Lidhu me ne

Kryesore

Shembulli moldav dhe hipokrizia e politikës shqiptare

Eugjen Merlika

Ditët e fundit u zhvilluan votimet për kryetarin e Shtetit moldav. Belegu zhvillohej ndërmjet kryetarit të socialistëve, të kudondodhur në të gjithë Vendet ish komuniste, Igor Dodonit, që përkrahej nga filorusët dhe drejtueses së partisë “Veprim e solidaritet”, Maia Sandu, një ekonomiste e shkëlqyer, e diplomuar në universitetin e njohur të Harvardit, që ka lënë punën e saj në Bankën Botërore, për të hyrë në politikën e Vendit të saj me të gjithë peshën e formimit të saj e përvojës  në njërin ndër institucionet më të rëndësishme të botës financiare. Belegu përfundoi me fitoren e Maia Sandu-t me 57,75 % të votave kundrejt 42,25 % të kundërshtarit të saj.

Shumë nga Vendet ish socialiste kanë përqafuar në kushtetutat e tyre sistemin presidencial në përcaktimin e Kryetarit të Shtetit. Kjo mënyrë zgjedhjeje i jep më shumë mundësi larmisë së pushteteve e krijon hapësirë për të gjithë spektrin politik, i cili gjen mundësinë të shprehë vullnetin e tij jo vetëm në votimet parlamentare, por dhe n’ata presidenciale. Ndodh që të dy këta votime mos të përkojnë në përfundimet e tyre sepse në rastin e Kryetarit të Shtetit imponohet më shumë personaliteti i kandidatit se sa besimi politik të cilit i përket. Para disa vitesh në Rumani me votë popullore u zgjodh një president që gëzonte shumë popullaritet për ndershmërinë e tij, edhe se i përkiste pakicës hungareze e nuk vinte nga asnjë forcë politike. Edhe presidentja e zgjedhur në Sllovaki këtë vit vinte nga klasa intelektuale e Vendit. Dy vjet më parë presidenti austriak u zgjodh, duke mundur kandidatin e partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare.

Në Shqipëri është parapëlqyer nga hartuesit e Kushtetutës sistemi i zgjedhjes së kryetarit të Shtetit nga parlamenti që deri tani nuk ka prodhuar asnjë personalitet të spikatur n’atë vend, por në më të shumtën e rasteve, ka qenë shprehje e autokracive të kryetarëve të partive në pushtet, ose i kompromiseve politike të tyre, që kanë emëruar njerëzit më të padëmshëm për ta. Ndoshta në këtë drejtim ka bërë zgjedhjen e gabuar Rama në 2017, them ndoshta sepse “sherret” e fundit mes tij e Metës i shëmbëllejnë më shumë një marrëveshjeje për të ruajtur gjendjen ekzistuese.

Presidentja e zgjedhur në Moldavi, ku është në fuqi ligji për votimin e të mërguarve, ka marrë një pjesë të mirë të votave të 1,2 milion qytetarëve moldavë që jetojnë e punojnë jashtë Vendit, kryesisht në BE. Simbas gazetës ruse “Komersant” kanë votuar rreth 260.000 zgjedhës të mërguar, nga të cilët rreth 88 % të tyre kanë votuar për të. Gjithnjë simbas asaj gazete, pa ato vota fitorja e saj do të kishte qenë shumë e shtrënguar, me rreth 3 %. Përgëzime votuesve moldavë që ndërmjet një aparatçiku të vjetër komunist e një gruaje të suksesëshme në mjediset e Harvardit e të Bankës Botërore, ka zgjedhur këtë të dytën. Në deklaratën e parë për shtypin mbas zgjedhjes zonja Sandu pohoi: “ Kam ndërmend të çoj përpara një politikë të Jashtme të barazpeshuar dhe një dialog pragmatik me të gjithë Vendet, përfshirë edhe Rusinë”. Jo rastësisht, nga të parët që përgëzuan Presidenten e re 48 vjeçare moldave qe Presidenti rus Putin, i cili me mesazhin e tij i “preu krahët” edhe filorusit Dodon, që kërkon të verë në dyshim vërtetësinë e hapjes së votave, duke bërë paditë në gjyqe, simbas një mode të ditëve të fundit. Zonja Sandu është e vendosur të zhvillojë fuqishëm lidhjet me BE, nga i cili shpreson të ketë edhe ndonjë ndihmë tepër të dobishme për Vendin e saj, të varfëruar nga qeverisje socialiste, të mangëta në ide e programe. Përgëzimet nga udhëheqësit evropianë nuk kanë munguar, duke filluar nga Kryetari i Parlamentit evropian, italiani Davide Sassoli. Sa për integrimin në BE nuk bëhet fjalë sepse Moldavia ka një problem të mprehtë me krahinën e Transnistrisë që është shkëputur nga Shteti moldav.

Ndonjëri që mund të lexojë këtë shkrim mund të vërejë se çfarë interesi mund të ketë për shqiptarët kjo përvojë e bukur e Moldavisë, një ish republike sovjetike me një popullsi prej 3,5 milion banorësh, pak a shumë në kushtet tona. Them, përvojë e bukur, sepse e tillë duhet quajtur një vendim popullor, që ve në krye të Shtetit një grua, duke i besuar aftësisë së saj të provuar e përkushtimit atdhetar që dëshmohet nga lënia e një posti të nderuar në Bankën Botërore e zotimit për të përballuar problemet jo të thjeshta të Vendit të saj.

Ngjashmëritë ndërmjet Shqipërisë e Moldavisë nuk janë të pakta. Të dy Vendet vijnë nga përvoja komuniste ortodokse. Të dy kanë probleme kombëtare. Të dy Vendet kanë një sasi të madhe mërgimtarësh, kanë parti socialiste të fuqishme që vazhdojnë të kushtëzojnë jetën e popujve të tyre. Por ndërmjet të tyre ka edhe ndryshime, për mendimin tim thelbësore, që mund të përcaktojnë kahe të ndryshme të zhvillimeve të tyre. Së pari kanë një sistem presidencial që i jep mundësi popullit të votojë drejtpërsëdrejti për Kryetarin e Shtetit, gjë të cilën ne nuk e kemi e po e shohim përditë e më tepër dëmin që rrjedh prej mungesës së tij. Me gjithë përpjekjet, mendimet e propozimet që janë bërë në gjithë këta vite nga shumë anë të opinionit publik shqiptar, “reformat” zgjedhore nuk e kanë vënë asnjëherë në diskutim mundësinë e ndryshimit të kushtetutës sa i përket zgjedhjes së presidentit. Kjo ndodh sepse demokratura e jonë nuk don të lerë asnjë shteg për të ripërtërirë pushtetin që ajo e mban prej tridhjetë vitesh nën diktatin e saj. Madje do t’a quaja të udhës që t’i jepet mundësi popullit, nëpërmjet një referendumi me një pyetje të përcaktuar qartë e jo me një impiant kushtetues të plotë, për të vendosur mbi këtë pikë. Por me që këtu vendim-marrja është atribut i shumë pak njerëzve të partitokracisë, asnjë nuk vendos të tërheqë mendimin e vërtetë të qytetarëve, të cilët  me shumë gjasë, ndërmjet vendimit të pak njerëzve të nomenklaturës e votës së tyre të drejtpërdrejtë, do të pëlqenin këtë të fundit.

Ndryshim tjetër i rëndësishëm mes dy Vendeve është se Moldavia, në kundërshtim me Shqipërinë, i njeh qytetarëve të saj të mërguar të votojnë e, me votën e tyre të japin mendimin e tyre për ata që do të qeverisin Vendin e tyre. Në Shqipëri, ku klasa politike, në shumicën dërmuese, është emblemë hipokrizie të mirëfilltë, ka dhjetëvjeçarë që flitet për votat e të mërguarve, madje nuk kanë munguar as premtimet e bujshme të politikanëve të ndryshëm para çdo fushate zgjedhore n’atë drejtim, për të përgënjeshtruar ndyrësisht vetveten mbas zgjedhjeve. Kështu ndodhi edhe sivjet, kur “Këshilli politik” në përfundimet e tij të firmosura, çuditërisht, në një ambasadë të huaj, qoftë dhe ajo e SHBA, la si porosi që “të shihet mundësia e votës së emigrantëve”. Ajo porosi kaloi si një top tenisi nga Këshilli politik tek Kolegji zgjedhor e që aty tek parlamenti e Kryetari i Shtetit, i cili, çuditërisht, pati mjaft për të thënë kundër shkeljeve të Kushtetutës, por nuk foli kurrë për votat e të mërguarve, edhe se kishte buçitur shumë vite më parë për ta. Lindi përkohësisht një shpresë e zbehtë tek Opozita kuvendore që e vuri fillimisht votën e të mërguarve si njërën ndër tre kërkesat e saj kryesore për të votuar ndryshimet zgjedhore. Por në bisedat me kryeministrin, kjo kërkesë u mpak deri në heqjen e saj nga programi.

Kështu edhe Opozita kuvendore, që ishte shquar deri atëherë për ndonjë replikë apo padi të dobishme, u uniformua me mendimin e përgjithshëm, duke flijuar në sallën e Kuvendit votat e të mërguarvet për të marrë të drejtën mjerane të përfaqësimit me 1% të votave, duke fituar një apo dy vënde në kuvendin e ardhshëm, për t’u siguruar ndonjë drejtuesi rrogën kuvendore. Nuk bëjnë përjashtim në këtë kor të kamufluar e të përgjithshëm kundër votës së të mërguarve, as mediat në shumicën e tyre, të cilat në larminë e tyre nuk lënë asnjë problem pa shqyrtuar, me të ftuar disa puthadorë të politikës, apo partizanë të njërit apo tjetrit, e që nuk e quajnë të dobishëm diskutimin e paditjen e kësaj dukurie, që përjetëson gjendjen e sotme e i mbyll të gjitha shtigjet ndryshimeve thelbësore, aq të domosdoshme për jetën institucionale shqiptare.

Fatkeqësisht, kemi mbetur ende të fundit, si para tridhjetë vitesh, kur mbas rrëzimit të Murit të Berlinit miratonim ligje për të mbrojtur përmendoret e Stalinit e vrisnim në kufi djemtë që dëshironin të shkonin e të jetonin në një botë tjetër. Ka tridhjetë vite që kemi ngelur në vend, përsa i përket drejtimit politik, në mëshirë të pak njerëzve që i kanë vënë tapitë karrierave politike, drejtues të improvizuar pa asnjë cilësi shtetari, pa asnjë meritë të spikatur, veç demagogjisë, mashtrimit e përrallave me mbret, mbi të cilët rëndojnë padi të hamendësuar për pasuri përrallore, të përfituara me mjete e mënyra të paligjshme, të cilat presin verifikimet e nevojshme institucionale.

Shqipëria ka nevojë për njerëz të aftë e të ndershëm, sidomos në jetën politike e n ‘administrimin e institucioneve. Le të shërbejë shembulli i Moldavisë për t’a zgjuar nga letargjia pothuajse shekullore e të zbulojë në gjirin e saj më të mirët për t’i vënë në drejtimin e saj. /Gazeta Liberale

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Radar7 orë më herët

Çfarë na tregoi Sondazhi për Opozitën?

Nga Indrit Vokshi Sondazhi në vetvete është njëfarë “spiunazhi”, ai përdoret si mjet për të mbledhur informacion e për të...

Kryesore7 orë më herët

Çim Peka sulmon Ylli Rakipin dhe televizionin ku bëhet emisioni

Pak ditë më parë, gazetari Ylli Rakipi, deklaroi në emisionin e tij se para disa kohësh, kishte parë në një...

Kryesore1 ditë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar1 ditë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix1 ditë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix1 ditë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix1 ditë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix1 ditë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix1 ditë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix1 ditë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Facebook