Lidhu me ne

Temporal

Çifti nuk është gjë tjetër veçse një aleancë kundër vdekjes

Çifti nuk është gjë tjetër veçse një aleancë kundër vdekjes

Nga Enrico dal Buono*

Nuk është fjala për zemra, as për orgazma, projekte jete apo fëmijë. Çifti është një aleancë kundër vdekjes. Gjithsesi humbëse përballë vdekjes. Është e destinuar të humbë duke nisur që nga momenti i shikimit të parë dhe çdo puthje, përkëdhelje dhe sherrnajë, nuk është gjë tjetër veçse paralajmërim i saj. Një fill merimange mes dy muresh. Këputet njëra anë, pastaj tjetra: tumori im, infarkti yt… (Kemi patjetër diçka të tillë tonën). Ndonjëherë gjithçka rrënohet sa hap e mbyll sytë: një aksident rrugor, një shpërthim. Universi e cik lehtë me gisht dhe sakaq filli dridhet: Një e krruajtur te kavilja që e detyron shoferin të ulë kokën; një qelizë që vendos të çmendet dhe shumë shpejt ju kthen në statistikë; ah sikur ta kisha vënë shallin; më shkruaj kur të mbërrish… Kaq banale, përditshmëria, atje përkrah nesh. Ndoshta na pyet: Sa është ora? Është vonë, jemi asgjëkundi!

Shpesh na kaplon një dëshirë e dëshpëruar për ngrohtësi. Të braktisësh gjithçka, stilolapsin, kompjuterin, shtëpinë, punën. Dhe të rendësh tek ajo: Ekziston ende. Pak rëndësi kanë mesazhet dhe telefonatat. Ekziston ende trupi i saj – kjo ka rëndësi – dhe nuk do të ekzistojë më. Një mesazh do të udhëtojë në hapësirë deri sa të ekzistojë hapësira, ndërsa ai trup nuk do të mbërrijë të jetojë e të shohë shtatë a tetë Presidentë Republike dhe do të thërmohet në fragmente dhe elemente kimike, atome e neutrone, sa hap e mbyll sytë. Në fakt, është i ngrohtë, si gjithçka tjetër që ka vdekje. E ardhmja është e të ftohtës, vdekja është në frigorifer.

Ata sy që shihnin brenda teje dhe që gjithnjë të falnin, ngjyrë gështenjë, me pak grim, me një lot varur, të mbyllur në gjumë; ata sy do të shndërrohen në magnez, potas dhe metan. Por për momentin, trupi i saj është ende këtu: Është thuajse natë, futemi poshtë çarçafëve, ti më shtrëngon , shtrëngon edhe më fort, nuk dëgjon ç’ndodh atje jashtë, sa ftohtë është, rrotullohesh, të përqafoj nga pas, si dy karkalecë deti të qëruar, gati për t’u përtypur nga rastësia. Ja pra ku jemi, njëri përgjatë tjetrit: Nëse era, të çmendurit, sëmundja nuk na fshijnë nga faqja e dheut, atëherë do të na fshijë koha. Vetëm koha; një erë e qashtër, që fryn nga perëndimi, që na përshpërit në fytyrë të ardhmen. Dhe pavarësisht se strofkullohemi në zemër, ti përsëri më shtrëngon.

Si atëherë, kur një përbindësh më kishte robëruar në bodrum dhe unë rendja në ëndërr drejt portës që mbyllej, me ballin e çarë. Kisha ndeshur kokën me murin e dhomës, sa idiot. Isha në ëndërr dhe me ulërimën time, të kisha zgjuar edhe ty, që më mjekoje. Sa qeshëm atëherë, ishim gjallë, shpëtuam, teksa fjetëm me abazhurin ndezur. Pastaj është radha jote: analizat e gjakut, ti që ulëret teksa mbështjell krahun e majtë tri herë me celofan dhe zbraz poshtë gurrmazit valiume pa fund, teksa vazhdon bërtet, bërtet sepse do të deshe të gëlltisje e të ishe e mbushur me pambuk-sheqeri me shije luleshtrydhe dhe jo me ato krimba të fryrë nga gjaku që i quajmë vena dhe ata molusqe të mëdha që i quajmë organe.

Për pak kohë, jemi të përbërë akoma nga pambuk-sheqeri me shije luleshtrydhe. E dashur, kjo është rinia. Përpara se kjo të jetë e pamohueshme, na bëjnë të vdesim përbrenda, molusqe që marrin emrin “pankreas”, “zorrë e trashë” dhe emra të tjerë, të cilët, nëse ke filluar t’i zësh në gojë, do të thotë që tashmë ke filluar të vdesësh.

Çfarëdolloj gjëje të ndodhë, do të bëj të pamundur që ti të mos vdesësh. Ky fundja është çifti. Nëse do të zgjidhja nëse të shpëtoja ty dhe gjithë botën, do të të zgjidhja ty. Në këtë mënyrë ne biem në dashuri. Nuk ka asgjë tjetër më të brishtë dhe të gënjeshtërt sesa një premtim për përjetësi; por nuk ka asgjë poaq të bukur. “Përgjithmonë”… të shtrirë në kanape, “përgjithmonë”… teksa trokasim gotat në restorant, “përgjithmonë”… pasi kemi bërë dashuri, “përgjithmonë”… në spital. Janë të gjitha “përgjithmonë”.

Çdo histori është një kolanë “përgjithmonë”-sh. Por po aq të kota sa kërkimi i faljes pas një fyerjeje, sa kravatat, sa shtrojat poshtë pjatave, sa të veshurit e një kufome, sa buzëqeshja ndaj një shitëseje, sa universi!

Por nëse bëjmë pazaret e duhura, farat kuinoa, ujin e arrës së kokosit, nëse shkojmë të flemë herët, nëse përkundim në mendje kujtime që kanë rëndësi vetëm për ne dhe për ushtrinë tonë të çasteve të rënda, nëse kujdesemi për trupat tanë që humbin jetë ngado si pagure uji të shpuara (t’ua mbyllim vrimat me përkëdhelje); pra nëse bëjmë të gjitha këto, për ne do të jetë ndryshe, do të na ndodhë mrekulli, do t’ia dalim, vetëm ne të dy!

*Enrico dal Buono është editorialist për RollingStone

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook