Lidhu me ne

Kryesore

Ku gënjen Rama për vetëvrasjet në spitale?

Ergys Mërtiri

Në vend të reflektimit dhe përgjegjësisë për vetëvrasjet në spitale, kryeministri Rama zgjodhi ta kalojë lumin sipas parimit strategjik: Mbrojtja më e mirë është sulmi.
Me një gjuhë agresive ai akuzoi opozitën dhe kritizerët e tij si mashtrues që po shfrytëzojnë rastin në mënyrë kriminale, për të bërë politikë duke përhapur panik e dëshpërim te publiku. ‘Lehaqenie’, ‘flamë’, ‘marrëzi’, ishin termat me të cilat ai vlerësoi reagimet, që, sipas tij, vijnë nga ‘një çetë e çakërdisur personazhesh qesharakë’.
Në shpërfillje të plotë të përgjegjësisë, ai u përpoq ta trajtojë gjithçka si normale. Sipas tij, vetëvrasja për shkak të kovidit ndodh në të gjithë botën dhe nuk ka asnjë arsye për të fajësuar qeverinë. Për të argumentuar këtë ai iu referua një studimi të muajit maj, ku rezulton se gjatë këtij viti ka pasur një rritje prej 32 për qind të numrit të përgjithshëm të vetëvrasjeve në rang global, si dhe një studimi në Itali, i cili numëron rritje të vetëvrasjeve nga 44 në 71 raste deri në muajin shtator të këtij viti.
Në fakt, e gjithë kjo është një abuzim i madh, që, i përdorur në kontekstin për të cilin flitet, kthehet në mashtrim flagrant. Në të vërtetë, me një kërkim në “google” gjithkush mund të vërtetojë se nuk rezulton asnjë rast vetëvrasjesh të pacientëve me kovid në spitalet europiane, amerikane apo vende të tjera të zhvilluara. Ka pasur, pa dyshim, raste vetëvrasjesh në shtëpi, apo edhe raste vetëvrasjesh te mjekët (për shkak të presionit të madh psikologjik të ardhur prej situatës me të cilën ata janë përballur), por raste pacientësh që vrasin veten në spitale nuk ndeshen.

Raste të tilla rezultojnë vetëm në Indi (vend ku banon një e shtata e botës) dhe në mënyrë sporadike në Indonezi, Xhamajkë, Bangladesh e ndonjë vend tjetër, ku, për më tepër, në shumicën prej tyre theksohet si shkak mungesa e përkujdesjes së duhur spitalore. Katër raste në një vend me 3 milionë banorë, e me një numër kaq të pakonsiderueshëm të shtruarish, janë vërtet shumë.
Studimet për të cilat flet Rama, nuk kanë të bëjnë fare me vetëvrasjet në spitale, por me rritjen e përgjithshme të numrit të tyre në rang global, ku një shkak i rëndësishëm presupozohet të jetë natyrisht edhe pandemia. Por, edhe këtu, është vështirë të përcaktohet nëse kjo rritje ka ardhur më shumë nga sëmundja, apo nga ankthi dhe depresioni i shkaktuar fillimisht nga karantina dhe paniku i krijuar prej mediave. Qeveria nuk po kritikohet pse nuk po ndal vetëvrasjet në përgjithësi, por përse nuk ofron standardet e duhura të shërbimit spitalor, të cilat mund t’i bëjnë ato të shmangshme.
Kur një i sëmurë i jep fund jetës duke qenë nën kontrollin dhe kujdesin e mjekëve, kjo tregon se ka diçka që nuk shkon me spitalin. Sistemi shëndetësor duhet të ketë në vëmendje edhe gjendjen psiko-emocionale të pacientit, dhe, në raste problemesh, është elementare që ai të trajtohet të paktën me medikamente kundër ankthit, për të shmangur tragjedi të tilla. Kur rasti përsëritet për të katërtën herë brenda pak muajsh, kjo do të thotë se kemi të bëjmë tashmë me një fenomen që ka shumë për të vënë në diskutim mbi gjendjen e spitaleve.
Nuk është alarmi për spitalet ai që prodhon mosbesim në sistemin shëndetësor dhe panik e dëshpërim te qytetarët, siç thotë Kryeministri. Ajo që e sjell këtë është pikërisht paaftësia për t’i trajtuar problemet me seriozitetin e duhur, e mbi të gjitha, mosreflektimi dhe mosmbajtja e përgjegjësisë kur ngjarje të tilla ndodhin. Kur rastet janë të përsëritura, kjo tregon se nuk ka pasur kurrfarë reagimi për të menduar sesi ato të shmangen, dhe kjo sigurisht që tregon papërgjegjshmërinë e këtij shteti, përfshi këtu edhe institucionet shëndetësore.
Një qeveri e përgjegjshme nuk sulmon kritikuesit, por reflekton ndaj problemit. Një qeveri si kjo e Ramës, e kërkon gjithmonë zgjidhjen në propagandë dhe konflikt politik, ndaj dhe është e destinuar t’i përsërisë problemet. Nëse ky shtet do ishte sjellë me seriozitet që me rastin e parë, duke hetuar dhe zbardhur ngjarjen, duke adresuar përgjegjësitë, e duke iu përgjigjur problemit me zgjidhjet e duhura, mund të kish kursyer tre të tjerët, si dhe vetë retorikën vulgare të fajësimit të kundërshtarit prej Kryeministrit apo shtrembërimet banale të fakteve për të justifikuar veten.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore1 muaj më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar1 muaj më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar1 muaj më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal1 muaj më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook