në krahët e Bashkimit Europian, por nuk ia doli, kështu që, – kur s’ke pulën, ha sorrën, thotë populli ynë – ai u hodh edhe në krahët e turkut Erdogan, edhe në krahët e serbit Vuçiç, duke kaluar kështu nga maksishengeni europian te minishengeni ballkanik. Çfarë karshillëku (Ndjesë për tri shkronjat e para të kësaj fjale me prejardhje nga turqishtja)!

Gjithsesi, ish-kolegu dhe miku im i vjetër Françesk Armadhi, simpatizant fort i zhgënjyer i Partisë Socialiste si shumë e shumë të tjerë, i ka bërë proverbit “Politika është kurvë” një shtesë të vogël, oh, fare të vogël: Sipas atij, politika na qenka jo kurvë, por karakurvë. Kur e pyeta se ç’quante ai karakurvë, mora këtë përgjigje: “Një kurvë që e kanë përzënë nga bordeli për çështje morali”. Pastaj, ai më shkeli syrin dhe shtoi: “Ti që merresh me gjuhësi, por edhe me letërsi erotike, duhet ta dish që parashtesa ‘kara’ na vjen nga turqishtja dhe do të thotë “i zi”, por në gjuhën shqipe ka një kumbim krejt erotik!”.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook