Lidhu me ne

Kryesore

Brisida Shehaj: PS s’ekziston, ka vetëm një rilindje dhe ajo është e MJAFT-it

Taksa progresive u ideua për të ndihmuar shtresën e varfër dhe të mesme për të stimuluar konsumin, pra gjallërimin e ekonomisë, por  penalizoi klasën e mesme, atë klasë që ndërton e mban ekonominë dhe mirëqënien e një shoqërie

Rilindja socialiste nuk ekziston. Ka vetëm një Rilindje dhe ajo është e MJAFT-it.

Brisida Shehaj, nënkryetare e LSI-së për Tiranën në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se nuk ka Rilindje Socialiste, por ka rilindje të MJAF-it, prandaj e braktisi PS dhe iu bashkua LSI, si zgjidhje të problemit politik. Si eksperte, zonja Shehaj thotë se taksat qendrore janë në shërbim të oligarkëve, shkatërruan shtresën e mesme, ndërsa në taksat lokale, abuzimi është i dukshëm. Zonja Shehaj argumenton pse PPP-të janë jo vetëm dështim ekonomik, nuk kanë sjellë të ardhura, por janë korruptive. Në sirtarët e Ministrisë së Financave, që nga viti 2016 gjendet një projektligj i hartuar me asistencën më të mirë ndërkombëtare, aty vendoset politikë taksimi e drejtë për individët

Për sa i takon taksave qendrore, paqartësia është e madhe prej ndryshimeve të shpeshta të legjislacionit, pa një strategji fiskale, duke ia lënë interesave të momentit tolerimet e shtrëngimet, për të favorizuar grupe të caktuara interesi, në shërbim të oligarkëve

Zonja Shehaj, me taksën progresive që qeveria e Rilindjes zbaton në 8 vitet e qeverisjes, a kemi një taksim të ndershëm, siç pretendoi kryeministri Rama?

Taksa progresive u ideua për të ndihmuar shtresën e varfër dhe të mesme për të stimuluar konsumin, pra gjallërimin e ekonomisë dhe për të siguruar ndershmëri në kontributin e secilit në të ardhurat kombëtare. Por produkti i këtij taksimi vetëm pjesërisht arriti të realizonte synimet e tij fillestare, tek shtresa e varfër, sepse në një analizë të plotë pas 8 vitesh mund pohoj pa drojë se penalizoi klasën e mesme, atë klasë që ndërton e mban ekonominë dhe mirëqënien e një shoqërie.

A janë të shumta taksat ndaj biznesit?

Për sa i takon taksave qendrore, paqartësia është e madhe prej ndryshimeve të shpeshta të legjislacionit, pa një strategji fiskale, por duke ia lënë interesave të momentit tolerimet e shtrëngimet, diku për arsye elektorale, diku për të favorizuar grupe të caktuara interesi, në shërbim të të ashtuquajturve “oligarkë”, që janë majmur me para publike. Ndërkohë, sa i takon atyre lokale, abuzimi është i dukshëm, duke nisur me taksa, që deklarohen të përkohshme, por zgjasin me vite deri tek vlerat e tyre për biznese të vogla e të mesme, që në total, tejkalojnë edhe ato qendrore.

Sipas jush, pse qeveria nxori ligjin e dividentit me veprim prapaveprues?

Ligji në vetvete ishte abuziv, që nga fuqia e tij prapavepruese e deri tek favorizimi i grupeve rë caktuara, duke dekurajuar taksapaguesit e rregullt. Kjo e shndërroi misionin e ligjit nga rregullator në mekanizëm diskriminues. Një nismë me efekt momental, për të mbushur fiktivisht arkën e shtetit, për të favorizuar “oligarkët” e për t’i destinuar në PPP korruptive.

A i mirëpërdor qeveria taksat? Taksapaguesit e rregullt, a marrin ndihmën nga shteti, kur janë në nevojë?

Taksapaguesit e rregullt siç e pohova edhe më parë përballen me arrogancën e pushtetit dhe diskriminimin e pabarazinë përballë ligjit. Po marr vetëm një shembull konkret e aktual, pandemia e covid-19 zbuloi se sa shteti i vjen në ndihmë taksapaguesit të vet. Për krahasim, qeveria shqiptare alokoi 363 milionë euro fonde në dispozicion të biznesit dhe individit, ku shumica janë kredi. Ndërkohë Kosova dha ndihmë të drejtpërdrejtë 385 milionë euro, Maqedonia e Veriut 470 milionë euro dhe Mali i Zi 1,5 miliardë euro. E ndërkohë në vitin 2020, pagesat për PPP abuzive arrijnë qindra miliona euro. Si me tërmetin e nëntorit të vitit 2019, si me pandeminë, pushteti nuk ka treguar as humanizëm për taksapaguesin e vet.

Në taksat lokale, abuzimi është i dukshëm, duke nisur me taksa, që deklarohen të përkohshme, por zgjasin me vite deri tek vlerat e tyre për biznese të vogla e të mesme, që në total, tejkalojnë edhe ato qendrore

Ekonomia jonë vuan krizën globale, apo është viktimë e keqqeverisjes së Rilindjes Socialiste?

Këtu gjërave u duhet vënë emri që kanë dhe fshehja pas alibive si kriza botërore, fatkeqësia natyrore, apo pandemia janë justifikime tipike të një makinerie propagande rilindase. Patjetër marr parasysh ndikimin e pandemisë në ekonomi, por nuk kam parë qeverinë të ulet e të ndërtojë një strategji transparente për si e sa do minimizojë pasojat e saj në vitin 2021. Le të qëndrojmë këtu, po të shohësh të ardhurat e planifikuara për TVSH-në për buxhetin e vitit 2021 dallon qartë se jemi kthyer në nivelet e vitit 2018. Ndërkohë niveli faktik i buxhetit të vitit 2020 për të ardhurat nga TVSH na kthen në vitin 2016. Por po të bësh një analizë edhe më të thelluar zëri i TVSH-s ka 200 milionë dollarë më pak se viti 2018. Dhe kjo do të thotë, që investimet e privatit dhe ato të PPP-ve në miliarda nuk kanë prodhuar efektivitetin dhe të ardhurat e duhura në buxhetin e shtetit. E paimagjinueshme në një vit të vështirë, me pandemi, korruspsion të vërtetuar nga KLSH e ku shpresa e vetme janë 280 milionë dollarët e Rindërtimit, vlera e shtuar të sigurojë 200 milionë dollarë TVSH.

Cili është impakti i mijëra koncesioneve që ka dhënë qeveria e Rilindjes në të ardhurat e buxhetit të shtetit, në rritjen e vendeve të punës, në progresin e ekonomisë?

Në vijim të përgjigjes së mësipërme, qindra miliona euro në koncesione e PPP në këto vite, rreth 500 milionë euro leje ndërtimi të dhëna në Tiranë vitet e fundit kanë prodhuar 200 milionë dollarë më pak në zërin e TVSH-së. Le të analizojmë pak këtu, po të shihni të ardhurat e sigurineve shoqërore, dallojmë rritje vit pas viti, por kjo sigurohet më së shumti prej punësimit sezonal të turizmit dhe rritjes së pagës minimale për efekt taksimi. Pa e bërë shumë teknike bisedën, mjaftojnë këto indikatorë për të kuptuar se si kanë ndikuar këto koncesione në prodhim, punësim dhe ekonomi.

Zonja Shehaj, pse socialistët janë zhgënjyer nga Rilindja Socialiste?

E para, të biem dakord për termat. Rilindja socialiste nuk ekziston. Ka vetëm një Rilindje dhe ajo është e Mjaftit. Sot drejtimin e Partisë Socialiste e ka kapur një grupim, që pasi dështoi me një krijesë anemike si G99, përdorën PS-në si mjetin për të arritur qëllimin e tyre. Makiavelistë të thekur, që politikën e ndanë nga morali, qëllimin e shfaqën hapur, shkatërrimi, varfërimi dhe shpopullimi i Shqipërisë. Në këtë kapje frymëmpakëse të partisë, socialistëve nuk u mbetet as zë, as oksigjen e as forcë vendim-marrëse brenda forumeve drejtuese.

Ju, pse ikët nga PS dhe iu bashkuat LSI?

Për çdo arsye të thënë më sipër, duke njohur problemin i jap rëndësi zgjidhjes.

Në kushtet aktuale, çfarë politikë fiskale duhet të ndjekë opozita, nëse vjen në qeverisje në 25 prill për të ndihmuar biznesin, por edhe të rritë të ardhurat e buxhetit të shtetit?

Zgjidhja është një, të gjithë të barabartë para ligjit, pa asnjë privilegj prej afërsisë me pushtetin, politika fiskale të qarta e transparente, lehtësim për biznesin e vogël e të mesëm. Dhe një bindje imja personale, taksimi i të ardhurave personale duhet të jetë i drejtë, duke njohur një pjesë të shpenzimeve dhe jo i aplikuar mbi të ardhurat bruto. Në sirtarët e Ministrisë së Financave, që nga viti 2016 gjendet një projektligj i hartuar me asistencën më të mirë ndërkombëtare, aty vendoset politikë taksimi e drejtë për individët,  të cilëve iu njihen shpenzime të zbritshme para tatimit, duke siguruar edhe rimbursimin e tyre në rast të tatimit të llogaritur mbi vlerën faktike. Kjo gjë do të stimulonte kësisoj konsumin e një ekonomie të drobitur.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore1 muaj më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar1 muaj më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar1 muaj më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal1 muaj më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook